Respekt dhe bujari për të varfrin – Krishtlindje 2002

Respekt dhe bujari për të varfrin – Krishtlindje 2002

“Ndonëse ishte i pasur, u bë i varfër për ju, që të bëheni ju të pasur me anë të varfërisë së tij.” (II Korinth. 8:9)
A
Krishti i porsalindur është një fëmijë i pastrehë në një vend jomikpritës, me një indiferencë të akullt, me ngrohtësi të vetme njerëzore, butësinë e Nënës së Tij të Shenjtë dhe interesimin plot dhembshuri të Josifit. Në bujtinën ku shkoi për të kërkuar strehë e Tërëshenjta, e sfilitur nga udhëtimi i gjatë, bashkë me mbrojtësin e saj, Josifin e drejtë, nuk u gjet vend për ta. Dhe kur u lind Jisui, “e mbështolli në shpërgënj, dhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë” (Luk. 2:7). Në këtë kuadër të varfërisë së vullnetshme ka lëvizur edhe tërë jeta e Tij në tokë. Ende foshnjë mërgoi për në Egjipt. Vitet e fëmijërisë dhe të rinisë i kaloi duke bërë punë krahu në Nazaret. Në jetën publike, Ai gjendej vazhdimisht duke udhëtuar, “s’kishte ku të mbështeste kryet” (Luk. 9:58). Dhe kulmi ka qenë zhveshja mbi Kryq.
“Ndonëse ishte i pasur, për ne u bë i varfër”.
Kur u bë njeri “Sunduesi dhe Krijuesi i të gjithëve”, mohoi të gjitha sa ne i quajmë pasuri – pará, komoditete, fuqi – duroi sprovat dhe padrejtësitë e jetës në tokë, duke marrë pjesë në dhimbjen e njerëzve. Si parim përcaktues i Tij ishin fjalët e Profetit Isaia për Mesinë: “Shpirti i Zotit është mbi mua, prandaj më leu me vaj; më dërgoi t’u jap lajmin e mirë të varfërve, të shëroj ata që kanë zemrën të thyer,…” (Luk. 4:18). Ai theksoi dinjitetin njerëzor të të varfërve dhe vlerën e tyre të pamohueshme para Perëndisë.
Por Krishti, pranimit të varfërisë nuk i dha një përmbajtje shpëtuese më vete, siç pohojnë disa doktrina fetare indiane. Ai e lidhi me lirinë e brendshme dhe modestinë. Dhe i ftoi të gjithë ata që vuajnë – pra shumicën e njerëzve – që të shkojnë tek Ai, që është “i butë e i përulur në zemër”, për të gjetur prehje në shpirt (Matth. 11:29). Shpalli çlirimin e brendshëm nga të mirat e kësaj bote, qoftë kur njerëzit i kanë ato, qoftë kur janë të privuar dhe i dëshirojnë. Njëkohësisht, Ai stigmatizoi makutërinë dhe mizorinë e të pasurve, padrejtësinë dhe shfrytëzimin e të fuqishmëve.
Shpalli qartë, se pasuria e vërtetë është ajo shpirtërore, liria nga mashtrimi dhe konfuzioni, çlirimi nga pasionet, egoizmi dhe mëkati i shumëllojshëm, dhënia kuptim jetës dhe vdekjes. Theksoi se pasuria e shpirtit përbëhet nga besimi, pajtimi me Perëndinë, nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë që banon te njeriu, i cili imiton Krishtin. Zbuloi se pasuria e vërtetë e njeriut qëndron në dashurinë, e cila e bën atë kungues të jetës së Perëndisë.
B
Në ritmin e shfrenuar të shoqërisë sonë të konsumit, për shumë njerëz edhe vetë festa e Krishtlindjes është kthyer në një festë konsumi, ku sundon akumulimi dhe shijimi i të mirave materiale. Kështu, nuk është e vështirë të vihet re, madje edhe nëpër mjedise të krishtera, një lloj paranoje. Shumë të krishterë admirojnë fjalën dhe veprën e Krishtit, por në praktikë ata adoptojnë mentalitetin se vetëm pasuria ka vlerë. Ndaj dhe konstatojmë se në shumë vende tradicionalisht të krishtera ka një Krishterim me besim të plasaritur, me dashuri të krisur, përfundimisht me vetëdijen e tij të traumatizuar.
