E hënë, 2 tetor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 1 Timoteut 1:12-17.

Edhe falënderoj Krishtin Jisu, Zotin tonë, që më dha fuqi, se më numëroi për besnik e më vuri në shërbim mua, që më përpara isha blasfemues, e përndjekës e sharës; por u përdëlleva, sepse pa ditur i bëra në pabesi. Dhe hiri i Zotit tonë teproi mbi mua me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu. E besueshme është fjala edhe e denjë për t’u pranuar, se Krishti Jisu erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarë, prej të cilëve i pari jam unë. Po prandaj u përdëlleva, që të tregojë Jisu Krishti më përpara tek unë gjithë zemërgjerësinë, si shembull në ata që kanë për t’i besuar atij për jetë të përjetshme. Edhe mbretit të jetëve, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi që është i ditur, i qoftë nder edhe lavdi në jetë të jetëve. Amin.

UNGJILLI - Llukai 6:24-30.

Po mjerë ju të pasurit, sepse e morët ngushëllimin tuaj. Mjerë ju të ngopurit, se do të keni uri. Mjerë ju që qeshni tani, se do të mbani zi e do të qani. Mjerë ju, kur gjithë njerëzit të flasin mirë për ju; sepse kështu ua bënin edhe profetëve të rremë etërit e tyre. Por ju them juve që dëgjoni: Duajini armiqtë tuaj; bëjuni mirë atyre që ju urrejnë; bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Atij që të të godasë në faqe, ktheji edhe tjetrën, edhe atij që të merr rrobën tënde, mos i ndalo edhe këmishën. Edhe kujtdo që kërkon prej teje jepi, dhe atij që merr të tuat, mos ia kërko.