“Tek ai do të shpresojnë kombet.”
(Rom.15:12)
A
Mesazh shprese lëshon në botën tonë të trazuar, në vendin tonë të vuajtur, në zemrën tonë të paqetë, Lindja e Krishtit, që kremtojmë sot. “Do të jetë rrënja e Jeseut dhe ai që do të ngrihet të mbretërojë mbi kombet; tek ai do të shpresojnë kombet”, e kishte profetizuar para shekujve Isaia dhe e përsërit Aposull Pavli. Megjithëse një mori ngjarjesh përhapin shqetësim, ankth dhe shpeshherë dëshpërim, Krishtlindjet, qetësisht, solemnisht, ngulmojnë: Ka shpresë! Ajo nuk bazohet në një optimizëm të papërcaktuar, në premtime njerëzore, por në një Person që erdhi qetësisht dhe përulësisht, i Cili qëndron midis nesh, e që do vijë përsëri me lavdi. Tek i Biri i Perëndisë që u trupëzua, për të cilin psalim: “Shkop nga rrënja e Jeseut je, dhe lule prej asaj, o Krisht, ke çelur prej Hyjlindëses… Erdhe i mishëruar nga grua që kurrë burrë nuk njohu, i patrup dhe Perëndi, lavdi fuqisë Sate, o Zot!”.
Ka shpresë, sepse ardhja e Shpëtimtarit tregon interesimin e drejtpërdrejtë, dashurinë e pakonceptueshme të Perëndisë së gjithëpushtetshëm, të krijuesit të Gjithësisë, për mbarë njerëzimin. Ka Shpresë, sepse Ai që lindi, erdhi për të përuruar mbretërinë e Perëndisë, mbretëri paqeje dhe dashurie. Shpresa e krishterë bazohet në planin shpërblyes të Perëndisë për botën, shtrihet gjer në fund të Historisë, në përmbushjen dhe shpëtimin më Krishtin në fund të botës. Zbulon fuqi dhe mundësi të pafundme, të pakapshme nga logjika e thjeshtë dhe nga përvoja e drejtpërdrejtë.
Para mungesës së rrugëdaljes, brenda sprovave, ne të krishterët, në ditë feste ose të zakonshme, shpresojmë. “Edhe jo vetëm kjo, por edhe mburremi për shtrëngimet, duke ditur se shtrëngimi sjell durim, edhe durimi provë, dhe prova shpresë” (Rom. 5:3-4). Pa injoruar realitetin e ashpër, jetojmë me shpresën, e cila transformon edhe kushtet më tragjike me anën e durimit e ngushëllimit të Shkrimeve (Rom. 15:4). “E madhe fuqia e shpresës te Zoti… sepse shpresa te Perëndia i reformon të gjitha” (Shën Joan Gojarti).
Burim i kësaj shprese është e tërë Ekonomia shpëtuese e Birit të trupëzuar të Perëndisë, nga Grazhdi deri te Kryqi e Ngjallja. Brenda kësaj perspektive të përgjithshme kremton Kisha. Ajo, në një të kremte konkrete, mund të ndriçojë një pikë të veçantë, por, në një varësi të drejtpërdrejtë me gjithë praninë dhe veprën e Perëndinjeriut. Ndaj, shpresa jonë është e pathyeshme dhe e fortë: për ecjen personale – me gjithë privimin, padrejtësinë, përndjekjen direkte ose indirekte; për ecjen e vendit tonë – me gjithë rënien ekonomike, mungesën e sigurisë, ashpërsinë e pashpjegueshme dhe kontradiktat ende të pashëruara. Por, edhe për zhvillimin e rajonit më të gjerë ku jetojmë – me gjithë padrejtësinë dhe manovrat e të fuqishmëve të herëpashershëm në disa vende; por edhe për të ardhmen e njerëzimit – me gjithë spekullimet dhe fodullëkun e të mëdhenjve dhe të vegjëlve.
Shpresë në fitoren përfundimtare të së vërtetës dhe dashurisë. Shpresë që nuk dëshpëron. “Dhe shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Shpirtit të Shenjtë që na është dhënë” (Rom. 5:5). Shpresa jonë mbështetet veçanërisht në dashurinë e paperceptueshme nga mendja, të Perëndisë, me të cilën Shpirti i Shenjtë mbushi zemrat tona; nga e cila asgjë dhe askush nuk mund të na shkëputë. Shpresën e krishterë e shoqërojnë në mënyrë të pandashme gëzimi dhe paqja. Gëzim i qetë dhe i qëndrueshëm, që nuk avullon në zhegun e pikëllimeve. Paqe që mbush zemrën, edhe kur trazirat e jashtme janë në ngritje.
B
Por, që njeriu të marrë mesazhin e shpresës që rrezaton në çdo drejtim e kremtja e Krishtlind- jeve, i duhet “marrësi” i besimit. Dhe problemi i madh në botën moderne është, se në shpirtrat e mijëra njerëzve, marrësit e këtij lloji janë prishur ose funksionojnë me ndërprerje, duke shtrembëruar figurën, zërin dhe kuptimin. Fuqi dhe interesa të shumëllojshme kërkuan të shndërronin këtë shpresë esenciale të Krishtlindjeve në gëzime të vogla të plasticizuara dhe në një ikje të përkohshme romantike.
