E martë, 24 tetor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Kolosianëve 1:1-3,6-11.

Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, edhe vëllai Timothe, shenjtëve dhe vëllezërve besimtarë në Krishtin që janë në Kolosë; hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht. Falënderoj Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jisu Krisht, duke u lutur përherë për ju, që arriti tek ju, si edhe në gjithë botën; edhe sjell fryte, sikundër edhe në ju, që atë ditë që dëgjuat dhe njohët hirin e Perëndisë me të vërtetë; siç e mësuat dhe nga Epafrai, bashkëshërbyesi ynë i dashur, i cili është për ju shërbëtor besnik i Krishtit; i cili edhe na tregoi dashurinë tuaj në Frymën. Prandaj edhe ne, që atë ditë që dëgjuam, nuk pushojmë duke u lutur për ju, edhe duke kërkuar që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo dituri e urtësi shpirtërore; që të ecni siç është e denjë për Zotin, për t’i pëlqyer atij në të gjitha, duke sjellë fryte në çdo punë të mirë, edhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë; duke u forcuar me çdo lloj fuqie, sipas pushtetit të lavdisë së tij për çdo durim dhe zemërgjerësi me gëzim.

UNGJILLI - Llukai 11:1-10.

Edhe ndodhi që ndërsa ai po lutej në një vend, si pushoi, një nga nxënësit e tij i tha: Zot, mësona të lutemi, si dhe Joani mësoi nxënësit e tij. Edhe ai u tha atyre, kur të luteni, thoni: Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote; u bëftë dëshira jote, si në qiell, ashtu edhe mbi dhe. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot; dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu. Dhe u tha atyre: Cili prej jush, në pastë një mik, dhe të shkojë tek ai në mes të natës, e t’i thotë: Mik, jepmë hua tri bukë, sepse erdhi një miku im prej udhe tek unë, dhe s’kam ç’t’i vë përpara. Edhe ai të përgjigjet që brenda e t’i thotë: Mos më vë në mundim. Dera tani është mbyllur dhe fëmijët e mi janë në shtrat bashkë me mua. S’mund të ngrihem e të t’i jap. Po ju them juve, edhe nëse nuk ngrihet e t’ia japë se është miku i tij, për paturpësinë e tij do të ngrihet e do t’i japë sa i duhen. Edhe unë po ju them: Lypni, edhe do t’ju jepet; kërkoni, edhe do të gjeni; trokitni, edhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që lyp merr; edhe ai që kërkon gjen; edhe atij që troket do t’i hapet.