Mirosja e Shenjtë

Mirosja e Shenjtë

Mirosja është një gjithashtu një Mister i themeluar nga Perëndia, siç e shohim të përmendet në shumë vende tek Veprat e Apostujve, Apostujt e kryenin duke vënë duart e tyre mbi kryet e besimtarëve të cilët merrnin në këtë mënyrë Shpirtin e Shenjtë (Veprat 8:17): “Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata merrnin Frymën e Shenjtë” dhe 19:6: “Dhe kur Pavli vuri duart mbi ta, fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan”.

Misteri i Mirosjes kryhet tek ne Orthodhoksët menjëherë pas Pagëzimit. Protestantët e refuzojnë Mirosjen dhe nuk e pranojnë në asnjë mënyrë, ndërsa Katolikët e administrojnë pasi fëmija të ketë mbushur dymbëdhjetë vjeç. Kjo është një tjetër risi plotësisht e huaj për traditën e  Kishës. Sot Krezmimi nuk kryhet më duke vënë duart nga celebruesi i Misterit, por me Miron e Shenjtë. Miroja e Shenjtë përbëhet prej dyzet esencave aromatike që simbolizojmë dhuratat e shumëllojshme të Shpirtit të Shenjtë që i Krishteri i merr pas Pagëzimit të tij. Prifti lyen të gjitha pjesët e trupit të të Krishterit – kokën e tij, kraharorin, brinjët, duart, veshët, këmbët dhe gojën duke thënë: “Vula e Shpirtit të Shenjtë. Amin”. Që do të thotë, se kjo Miro e shenjtëruar është konfirmimi dhe vula që ai që është pagëzuar ka marrë dhuratat dhe dhuntitë shpirtërore (karizëm) të Shpirtit të Shenjtë. Këto fjalë, të thëna nga celebruesi, bazohen tek fjalët e Shën Pavlit që lidhje me këtë vajosje: “Ai që na forcon bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia, i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona” (II Korithianëve 1:21-22). Domethënë, është Perëndia që na forcon për të qëndruar besnik ndaj Krishtit. Dhe Ai e bën këtë me vajimin që Ai kryen tek ne dhe me Shpirtin e Shenjtë që Ai e dhuron tek zemrat tona si një kapar (garanci) dhe premtim që Ai do të përmbush gjithçka që ka premtuar dhe dhuratën e jetës së përjetshme që Ai do të na dhurojë. Gjithashtu fjalët e Ungjillorit Shën Joan: “Dhe ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe dini çdo gjë” (I Joanit 1:20) kanë të bëjnë me këtë Mister.

Dhe për sa i përket qëllimit të këtij Misteri ne duhet të theksojmë:

Pas Pagëzimit të tij, i Krishteri hyn në një jetë të re, siç kemi thënë, në jetën e virtytit dhe shenjtërisë, në jetën sipas Urdhëresave të Perëndisë. Por gjithashtu kemi thënë se edhe pas Pagëzimit, megjithëse mëkati stërgjyshor fshihet, dhe njeriu i vjetër mëkatar dobësohet tej mase, një tendencë dhe nxitje drejt së keqes mbetet: një dobësi e shpirtit që i hap derën mëkatit. Kundër këtyre i Krishteri duhet të luftojë për t’i mposhtur dhe të plotësojë me betejën e tij vetjake rigjenerimin e tij.

Megjithatë, nga vetja e vet, pa hirin dhe fuqinë hyjnore, është e pamundur të ndërmarrësh një betejë të tillë dhe të arrish të mposhtësh njeriun e vjetër dhe mishor. Kështu, Misteri i Mirosjes vjen dhe nëpërmjet vajosjes me Miron e Shenjtë ofron dhuratat e Shpirtit të Shenjtë. Këto dhurata janë fuqi mistike nga njëra anë, dhe të shenjta dhe hyjnore nga ana tjetër. I Krishteri, i armatosur me këto armë të fuqishme, lufton kundër së keqes, del fitimtar dhe arrin në të gjitha fazat e jetës së tij, jetën e virtytshme dhe të pëlqyeshme për Perëndinë. Kjo është domethënia e Krezmimit me Miron e Shenjtë e të pagëzuarit. Ashtu siç na thotë dhe Shën Qirili i Jerusalemit: “Ashtu si Krishti pas Pagëzimit të Tij dhe zbritjes së Shpirtit të Shenjtë u nis për tu ndeshur me kundërshtarin, kështu veprojmë dhe ne, pas Pagëzimit dhe Mirosjes së Shenjtë; të veshur me parzmoren e Shpirtit të Shenjtë përballojmë me sukses sulmet e kundërshtarit”. Në këtë mënyrë me parzmoren e Shpirtit të Shenjtë ne qëndrojmë të patrembur dhe me trimëri përpara fuqisë së keqe që kërkon të na sulmojë dhe ndeshemi kundër saj, dhe ne e mposhtim atë. Ne  mposhtim çdo sulm të së keqes duke thënë bashkë me Shën Pavlin: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më fuqizon” (Filipianëve 4:13).