Mjerisht, bota jonë i kremton Krishtlindjet nga ana e jashtme, ndërsa në fakt, në qendra ku merren vendime kritike, në jetën tonë personale, rrojmë… sikur nuk ka lindur Krishti. Shumë njerëz, thjesht e pranojnë në mënyrë konvencionale, se ka lindur një person i rëndësishëm i historisë njerëzore, por jo Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, Shpërblyesi i botës, siç E adhuron dhe E predikon Kisha. Ndoshta, shumë nuk formulojnë kundërshtime teorike, por në fakt rrojnë sikur të mos ketë lindur Krishti. Në këtë kategori bëjnë pjesë, kryesisht të gjithë ata, që për interesat e tyre shkelin paturpësisht të drejtën e të pambrojturve dhe popuj, ose ata, që për pasurimin e tyre individual, shtyjnë të rinjtë drejt narkotikëve dhe pasioneve të shumëllojshme, dhe persona ose grupe drejt varfërisë dhe mjerimit.
Por, edhe shumë nga ne, vëllezër, që me dashamirësi dëshirojmë që të quhemi të krishterë, shpeshherë sillemi sikur të mos ketë lindur Krishti, Shpëtimtari ynë. Kur, për shembull, humbasim orientimin tonë shpirtëror dhe e lëmë besimin tonë të thyhet; kur bëhemi pre e egoizmit dhe hipokrizisë; kur udhërrëfyes në jetën tonë bëhen doktrina dhe parime të tjera dhe jo fjala e Tij e qartë dhe e kristaltë.
Megjithatë, Kisha vazhdon të shpallë, veçanërisht këto ditë: Krishti, i Biri dhe Fjala e Perëndisë u bë njeri. Ai u lind objektivisht në Historinë njerëzore. Eshtë koha që t’i përgjërohemi që të lindë edhe në zemrën tonë. Ta ndjekim pas me besim. T’i kërkojmë dhuratën e besës. Duke thirrur me dëshirë: “Besoj, Zot, ndihmoi pabesisë sime” (Mark. 9,24). Nëse bëhet kjo, të gjitha të tjerat do të pasojnë. Madje, edhe besën e dridhur dhe dëshirën e mirë i pranon Perëndia dhe na krediton në një vlerë të shumëfishuar. E kremtja e Krishtlind-jeve nxit në një rinovim të besimit, pa zhurmë dhe shtytje kumbuese, me një qetësi medituese.
Por, që ta njohim me të vërtetë dhe të besojmë tek “i Trupëzuari nga Shpirti i Shenjtë dhe Virgjëresha, që u bë njeri”, është i domosdoshëm hiri i Shpirtit të Shenjtë. Vetëm me praninë dhe fuqinë e Tij stabilizohet besimi dhe aktivizohet shpresa në jetën tonë të përditshme.
Lindja e Krishtit mbetet në shekuj ngjarja unikale e shpresës. Jo vetëm për disa të privilegjuar, por për gjithë rruzullin, për gjithë popujt. “Edhe kombet do të shpresojnë në emrin e tij” (Matth. 12:21). “Dhe me Të do të bekohen gjithë fiset e tokës, gjithë kombet do ta lumurojnë Atë… Dhe gjithë toka u mbushtë me lavdinë e Tij” (Psal.71:17-19).
**
Vëllezër, gënjeshtra, ashpërsia dhe padrejtësia e botës, si dallgë oqeani, kërkojnë shpesh të na tërheqin në humnerën e dëshpërimit. Tipi i jetës dhe i marrëdhënieve midis njerëzve e midis popujve, që krijohet brenda kushteve të reja dhe peripecive të globalizimit, i mbush zemrat me shqetësim dhe me frikën e së panjohurës. Në këtë dekor të ri, lindja e Krishtit zbut të gjitha shtrënga-tat dhe i hedh jetës sonë një dritë të fortë. I ofron perspektivë shprese udhëtimit tonë, i jep kuptim jetës, madje edhe vdekjes. Pra, brenda dritës së Krishtlindjeve, dua t’ju uroj të gjithëve diçka të madhe, duke përdorur vargun biblik që shoqëron shprehjen “tek ai shpresojnë kombet”: “Edhe Perëndia i Shpresës ju mbushtë me çdo lloj gëzimi e paqeje me anë të besimit, që të teproni në shpresë me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë” (Rom. 15:13). Ju uroj me gjithë shpirt plot gëzim dhe paqe, bollëk shprese, fuqi të pashtershme qëndrueshmërie dhe krijimtarie “me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë”. Këto le ta mbushin shpirtin tonë, në çfarëdo kushtesh që të rrojmë, edhe gjatë periudhës së festave dhe gjatë vitit që vjen.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
