E diel, 22 tetor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Galatianëve 1:11-19.

Po ju bëj të ditur, vëllezër, se ungjilli që u predikua prej meje nuk është sipas njeriut; sepse as unë s’e mora prej njeriu, as nuk u mësova prej njeriu, po nëpërmjet zbulesës së Jisu Krishtit. Sepse keni dëgjuar për sjelljen time të mëparshme në Judaizëm, se fort tepër përndiqja kishën e Perëndisë për ta shkatërruar atë. Dhe përparoja në Judaizëm më tepër se shumë bashkëmoshatarë në kombin tim, sepse isha më tepër i zellshëm për traditat e etërve të mi. Po kur i pëlqeu Perëndisë, i cili më ndau që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij, që të zbulojë Birin e tij tek unë, që ta ungjillëzoj atë ndër kombet, përnjëherë nuk u këshillova me mish e me gjak, as nuk u ngjita në Jerusalem tek ata që qenë apostuj para meje, por shkova në Arabi, dhe përsëri u ktheva në Damask. Pastaj, pas tre vjetësh u ngjita në Jerusalem, për të takuar Pjetrin; dhe qëndrova pranë tij pesëmbëdhjetë ditë. Edhe tjetër nga apostujt nuk pashë, veçse Jakovin, vëllain e Zotit.

UNGJILLI - Llukai 8:27-39.

Edhe kur doli në tokë, i doli përpara një njeri prej qytetit, që kishte demonë prej shumë vitesh, edhe rrobë nuk vishte, edhe në shtëpi nuk rrinte, po nëpër varre. Edhe kur pa Jisuin, bërtiti e i ra ndër këmbë, e me zë të madh tha: Ç’ke me mua, Jisu, bir i Perëndisë së Lartë? Të lutem, mos më mundo. Sepse ai urdhëroi frymën e ndyrë të dalë nga njeriu; sepse prej shumë vitesh e kishte rrëmbyer, edhe lidhej me vargonj, edhe ruhej me hekura këmbësh; po ai i këpuste prangat, edhe sillej prej demonit nëpër shkretëtira. Edhe Jisui e pyeti, duke thënë: Si e ke emrin? Edhe ai i tha: Legjion; sepse kishin hyrë tek ai shumë demonë. Edhe i luteshin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerën e pafund. Edhe atje ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur në mal; edhe i luteshin t’i linte të hyjnë tek ata; dhe ai i la. Edhe demonët, si dolën prej njeriut, hynë te derrat; dhe tufa e derrave u hodh prej shkëmbit në liqen dhe u mbyt. Edhe kullotësit, kur panë se ç’u bë, ikën dhe lajmëruan në qytet e nëpër ara. Edhe dolën të shihnin se ç’u bë; edhe erdhën te Jisui, edhe e gjetën njeriun, prej të cilit kishin dalë demonët, duke ndenjur pranë këmbëve të Jisuit, të veshur e të urtësuar; dhe u frikësuan. U treguan dhe ata që e panë, si shpëtoi i demonizuari. Edhe gjithë turma e vendeve rreth Gadarinëve iu lutën të ikë nga ata, sepse i kishte zënë frikë e madhe; edhe ai hyri në lundër, e u kthye. Edhe njeriu, prej të cilit kishin dalë demonët, i lutej të jetë bashkë me të; po Jisui e lëshoi, duke thënë: Kthehu në shtëpinë tënde, dhe rrëfe sa të bëri Perëndia. Edhe ai shkoi duke shpallur nëpër gjithë qytetin sa i bëri Jisui.