E drejta më e madhe e njeriut – Krishtlindje 1996

E drejta më e madhe e njeriut – Krishtlindje 1996

“Perëndia dërgoi të Birin, …që të marrin birësinë.”
(Gal.4: 4-5)
A
Çështja e të drejtave të njeriut vjen me tone të ndryshme në fjalimet dhe në tekstet e epokës sonë. Pothuaj të gjithë i përmendin ato herë pas here, madje edhe ata që nuk i respektojnë në praktikë. Sigurisht, përbën një arritje të madhe shoqërore respektimi i çdo personi njerëzor nga ana e shtetit dhe nga organizmat e ndyshëm të pushtetit. Por, “drita e dijes”, e cila ndrit të kremten e sotme të Krishterimit, vjen të na kujtojë të drejtën njerëzore më të madhe, të panjohur e të pabesueshme për shumë njerëz: Të drejtën që na fali Fjala e mishëruar e Perëndisë, Krishti, që të bëhemi “bij Perëndie”, që të gëzojmë birësimin hyjnor, me të gjitha sa rrjedhin nga kjo dhuratë në jetën e këtushme dhe në të përtejmen.
Natyrisht, tek shumë njerëz kjo e vërtetë, për mundësinë që i është dhënë njeriut nga Perëndia për t’u bërë “bir Perëndie”, me anë të hirit, që të eci me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë në “hyjnizim”, me anë të hirit, duket krejtësisht e pabesueshme. Dhe në të vërtetë është aq i habitshëm, i pakuptueshëm dhe i pakonceptueshëm ky vizion i Ungjillit për qëllimin e ekzistencës sonë, saqë ai duket i pabesueshëm pa besimin e krishterë dhe pa ndriçimin e Perëndisë Triadik. Por, nuk do të thotë se kjo e vërtetë është më pak e sigurt. Fjala e Perën- disë, e cila “u bë mish”, “edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij Perëndie, atyre që besojnë me anë të tij” (Jn. 1:12).
Në një analizë më të thellë, të gjitha të drejtat themelore të njeriut: liria, barazia, dinjiteti, brenda perspektivës së krishterë themelohen në mënyrë më solide, si dhe ekuilibrohen dhe harmonizohen. Biri i Perëndisë mori natyrën e plotë njerëzore, e rilindi atë dhe e hyjnizoi. Birësimi hyjnor është bërë e drejtë e çdo njeriu, e çdo race, pavarësisht nga prejardhja, nga seksi, nga kultura. Kështu, çdo njeri është një person i shenjtë, i krijuar për diçka pakrahasueshmërisht të madhe dhe meriton respekt nga shoqëria e organizuar. Asnjë push- tet, sado fuqi që të ketë, nuk mund t’ia vërë atë në diskutim.
Në skutat e fshehta të njeriut ekziston tendenca për lart, dëshira për të shkuar në lartësi hyjnore. Pikërisht në këtë pikë kritike drama njerëzore arriti kulmin kur njeriu, në mënyrë fodulle, synoi të realizonte kapërcimin e natyrës së tij, hyjnizimin e tij. Një përmbledhje të shkëlqyer poetike të rënies dhe të shpëtimit të njeriut na jep himni i Kishës sonë: “Gjarpri dinak, duke vënë brenda meje dëshirën për t’u bërë i barabartë me Krijuesin, më robëroi. Por me ty, o e Tërëshenjtë, u nxora (nga robëria) dhe me të vertetë u hyjnizova; sepse ti, o Mëmë e Perëndisë, linde Atë që më hyjnizoi”.
Njeriu merr pjesë në jetën e Atij prej të cilit u birësua. Përfundimisht, ne ftohemi për t’u bërë “pjesëtarë të natyrës së Perëndisë” (II Petr. 1.4). Që tani jeta e bijve të Perëndisë është për besimtarët një realitet i prekshëm dhe do të vijë dita kur ky realitet do të përmbushet dhe do të duket përsosmëria e tij (I Jn. 3.1-2).
B
“Perëndia dërgoi të Birin, …që të marrin birësinë”(Gal.4: 4-5).
Por ka edhe një anë tjetër, që duket e pabesueshme dhe e pakuptueshme për arsyen praktike: Se si ne shkojmë drejt këtij qëllimi të birësimit hyjnor, të hyjnizimit me anë të hirit. E kremtja e sotme e Krishtlindjes e sqaron: Me “zbrazjen”, përulësinë, thjeshtësinë dhe pafajësinë. Dhe kjo, natyrisht, mbetet në pamje të parë po aq paradoksale dhe e papranueshme për mentalitetin e kohës sonë, që me mendjemadhësi dhe me interesin e ngushtë vetjak, ndjek ritmin maniak të pangopësisë, të dinakërisë, të shfrytëzimit të të gjithave, njerëzve dhe natyrës.
