E shtunë, 28 tetor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Korinthianëve 3:12-18.

Duke pasur pra të tillë shpresë, flasim me shumë guxim; edhe jo si Moisiu që vinte mbulesë mbi fytyrën e tij, që të mos vështronin bijtë e Izraelit fundin e asaj që ishte për t’u prishur. Po mendjet e tyre u verbuan; sepse deri në ditën e sotme po ajo mbulesë në leximin e dhiatës së vjetër mbetet e pazbuluar, sepse mbulesa u hoq me anë të Krishtit. Po deri sot, kur lexohet Moisiu, mbulesë gjendet mbi zemrat e tyre. Po kur të kthehet Izraeli tek Zoti, mbulesa do të hiqet. Dhe Zoti është Fryma; edhe ku është Fryma e Zotit, atje është liri. Por ne të gjithë, duke parë me fytyrë të zbuluar, si në pasqyrë, lavdinë e Zotit, ndërrojmë formën në po atë shembëllesë, nga lavdia në lavdi, si prej Frymës së Zotit.

UNGJILLI - Llukai 9:1-6.

Edhe Jisui, si thirri pranë të dymbëdhjetë nxënësit e tij, u dha fuqi e pushtet mbi gjithë demonët, dhe të shëronin sëmundje. Edhe i dërgoi që të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët. Edhe u tha atyre: Mos mbani gjë udhës, as shkopinj, as trastë, as bukë, as argjend, as të mos keni nga dy palë rroba. Edhe në atë shtëpi që të hyni, qëndroni atje, edhe prej andej dilni. Edhe sa vetave të mos ju presin, kur të dilni prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin prej këmbëve tuaja, për dëshmi kundër tyre. Edhe ata, si dolën, shkonin fshatrave, duke dhënë lajmin e mirë, e duke shëruar kudo.