“Erdhi tek të tijtë dhe të tijtë nuk e pritën.” (Jn.1:11)
A
Sot kremtojmë ardhjen në botë si njeri te birit të Perëndisë së dashurisë. Me manifestime lavdërimi, ngazëllyese. Me urime të përzemërta; ose thjesht, në mënyrë konvecionale, sa për të ruajtur zakonin. Për besimtarët kjo ardhje ishte ngjarja përcaktuese e jetës së njerëzve. Por, paralelisht me pranimin me tërë shpirt të Krishtit, nisi, që nga çasti i parë edhe mospranimi i Tij. Kur lindi në Betlehem, Nëna e Tij e Tërëshenjtë “e vuri atë në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë” (Luk. 2:7). Nuk iu dha një vend i përshtatshëm as në çastin kritik të Lindjes së Tij. Por edhe më pas, gjatë veprimtarisë së Tij publike, drejtuesit e jetës politike, shoqërore dhe fetare E panë gjithashtu si të huaj. Dhe “e urryen si të huaj” Atë, “i cili që kur ishte foshnjë u mënjanua nga bota si i huaj… atë që di të presë të varfrit dhe të huajt”.
“Erdhi tek të tijtë, dhe të tijtë nuk e pranuan”.
Kjo shprehje ka të bëjë kryesisht me popullin hebraik, brenda të cilit lindi Jisui. Por i referohet më gjerë edhe gjithë gjinisë së njerëzve, drejt së cilës erdhi Krishti. Për shumë njerëz, madje edhe për shoqëritë që mbajnë emrin e Tij, Krishti mbetet i Huaji. Qëndrimi ndaj të huajit ndryshon. Herë përcaktohet nga kureshtja dhe herë nga aspirata. Por zakonisht shkakton shqetësim ose dhe frikë; një takim i shkurtër me Të, por për pak, vetëm gjatë festave. Ai mund të vërtetohet i vlefshëm dhe mund të shrytëzohet për plane të ndryshme të interesit vetjak.
Krishti, e për rrjedhojë edhe të dërguarit e Tij, nxënësit e Tij konsekuentë, Kisha e Tij, mbeten të huaj për logjikën e afirmuar të shoqërisë moderne, sepse ngulmojnë të synojnë drejt një realiteti tjetër, që e tejkalon të përditshmen, drejt “mbretërisë së Perëndisë”, sepse rrojnë me ndershmëri, me dashuri të painteres dhe vetëmohim, duke vështruar Kryqin dhe Ngjalljen. Gjëra të huaja këto për shoqëritë që kanë institucionalizuar hipokrizinë, gry- kësinë, dhunën, qejfet dhe egoizmin e shumëllojshëm. Krishti mbetet i huaj në përzgjedhjet e padrejta që përcaktojnë ecurinë e botës në bazë të të ashtuquajtuarave “dogma” të ekonomisë ndërkombëtare, të qëllimshmërisë politike, të diplomacisë, të objektivave të leverdishme të të fuqishmëve të herëpashershëm.
Dhe ky i Huaj është i vetmi që mundet t’u japë bazat dhe kriteret për zgjidhje problemeve komplekse të rruzullit. Ky i Huaj, nga i cili në mënyrë të papërcaktuar kanë frikë shumë njerëz, është i vetmi që mundet të na shpëtojë nga vartësitë e ndryshme robëruese, nga haluçinacionet e çdo lloji, nga vetmia, nga frika e sëmundjes, e dështimit dhe përfundimisht e vdekjes, duke ofruar shpresën dhe dritën e Ngjalljes. Eshtë Ai që na solli tek Ati “me një Shpirt”, që të mos jemi “të huaj dhe të jashtëm” në botë, “por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë” (Efes. 2:19). Eshtë i vetmi i aftë për t’i dhënë kuptim, fuqi dhe paqe jetës njerëzore.
B
“Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij Perëndie, atyre që besojnë me anë të tij” (Jn. 1:12).
Zakonisht, kjo shprehje përkthehet: të gjithë atyre që e pranuan u dha të drejtën për t’u bërë bij të Perëndisë. Por fjala “pushtet” që përdor Ungjillori, zbulon diçka shumë më dinamike. Eshtë fjala për dhënien e hirit, të fuqisë, të “pushtetit”, që lidhet drejtpërdrejt me birësimin nga Krijuesi i vetëm dhe sunduesi i gjithësisë. Të bëhesh bir Perëndie sipas hirit, do të thotë jo mënjanim nga bota, por hyrje në zemrën e kuptimit dhe të ritmit të botës. Nuk të çon në ikje ose dekurajim, por në një prani e veprimtari të përgjegjshme brenda shoqërisë njerëzore, brenda krijesës; me lirshmërinë, seriozitetin, përgjegjshmërinë, predispozitën e sakrificës së bijve të Perëndisë. Eshtë fjala për pushtetin e së vërtetës, drejtësisë, paqes, dashurisë së Kryqit.