Krishti i sapolindur në grazhd na fton që të rigjejmë pafajësinë. Në frymëmarrjet e para të Tij këtu në tokë, Atë e ndjek dhembshuria e Mëmës së Tërëkulluar. Përulësia e ndërgjegjshme mbetet rruga e të gjithë luftëtarëve të ndershmëm dhe të painteres të besimit që pandërprerë marrin frymëzim dhe fuqi nga Jisui i përulur, i cili me zbrazjen e Tij dërrmoi mendjemadhësinë, këtë tendencë demoniake, që ndërton fole në thellësi të qenies sonë dhe shkatërron indin shoqëror. Mendjemadhësia, me të gjitha sa e pasojnë, izolon njerëzit në iluzionet e fuqisë dhe në një ashpërsi të padëgjuar. Jisui i përulur dhe i butë u jep marrëdhë- nieve njerëzore dhe shoqërisë një dinamizëm tjetër. I afron njerëzit, u zbulon atyre të drejtën e madhe që të duan dhe të duhen, të marrin pjesë në jetën e dashurisë së Trinisë së Shenjtë.
Jisu Krishti u dha në mënyrë të drejtpërdrejtë titullin e “bijve të Perëndisë” atyre që bëjnë pajtim (Matth. 5:9) dhe atyre që i duan armiqtë dhe “kryejnë vepra të mira” pa interes (Luk. 6:35). Privilegji për të qenë bij Perëndie prej birësimit gjen shprehjen më bindëse kur ne bëhemi faktorë paqeje dhe mirëkuptimi reciprok kudo që të ndodhemi: në mjedisin tonë familjar, në punë, në shoqëri, në vend dhe në rajonin tonë më të gjerë, pavarësisht çdo pozite që të kemi, të madhe ose të vogël, çfarëdo influence që të disponojmë. Por, kryesisht arrin kulmin në dashurinë për ata që nuk na duan, që na bëjnë padrejtësira, që na përndjekin. Dhe, përgjithësisht, në kryerjen e bamirësive pa pretendim ose dëshirë për kompesim “dhe do të jeni bijtë e të Lartit” (Luk. 6:35).
Këto të kremte, që nisin me Krishtlindjen dhe arrijnë kulmin në Epifaninë e Zotit, ndërsa psalin “shfaqjen e misterit”, përbëjnë një ftesë të re për të gjithë ne, që t’i forcojmë të gjitha dhuntitë brenda vetes, për t’i shprehur ato në mënyrë aktive, duke fuqizuar besimin tonë ndaj qëllimit tonë final. Qytetërimi konfuz modern propozon rrugë të ndryshme për lumturinë, për ngjitjen lart që njeriu dëshiron. Narkotikët, rruga më iluzive, mjerisht tërheqin gjithnjë e më shumë të rinj jashtë realitetit, drejt vetëshkatërrimit. Por, ka edhe narkotikë të tjerë të stërholluar – spektaklet e shthurura, marrëdhëniet e paligjshme, praktikat pseudofetare, pasionet e shfrenuara-që joshin dhe çojnë në obligime tragjike dhe në shpërbërje të persona- litetit; si edhe nxitje të tjera të brendshme, të errëta, që çojnë në dhunë, në konflikte për interesa të ngushta personale, në gjakderdhje të paskrupullta dhe në shtazëri të shumëllojshme. E drejta thelbësore e njeriut të lirë nuk është që të kryejë çfarë t’i rastisë, çfarë të dojë, por atë që duhet të dojë për të arritur në destinacionin e tij. Ajo që na zbulon Ungjilli dhe na ndriçon e kremtja e sotme është që të duam, ashtu si Krishti që na fali dhuratën e birësimit, perspektivën e një dashurie pa kufi, e cila kapërcen çdo përshkrim të diturisë njerëzore.
**
Të bekuara qofshin Krishtlindjet e sivjetshme, vëllezër! Të mbushura me dritë, paqe, shpresë, tolerancë dhe mirësi. Sado e ashpër që të duket jeta jonë, le ta mbajmë brenda vetes të gjallë sigurinë, se jemi thirrur për diçka pakrahasueshmërisht të madhe. Na ka birësuar Perëndia i paanë, për t’u bërë bij të Tij me anë të hirit. Eshtë koha të ndërgjegjësohemi për të drejtën më të madhe që na fali Perëndia me anë të trupëzimit të Fjalës së Tij dhe të gjithë Ekonomisë hyjnore që pasoi, Kryqin dhe Ngjalljen e Krishtit.
Brenda kësaj drite të “Diellit të drejtësisë” le të lëvizë jeta jonë, duke ndjekur modelin e Tij, dashurinë e Tij të painteres dhe rrezatimin paqësor që shprehet me mirësi, përulësi, guxim dhe thjeshtësi. Dinjitetin që i dhuroi gjinisë njerëzore Fjala e mishëruar e Perëndisë, le ta gëzojë secili prej nesh personalisht. Dhe le t’i tregojmë të njëjtin respekt kujtdo që do të takojmë gjatë vitit që vjen.
Krishtlindje të gëzuara dhe të bekuara!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.