Në këtë gjendje, zëri plot ankesë dhe rreptësi i Krishtit të lindur në varfëri, vazhdon të pyesë: “Pse më thërritni, Zot, Zot, dhe nuk bëni sa them?” (Luk. 6:46). Me fjalë dhe vepra iu gjenda pranë të varfërve dhe të përulurve. Këmbëngula në detyrën e solidaritetit ndaj çdo njeriu dhe e shtriva tej çdo kufiri racor apo fetar; ndaj të panjohurit, të huajit dhe ndaj atij që është ndryshe. Kërkova të jeni të dhembshur dhe bujarë ndaj atyre që kanë nevojë. Përcaktova si parim praktik të jetës suaj thënien “gjithë sa të doni, pra, t’ju bëjnë juve njerëzit, kështu u bëni edhe ju atyre” (Matth. 7:12). “Pse më thërritni, Zot, Zot, dhe nuk bëni sa them?”
Bërthama shpirtërore e festës së sotme na fton në një rishqyrtim të kthjellët të sjelljes sonë dhe në një autokritikë ndaj ritmit të jetës sonë. Në një kthesë për një jetë të thjeshtë, që kërkon çlirimin nga gjuetia e shfrenuar për pasuri materiale, kërkesa të fryra dhe komoditete të tepërta.
Ai ndriçon me një mënyrë të veçantë vlerën e çdo njeriu, i cili për arsye të ndryshme rron në skamje. Për të gjithë ne që ndodhemi në kushte të vështira dhe privime, fal paqe, dinjitet dhe besim te Krishti, miku dhe vëllai i të varfërve, për të qëndruar në këmbë para sprovave. Veç kësaj, na nxit të gjithëve – qoftë kur kemi shumë apo pak, për të treguar interes të vërtetë ndaj çdo njeriu që gjendet në nevojë; duke filluar nga mjedisi i lagjes sonë, i vendit tonë, dhe duke e shtrirë më tej fushën e veprimit të mendjes dhe zemrës sonë, për zbutjen e varfërisë kudo në tokë.
Ndërsa në shekullin tonë po krijohet një shoqëri e ndërvarur, problemi bazë është ndërgjegjë- simi për detyrën ndaj të varfërve dhe solidariteti real, brenda qyteteve tona, shteteve tona, madje edhe nga njëri vend tek tjetri, nga njëri fis njerëzor tek tjetri, nga njëri popull tek tjetri. Nuk mundemi më të pretendojmë se nuk e dimë ose nuk na përket neve fakti që miliona fëmijë rrojnë në kushte të mjerueshme, pa ngrohtësinë elementare.Se mbi 800 milionë njerëz si ne vuajnë nga uria, ndërsa 3 miliardë rrojnë me më pak se 2 euro në ditë. Për më tepër, se shumë nga këta lëvizin pranë nesh me të ardhura edhe më të ulëta.
Kritika e rreptë e Vasilit të Madh ruan një aktualitet mahnitës edhe për të pasurit e sotëm, individë apo grupe: “Nëse atë që zhvesh një njeri të veshur mirë e quajmë hajdut, atë që e lë tjetrin zhveshur, ndërkohë që mund t’i ofrojë veshmbathje, a mund ta quajmë ndryshe?” Dhe konkludon: “Domethënë, u bën padrejtësi aq njerëzve, sa do të mund t’i ndihmoje”. Këtë dimension të drejtësisë dhe dinamikën e solidaritetit shoqëror duhet ta shpallë në çdo kohë Kisha e Krishtit, e mbrojtësit të të varfërve, në çdo nivel, lokal, ndërkombëtar, mbarëbotëror.
Në veçanti gjatë këtyre ditëve të Krishtlindjes, Kisha na fton që ta adhurojmë Krishtin, mbrojtësin e të varfërve, “i Cili ishte i pasur dhe për ne u bë i varfër, që të mund të pasurohemi me varfërinë e tij”.
Të gjithë ne, që ndodhemi para sprovës së varfërisë, të ndiejmë se Ai është pranë, për të na falur rezistencë dhe mbrojtje.
Të gjithë ne, që bëjmë jetë komode, t’u japim me gëzim dhe bujari – edhe kur vetë na mungon – atyre që ndodhen në fatkeqësi, afër dhe larg nesh.
T’i afrohemi të gjithë me më shumë besim, që të pasurohemi me thjeshtësinë dhe dashurinë e Tij, me qëllim që të shpëtojmë nga varfëria shpirtërore e mentalitetit të plogësht dhe egocentrist të epokës së sotme.
Krishtlindje të gëzuara, vëllezër! Për shumë vjet dhe i bekuar qoftë Viti i Ri. Me bujari dhe me më shumë përpjekje për të zbutur varfërinë rreth nesh. Duke pasur si objektiv, një shoqëri solidariteti të vërtetë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.