Edhe ndërsa Pavli po priste ata në Athinë, i përvëlonte brenda në shpirt kur shikonte qytetin plot me idhuj. Fliste pra në sinagogë me Judenjtë e me ata që druheshin prej Zotit dhe në treg çdo ditë me ata që qëllonte të takohej.
Edhe disa filozofë nga Epikurianët e nga Stoikët diskutonin me të; dhe disa thoshin: Vallë, ç’do të thotë ky llafazan? Dhe të tjerë thoshin: Duket se është zëdhënës i perëndive të huaja; sepse u predikonte atyre Jisuin dhe ngjalljen. Edhe ata e kapën dhe e çuan në Areopag, duke thënë: A mund të marrim vesh, ç’është ky mësim i ri që flitet prej teje? Sepse ti na sjell ca gjëra të çuditshme në veshët tanë. Duam pra të marrim vesh, ç’do të jenë këto. Sepse gjithë Athinasit dhe të huajt që rrinin atje nuk kishin nge për ndonjë tjetër gjë, veç të thonë e të dëgjojnë ndonjë fjalë më të re.
Atëherë Pavli qëndroi në mes të Areopagut, e tha: O burra Athinas, shikoj se mbi të gjitha jeni tepër besimtarë. Sepse, duke shkuar e duke vënë re vendet e adhurimit tuaj, gjeta edhe një altar, mbi të cilin është shkruar: Perëndisë së Panjohur. Atë pra që nuk e njihni dhe e adhuroni, këtë po ju tregoj unë juve.
Perëndia që bëri botën dhe gjithë sa janë në të, ky, duke qenë Zot i qiellit e i dheut, nuk rri në tempuj të bërë me dorë, as nuk shërbehet nga duar njerëzish, si të ketë nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë dhe shpirt dhe gjithçka. Edhe bëri prej një gjaku çdo komb njerëzish, që të rrinë mbi gjithë faqen e dheut, dhe paracaktoi rendin e kohëve dhe kufijtë e vendbanimit të tyre; që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta takojnë dhe ta gjejnë, ndonëse ai s’është larg prej secilitdo prej nesh; sepse me anë të tij rrojmë, dhe lëvizim, dhe jemi, sikurse edhe disa nga poetët tuaj kanë thënë: “Sepse edhe jemi farë e atij”. Duke qenë pra farë e Perëndisë, nuk duhet të pandehim se Perëndia ngjan me ar a me argjend a me gur të latuar me mjeshtëri e shpikje njeriu.
Perëndia pra, i cili nuk vuri re kohët e paditurisë, tani porosit gjithë njerëzit në çdo vend të pendohen; sepse caktoi një ditë, në të cilën do të gjykojë botën me drejtësi me anë të një njeriu, të cilin e caktoi për këtë, dhe këtë ua vërtetoi të gjithëve, duke e ngjallur atë prej së vdekurish.
Edhe kur dëgjuan ngjallje prej së vdekurish, disa e përqeshnin, po disa thanë: Do të të dëgjojmë përsëri për këtë çështje. Edhe kështu Pavli doli nga mesi i tyre. Edhe disa burra iu ngjitën dhe besuan; në mes tyre ishte edhe Dionis Areopagjiti, dhe një grua që quhej Damarida, dhe të tjerë bashkë me ata.
Edhe mos gjykoni, dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni, edhe nuk do të dënoheni; ndjeni, edhe do të ndjeheni. Jepni, dhe do t’ju jepet juve; masë të mirë, të ngjeshur e të tundur e të derdhur prej buze do t’ju japin në gjirin tuaj; sepse me atë masë që matni, do t’ju matet edhe juve.
Edhe u tha atyre një paravoli: A mundet një i verbër të udhëheqë një të verbër? A nuk do të bien që të dy në gropë? Nuk ka nxënës mbi mësuesin e tij; po çdo nxënës i përsosur do të jetë si mësuesi i tij.
Edhe pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd, dhe traun që është në syrin tënd nuk e ndien? Apo si mund t’i thuash vëllait tënd: Vëlla, lër të nxjerr lëmishten që ke në syrin tënd, kur ti nuk sheh traun që është në syrin tënd? Hipokrit, nxirr më parë traun prej syrit tënd, dhe atëherë do të shohësh mirë të nxjerrësh lëmishten që është në syrin e vëllait tënd.
Sepse nuk ka pemë të mirë që bën fryt të keq; as pemë të keqe që bën fryt të mirë. Sepse çdo pemë njihet prej frytit të vet; sepse nuk mbledhin fiq nga gjembat, as nuk vjelin rrush nga ferrat. Njeriu i mirë nxjerr të mirën prej thesarit të mirë të zemrës së tij; edhe njeriu i lig nxjerr të ligën prej thesarit të lig të zemrës së tij; sepse goja e tij flet nga teprica e zemrës.