E premte, 22 shtator 2023 – Leximet biblike

APOSTULLI - Efesianëve 1:7-17.

Tek Jisu Krishti kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e fajeve, sipas pasurisë së hirit të tij, të cilin na e dha me të tepërt me çdo urtësi e mençuri, duke na njohur misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që e pati paracaktuar në vetvete, me synimin që kur të mbushen kohët, t’i përmbledhë të gjitha në Krishtin, edhe ato që janë në qiej edhe ato që janë mbi dhe; në atë, tek i cili edhe morëm trashëgim, siç qe paracaktuar sipas qëllimit të atij që i bën të gjitha sipas pëlqimit të vullnetit të tij, që ne shpresuam më përpara tek Krishti të jemi për mburrje të lavdisë së tij; tek i cili shpresuat edhe ju, pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj; dhe tek i cili, pasi besuat u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, që është paradhënia e trashëgimit tonë, deri në shpërblimin e atyre që u fituan për lëvdim të lavdisë së tij. Prandaj edhe unë, si dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jisu dhe për dashurinë që keni për të gjithë shenjtorët, nuk pushoj duke falënderuar Perëndinë për ju, e duke ju përmendur në lutjet e mia, që t’ju japë Perëndia i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i lavdisë, frymë diturie e zbulese, që ta njihni atë.

UNGJILLI - Llukai 4:22-30.

Edhe të gjithë dëshmonin për Jisuin, dhe çuditeshin për fjalët e hirit që dilnin prej gojës së tij, dhe thoshin: A nuk është ky i biri i Josifit? Edhe ai u tha atyre: Patjetër do të më thoni këtë proverb: Mjek, shëro veten tënde. Do me thënë, sa dëgjuam që janë bërë në Kapernaum, bëji edhe këtu në vendin tënd. Po ai tha: Me të vërtetë po ju them juve, se asnjë profet nuk është i pranuar në vendin e vet. Edhe me të vërtetë po ju them juve, shumë të veja ishin në Izrael në ditët e Ilias kur u mbyll qielli tre vjet e gjashtë muaj, kur u bë një zi e madhe mbi gjithë dhenë. Po tek asnjë nga ato nuk u dërgua Ilia, përveç në Sareptë të Sidonës tek një grua e ve. Edhe shumë lebrozë ishin në Izrael në kohën e profetit Elise; po asnjë nga ata nuk u pastrua, përveç Neman Sirianit. Edhe të gjithë në sinagogë, kur dëgjuan këto, u mbushën me zemërim. Edhe u ngritën dhe e nxorën jashtë qytetit; edhe e prunë deri në buzë të malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin poshtë. Po ai si kaloi përmes tyre, iku.