Njeriu dhe të drejtat e tij… – Krishtlindje 1993

Njeriu dhe të drejtat e tij… – Krishtlindje 1993

“Mister i çuditshëm po kryhet sot! Natyra ripërtërihet dhe Perëndia bëhet njeri.”
I
Për të tretin vit sivjet kremtojmë të lirë Krishtlindjen, pas natës kohëgjatë të pondweeds maniake ateiste. Herodët e këtij vendi përndoqën gjithashtu me mani Jisu Krishtin, madje, besuan se me terrorizmin që ndërmorën, i kishin larë hesapet përfundimisht me Të. Mirëpo, Krishti me Nënën e Tij të Tërëshenjtë, kësaj here gjetën strehë të fshehtë jo në ndonjë vend tjetër, por në shpirtrat e dhe burrave të panumërt të Shqipërisë, duke u falur atyre shpresë, qetësi dhe kryesisht së brendshmi, dinjitetin njerëzor, kur sistemi totalitar e nëpërkëmbte pa mëshirë. Sot, në vendin tonë ka mungesa, nevoja dhe aspirata të shumëllojshme. Por, kryesisht ka dëshirë të zjarrtë për mirësi, bukuri, shpresë dhe humanizëm.
II
E kremtja e madhe e Krishtlindjes vjen me një mënyrë të qetë dhe të thellë, për të na shfaqur çfarë është njeriu, cilat janë të drejtat e tij supreme, cilat janë mundësitë e tij. Mes dhimbjes së frikshme të përplasjeve të përgjakshme, që herë pas here lëndojnë planetin tonë dhe kohët e fundit, drejpërdrejt rajonin tonë dhe që tregojnë se ashpërsia dhe mizoria e njerëzve nuk njohin kufi, është nevojë jetike të vëmë re të vërtetën tjetër të madhe, që na zbulon Ardhja e Krishtit në tokë: se, megjithatë, njeriu është përfundimisht dhe në mënyrë të pakonceptueshme më i madh se ç’ka kujtuar vetë ai.
Zemër e mesazhit të së kremtes së Krishtlindjes është se Fjala-Perëndi vjen midis nesh që të marrë natyrën tonë, ta transformojë njeriun, ta lartësojë, ta shpëtojë nga mëkati, që mposht çdo gjë njerëzore, si kanceri dhe SIDA trupin. “Me të vërtetë i madh është misteri i besimit: Perëndia u shfaq në mish…” (1. Tim. 3:16). Përmbajtjen e mrekullueshme antropologjike të kësaj ngjarjeje e përmbledh Shën Grigori i Nisës: “Fjala që u shfaq, prandaj e bashkoi veten me natyrën e vdekshme njerëzore, që të bashkëhyjnizohet njerëzorja përmes komunikimit me Hyjninë”. Që atëherë, çdo njeri thirret të arrijë në diçka të madhe të pakonceptueshme: Të bashkohet me Krishtin, dhe në Të, me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, të marrë jetën e përjetshme, të eci drejt hyjnizimit. Ky “hyjnizim” nuk nënkup- ton bashkimin e njeriut me Qenien e paafrueshme hyjnore, siç e koncepton panteizmi, por komuni- kim, pjesëmarrje në energjitë e pakrijuara të Perëndisë, përzierje me lavdinë e Tij. Kryhet në Krishtin dhe është dhuratë e Hirit të Tij.
Por, zbulesa e krishterë, duke theksuar se Perëndia i pafund dhe i paafrueshëm mori natyrën njerëzore, nënvizon gjithashtu vlerën e pakufishme të këtij trupi dhe të gjithë krijesës. Besimi i krishterë nuk ka mbështetur një çlirim të frymës e të shpirtit nga vargonjtë e trupit, si filozofi dhe fe të tjera. Materia, kozmosi, janë gjithashtu krijime të Perëndisë së vetëm dhe jo të ndonjë fuqie tjetër. Materia nuk përbën ndonjë substancë që jeton në mënyrë të pavarur nga Krijuesi. Asgjë nuk është e padenjë për Perëndinë, me përjashtim të mëkatit. “Lindje të pakuptueshme kremtojmë sot”, “që përtëriti ligjet e natyrës”.
III
