Takim dhe peligrinazh në Berat

Takim dhe peligrinazh në Berat

Takim dhe peligrinazh i përbashkët mes dy miqësive në “Qytetin e një mijë e një dritareve”

Më datë 19 Nëntor 2016 u zhvillua peligrinazh shpirtëror dhe takim kulturor ndërmjet një perfaqësie të rinisë orthodhokse të Tiranës dhe asaj të Beratit. “Evidentimi i Vlerave, Traditës dhe Pasurisë Orthodhokse të qytetit të Beratit dhe forcimi i miqësisë orthodhokse mes të rinjve të dy grupeve rinore” Zyra e Rinisë Tiranë, nën kujdesin e Episkop Asti, organizoi për një grup perfaqësuesish vullnetarë të rinisë orthodhokse të Tiranës, vizitë në qytetin muzeal 2400 vjecar të Beratit, të njohur si qyteti i një mijë e një dritareve, qytet i kodikëve të famshëm dhe qendra kryesore e zhvillimit të arbërit dhe të Kishës Orthodhokse. Takimi një ditor u vetë-financua nga aktivitetet vullnetare të rinisë orthodhokse të Tiranës. Ata u pritën nga përfaqësues të rinisë së Mirtopolisë së Shenjtë të Beratit nën kujdesin e Dhjak Joanit në Katedralen Shën Dhimitri, e cila lartësohet në qendër të qytetit te Beratit. Te rinjtë u njohën me Katedralen e re të ndërtuar mjeshtërisht, me sipërfaqe totale 527 m2 dhe lartësi 22 m, vend ripërtëritjeje shpirtërore dhe shenjtërimi. Ekspedita kulturore e të rinjve filloi në lagjen Goricë, duke shkelur rrugicat me kalldrëm të punuara nga mjeshtrit beratas. Këto rrugica të kujtojnë poezinë ”Gurëskalitësit e vegjël” që Ismail Kadare ua ka kushtuar mjeshtërave të Beratit. Të rinjve u ranë në sy muret e shtëpive të ndërtuara me gurë të skalitur dhe që shkëlqenin nga bardhësia e gëlqeres. Tradita dhe pasuria e kësaj lagje, gjendet në dy kishat kryesore te saj: Kisha e Shën Thomait dhe Manastiri i Shën Spiridhonit. Në këto kisha gjenden orendi të punuar me mjeshteri nga artistët vendas, tipare kombëtare dhe tradita të pasura kulturore, të trashëguara brez pas brezi. Grupet rinore qëndruan në Kishën e Shën Thomait, e shek XVIII që u shkatërrua gjatë regjimit komunist dhe u rindërtua pas viteve 1990 nën kujdesin e Kyepeshkopit Anastas. Te rinjtë u njohën me traditën e kësaj kishe dhe dëshmi të banoreve të Goricës për mrekullitë e kësaj kishe të pagezuar me emrin e Shenjtit Thoma. Ndalesa e radhës ishte në qendër të lagjes Goricë. Në vazhdimin e linjës së banesave ngrihet Kisha e Shën Spiridhonit. Mbishkrimi në hyrjen e manastirit, daton në vitin 1864 mbi portën e së cilës shkruhet “Atë që vjen, mos e nxirr jashtë ”. Të rinjtë diskutuan në oborrin e manastirit mbi domethënien e saj, mbi dashurinë e krishterë dhe pa paragjykime. Me vlera te çmuara historike janë dy këmbanat e Shën Spiridhonit, të cilat janë po aq të vjetra sa edhe vetë kisha. Të rinjtë pyetën për epitafin e Shën Spiridhonit, i cili ka dimensionet 90 x 40cm dhe është epitafi origjinal i kësaj kishe që nga krijimi i saj. Punimi është bërë në fije ari, në qënder është Krishti i shtrirë, që rethohet nga Shën Maria, Shën Josifi, Shën Gjergji dhe të tjerë. Copa është e veshur me kadife ngjyrë të purpurt. Fatkeqëisht, ty epitaf është vjedhur rreth një javë më parë dhe përbën humbje për pasurinë kombëtare. Të rinjtë u bashkuan në lutje duke kërkuar rikthimin e epitafit kishës që i takon. Aktivitete sociale mes të rinjve u zhvilluan në qendrën rinore në lagjen Mangalem, ku të rinjtë diskutuan dhe drekuan së bashku. Ekspedita vazhdoi me ngjitjen në kishën e Shën Mëhillit në lagjen Mangalem të ndërtuar në anën jugore të kalasë së Beratit, vendosur në një shkëmb të thepisur dhe mes shpellave. Me stil të paster bizantin, kjo kishë i përket shekullit XIII. Kisha është e pikturuar brenda, por afreskat për shkak të kohës nuk dallohen plotësisht. Të rinjtë panë nga afër ikonostasin e kësaj kishe i cili është punuar me gdhendje me madhësi dhe bukuri të rrallë nga dy besimtarë dhe mjeshter të talentuar të punimit të drurit nga lagja Mangalem. Poshte kësaj kishe, buzë rrugës kryesore, ka qënë kisha e madhe e Shën Mërisë, djegur disa here dhe së fundi, në kohen e Luftës italo- greke u prish duke mbetur vetëm rrënoja. Në këtë kishë ka qëndruar lipsani i Shën Nikodhimit, por pas djegies, u vendos ne kishën e Shën Mëhillit. Dita nuk mbaroi me kaq për të rinjtë orthodhoksë, të cilët rezervuan gjysmën e dytë të saj për të zbuluar traditën orthodhokse të fshatit Sinjë, ndër fshatrat e vetëm që pas pushtimit turk nuk pranoi të ndryshojë besimin dhe vuajti peshën e varferise së skajshme për shkak të taksave të rënda osmane. Në një faqe të malit të fshatit Sinjë, ndodhet kisha heremite e Shën Mërisë. Kjo kishë qëndron e mbështetur në terrenin shkëmbor të malit, në njërin nga shpellat. Shpella tjetër afër saj është e gjerë dhe e punuar në pjesën e brendëshme. Kisha dallohet per vlerat arkitektonike. Në faqet e brendëshme të mureve të kishës, viihen re piktura murale dhe mbishkrime bizantine. Të rinjtë qendruan me lutje dhe psalme në kujtim te jetës asketike në kishën e Shën Mërisë së Sinjës. Takimi për Evidentimin e Vlerave, Tradites dhe Pasurise Orthodhokse të qytetit të Beratit u mbyll me tërë këto bekime dhe me besimin e bashkëpunimeve të afërta mes grupeve të tjera rinore të dy qyteteve.