E enjte, 28 shtator 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Efesianëve 4:14-17.

Të mos jemi më foshnje, që lëkunden e merren andej-këtej nga çdo erë mësimi, nga gënjeshtra e njerëzve, nga dinakëria e mjeshtërisë së mashtrimit; po duke thënë të vërtetën me dashuri të rritemi në të gjitha në atë, i cili është kreu, Krishti, prej të cilit tërë trupi i përbashkuar e i bashkëlidhur nëpërmjet ndihmës së çdo nyjeje, sipas veprimit me masë të secilës pjesë, bën rritjen e trupit, për ndërtimin e vetvetes me dashuri. Them pra këtë, edhe dëshmoj në Zotin, të mos ecni më siç ecin edhe pjesa tjetër e kombeve në kotësinë e mendjes së tyre.

UNGJILLI - Llukai 6:12-19.

Edhe ndodhi që në ato ditë doli në mal të lutej, edhe e kalonte tërë natën duke iu lutur Perëndisë. Edhe kur u bë ditë, thirri nxënësit e tij, edhe zgjodhi nga ata dymbëdhjetë, edhe i quajti apostuj: Simonin, të cilin edhe e quajti Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakovin dhe Joanin, Filipin e Bartolomeun, Mattheun dhe Thomain, Jakovin e Alfeut, dhe Simonin, e quajtur Zeloti, Judën e Jakovit, dhe Juda Iskariotin, i cili edhe u bë tradhtar. Edhe zbriti bashkë me ata e qëndroi në një vend të sheshtë; edhe ishin grumbulli i nxënësve të tij dhe një turmë e madhe populli nga gjithë Judea dhe nga Jerusalemi, edhe nga bregdeti i Tirit e i Sidonës, të cilët erdhën të dëgjonin atë, edhe të shëroheshin nga sëmundjet e tyre, edhe ata që mundoheshin prej frymëve të ndyra, dhe shëroheshin. Edhe gjithë turma kërkonte ta prekte; sepse dilte fuqi prej tij, edhe i shëronte të gjithë.