Nën buqetën e ndritshme të këtyre të vërtetave që rrezaton Krishtlindja, mund të rishohim me një mënyrë tjetër veten tonë, njerëzit rreth nesh, botën. Me më shumë realizëm, predispozicion kritik, por edhe me optimizëm. Dhe të shtrojmë disa pyetje që ndihmojnë në një kontroll shpirtëror vetjak. Çfarë bëjmë me veten tonë? Me shpirtin, por edhe me trupin tonë? Kemi vënë re të drejtën më të rëndësishme të tij? Që të jetë në thelb njeri? A i përgjigjemi natyrës sonë më të thellë? Apo lëmë veten si pluhura metalikë të sharrës në dinamizmin e shoqërisë sonë tekno-elektronike? Kohët e fundit kemi zhvilluar domosdoshmë- risht një ndjeshmëri të veçantë për evoluimin tonë të brendshëm, lirinë, drejtësinë. Por çfarë bëhet me evoluimin tonë të brendshëm, lirinë e brend- shme dhe pjekurinë?
Për sa u përket njerëzve rreth nesh, a i shohim me respektin e duhur, si ikona të Perëndisë, në lëvizjen e tyre drejt shëmbëllesës, me durim, tole- rancë, shpresë për zhvillimin e tyre në përgjithësi, pa bërë dallime? Ajo që i jep njeriut tjetër vlerë të pamatë nuk janë origjina e tij, dijet e tij, aftësitë e tij, pamja e tij e jashtme, pasuria, por fakti se është njeri. Krishti, duke marrë natyrën njerëzore, i fali njeriut, çdo figure njerëzore, vlerë të paimagjinueshme. Jisui u përul, që të kujtojë gjithmonë dinjitetin e të përulurve. U përndoq, që të theksojë qendrueshëm dinjitetin e të përndjekurve padrejtësisht. Jetoi varfërisht, që të mos harrohet dinjiteti i të varfërve. Mërgoi, që të kujtojë dinjitetin e të mërguarve. Vuajti, duke u dhënë dinjitet atyre që vuajnë. U mundua kur qe fëmijë, që njerëzit e Tij të mos munden të harrojnë dinjitetin e fëmijëve të gjithë botës.
Me ngjarjen e Trupëzimit i gjithë njeriu si unitet psiko-somatik, fiton një vlerë të papërshkruesh-me dhe e gjithë krijimtaria njerëzore një rëndësi të veçantë. Prandaj, edhe trupi mistik i Krishtit, Kisha e Tij, tregojnë interesim të drejtpërdrejtë për botën e tërë, për çdo gjë që ka lidhje me natyrën dhe jetën njerëzore, për shëndetin, edukimin, artin, politikën, veprimtarinë shoqërore, për të gjitha shprehjet e qytetërimit njerëzor. Prandaj, i krishteri e ka për detyrë kujdesin për botën materiale, e cila ngazëllohet dhe shenjtërohet me ardhjen dhe praninë e Krishtit.
IV
Duke vështruar figurën e Fjalës-Perëndi, që mori trup për ne, duke sjellë ndër mend shembullin e Tij dhe duke thithur fuqi nga komunikimi me Të, të gjithë sa dëshirojmë të jemi të Tijtë, le të gëzojmë dinjitetin hyjnor që na fali, në çdo situatë që të gjendemi. Dinjitetin e brendshëm, që jep besimi, ndershmëria, pastërtia, e vërteta.
Dhe madje, le të mos tregohemi indiferentë për ambientin natyror, sistemin ekologjik brenda të cilit jetojmë. Eshtë koha që të marrë fund shkatërimi i bukurisë së vendit që na fali Perëndia, ndotja e vendbanimeve tona. Njeriu lidhet drejtpërdrejt me natyrën. Çdo krijim, shpirtëror dhe material, me ardhjen e Krishtit në botë, ka rifituar rëndësinë e vet. Dhe meriton respektin dhe kujdesin tonë.
Dhe, para së gjithash, le të respektojmë dhe të mbështesim dinjitetin e njerëzve tanë të afërt dhe të largët. Ku ka padrejtësi, le të bëhemi faktorë drejtësie; ku ka shkelje të të drejtave të njeriut, le t’u gjendemi të shtypurve. Ku ka përplasje, le të bëhemi faktorë paqeje. Ku ka dëshpërim, faktorë shprese. Ku ka skamje, le të nxitojmë me dashuri, me vepra; ku ka vetmi, le të japim një prani dashurie, veçanërisht këto ditë.
Le të urojmë, të festojmë Lindjen e Shpëtimtarit dhe Vitin e Ri me këtë mënyrë: duke kultivuar mundësitë që na fali Fjala e Trupëzuar e Atit. Duke u sjellë me respekt për krijesën dhe duke mbështetur, me fuqinë e Shpirtit, dinjitetin njerëzor kudo dhe kurdoherë.

† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.