Them pra këtë, edhe dëshmoj në Zotin, të mos ecni më siç ecin edhe pjesa tjetër e kombeve në kotësinë e mendjes së tyre, me mendje të errësuar, duke qenë të tjetërsuar nga jeta e Perëndisë, prej padijes që është në ta, për shkak të ashpërsisë së zemrës së tyre. Këta duke u bërë të pandjeshëm e dhanë veten e tyre në fëlliqësi, që të bëjnë çdo papastërti me lakmi. Por ju nuk e keni mësuar kështu Krishtin.
Në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe jeni mësuar në të, siç është e vërteta në Jisuin, hidhni tej njeriun e vjetër që është sipas jetesës së mëparshme, i cili prishet sipas dëshirimeve të mashtrimit, edhe përtërihuni në frymën e mendjes suaj, edhe vishni njeriun e ri, që është ndërtuar sipas Perëndisë me drejtësi e me shenjtëri të së vërtetës.
Prandaj, duke hedhur tej gënjeshtrën, “flisni të vërtetën secili me të afërmin e tij”, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit.
Edhe zbriti bashkë me ata e qëndroi në një vend të sheshtë; edhe ishin grumbulli i nxënësve të tij dhe një turmë e madhe populli nga gjithë Judea dhe nga Jerusalemi, edhe nga bregdeti i Tirit e i Sidonës, të cilët erdhën të dëgjonin atë, edhe të shëroheshin nga sëmundjet e tyre, edhe ata që mundoheshin prej frymëve të ndyra, dhe shëroheshin.
Edhe gjithë turma kërkonte ta prekte; sepse dilte fuqi prej tij, edhe i shëronte të gjithë. Edhe ai, si ngriti sytë mbi nxënësit e tij, thoshte:
Lum ju të varfërit, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.
Lum ju që keni uri tani, sepse do të ngopeni.
Lum ju që qani tani, sepse do të qeshni.
Të lumtur jeni ju, kur t’ju urrejnë njerëzit, edhe kur t’ju përjashtojnë, edhe t’ju përqeshin, edhe t’ju nxjerrin emrin për të keq, për shkak të Birit të njeriut.
Gëzohuni në atë ditë dhe kërceni; sepse ja paga juaj tek është e shumtë në qiell; sepse kështu ua bënin edhe profetëve etërit e tyre.