Edhe këtë e them, se ai që mbjell me kursim, edhe do të korrë me kursim; edhe ai që mbjell me dorë të hapët, edhe do të korrë me dorë të hapët.
Gjithësecili le të japë si t’i dojë zemra, jo me hidhërim, ose nga nevoja, sepse Perëndia do atë që jep me zemër të gëzuar.
Edhe Perëndia është i fortë të shtojë me të tepërt çdo hir tek ju, që duke pasur gjithnjë në çdo gjë gjithë sa duhen, t’ju teprojnë për çdo punë të mirë,
siç është shkruar: “Shpërndau, u dha të varfërve; drejtësia e tij mbetet përjetë”.
Edhe ai që i jep farë atij që mbjell, edhe bukë për të ngrënë, dhëntë e shumoftë farën tuaj, edhe rrittë frytet e drejtësisë suaj;
që të pasuroheni nga të gjitha në çdo punë që kërkon bujari, e cila përpunon me anën tonë falënderim për Perëndinë.
Edhe ndodhi që pas kësaj Jisui po shkonte në një qytet që quhej Nain; edhe shkonin bashkë me të mjaft nga nxënësit e tij dhe shumë popull. Edhe kur u afrua në portën e qytetit, ja tek po nxirrnin përjashta një të vdekur, të cilin e ëma e kishte bir të vetëm, edhe ajo ishte e ve; edhe shumë popull prej qytetit ishte bashkë me të.
Edhe Zotit, kur e pa, iu dhimbs, edhe i tha asaj: Mos qaj. Edhe u afrua e preku shtratin; edhe ata që e mbanin qëndruan; edhe ai tha: Djalosh, po të them, ngrihu. Edhe i vdekuri u ngrit e ndenji, edhe zuri të flasë. Edhe ia dha së ëmës.
Dhe të gjithëve u hyri frikë, edhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se një profet i madh është ngritur tek ne, edhe se Perëndia hodhi sytë mbi popullin e tij.