Të gjithë sa E pranuan, u bënë kërkues të së vërtetës në të gjitha sferat e jetës, mbartës të së vërtetës në të gjitha shprehjet e jetës shoqërore. Të gjithë sa E pranuan dhe jetuan më Të, mësuan e mundën të kuptojnë se çdo gjë që ekziston, toka, qielli, gjithë qeniet, e tërë krijesa, janë të Tijat. Respekti dhe vëmendja për natyrën shprehin në praktikë mirënjohjen dhe lavdërimin në Emrin e Tij.
Të gjithë sa e ndoqën pas besnikërisht, u bënë faktorë paqeje në të gjitha çastet e jetës së tyre; duke i dhënë ushqim të uriturit, ujë të eturit, duke vizituar të sëmurin dhe të burgosurin, duke i dhënë dinjitet dhe mbështetje të huajit (Matth. 25:35). Duke ofruar fjalën e faljes dhe të pajtimit në periudha krizash shoqërore, duke luftuar për pajtimin e individëve, tërësive shoqërore, grupeve racore dhe popujve. Të gjithë sa u bashkuan me Të, ashtu si Ai, dashuri pa hipokrizi te njerëzit e afërt e të largët, madje edhe tek ata që i përndoqën dhe i urryen.
Po si do ta pranojmë ne esencialisht? Këtu arrin kulmin mesazhi dhe ftesa e festës së sotme. Para së gjithash, duhet që të mënjanojmë paragjykimet për të Huajin e madh, të cilat na i krijuan këndimet e çrregullta dhe teoritë e rreme. Le të mos e parakalojmë prej së largu. Është koha që t’i afrohemi. Të forcojmë vëmendjen tonë ndaj gjërave të mahnitshme që na njofton për botën dhe kuptimin e saj, për jetën dhe vdekjen. Të heshtim me shpresëtari, me vështrim të gjatë para figurës së Tij të papërsëritshme, në misterin perëndinjerëzor të fytyrës së Tij. Mënyra dhe kushti për t’u bërë të Tijtë, mbetet e qartë: “Ata që besojnë në emrin e Tij”. Kërkohet besimi ynë personal. Nuk mjafton prejardhja nga ndonjë familje që dikur besonte. Besim personal do të thotë besueshmëri ndaj Krishtit, “në emrin e Tij”, pra në veçantinë e Tij, në identitetin e Tij, ashtu siç e pohon Kisha, besim tek Fjala e mishëruar, Biri i Perëndisë, Mesia dhe Shpërblyesi.
Në të kundërt, asgjë nuk na largon nga Krishti më shumë se mendjemadhësia jonë, se krekosja e çdo forme për dijet, pasurinë, pozitën shoqërore ose, më e keqja, për gjoja shpresëtarinë tonë. Dhe asgjë nuk na sjell afër Tij më tepër se thjeshtësia, dëlirësia e brendshme dhe pendesa e sinqertë. Vetëm të përulurit në zemër mund t’i afrohen Atij; ata që ndihen të “varfër”, si nga mbështetjet e jashtme, ashtu edhe nga autarkia e tyre. Vetëm ata që në brendësi janë të thjeshtë dhe spontanë si fëmijët, mund të ulen në prehrin e Tij dhe të ndiejnë përqafimin atëror të Tij. Të bëhen bij të Tij.
**
Dhe përsëri në këto Krishtlindje na afrohet në një mënyrë personale Krishti. Aq i njohuri dhe gjithashtu aq i panjohuri për ne. Vjen për të na dhënë mundësinë, hirin, gjithashtu dhe “pushtetin” për t’u bërë bij të Perëndisë së dashurisë. Por, gjithnjë Ai na afrohet duke respektuar plotësisht lirinë tonë.
Le të mos e përballojmë si të huaj – qoftë edhe për mirësjellje. Eshtë i yni; jemi të Tijtë. Vetëm Ai mund të na çlirojë nga mëkati, nga agonia ekzistenciale, nga mënjanimi që shpesh ndiejmë brenda botës, brenda vetë shtëpisë sonë. Le ta presim Atë me besim, duke i hapur tejpërtej dyert e mendjes dhe të zemrës sonë. Vetëm Ai, Biri i Perëndisë së Dashurisë, mund të na falë paqen, shpresën, qëndresën, fuqinë për të falur dhe për të dashur pa interes, pa kufizime.
Gjatë këtyre ditëve të shenjta, le t’i gëzojmë këto dhurata të paçmuara të Jisu Krishtit, të Fjalës së Perëndisë që u bë njeri.
Për shumë vjet, me bekimin e pranisë së Tij.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.