“Krishti u ngjall prej së vdekurish…”
I
URREJTJA E THELLË NJERËZORE, duke përdorur dhunën brutale të pushtetit shtetëror, kërkoi të shfarosë “Birin e njeriut”, Jisu Krishtin, të Papërlyerin dhe të Vërtetin. Armiqtë e Tij e kryqëzuan, siguruan dhe varrin, duke besuar se kështu e kishin hequr qafe përfundimisht. Mirëpo Krishti, duke qenë njëherësh “Biri i njeriut” dhe “Biri i Perëndisë”, tri ditë pas kryqëzimit të Tij, u Ngjall. Dhe mbetet përgjithmonë Zoti i Ngjallur.
Ngjallja përbën vulën që na vërteton se kush është me të vërtetë Jisu Krishti. Gjatë shekujve miliarda njerëz ndërruan jetë. Shumë prej tyre mahnitën me mençurinë apo fuqinë e tyre dhe entuziazmuan popujt. Veçse, përfundimisht, të gjithë iu nënshtruan vdekjes. Ai, që me flijimin e Tij të vullnetshëm mundi vdekjen dhe shkallmoi pushtetin e saj, është Jisu Krishti, Zoti dhe sunduesi i gjithësisë. Me gjakun e Tij të tërëshenjtë na çliroi prej mallkimit të mëkatit, shkaku i vdekjes, dhe na çeli rrugën e jetës së përjetshme. “…atij që na deshi, dhe që na lau nga nga mëkatet tona… atij i qoftë lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin” (Zbulesa 1:5-6).
Mesazh themelor i Kishës nuk është vetëm se Krishti u Ngjall, por se fitorja e Tij ka një rëndësi për tërë gjininë njerëzore, për tërë natyrën njerëzore, të cilën e mori si “Adam i dytë”. Sikurse mosbindja dhe mëkati i Adamit të parë e çoi në vdekje mbarë njerëzimin, ashtu edhe bindja, rrjedhojë e dashurisë, deri në flijim në kryq e Adamit të dytë, e Krishtit, çon në Ngjallje. “Krishti u ngjall prej së vdekurish; u bë pema e parë e atyre që kanë fjetur….Sepse sikurse të gjithë vdesin në Adamin, kështu edhe të gjithë do të marrin jetë në Krishtin” (I Kor. 15:20-22). Me fuqinë e Krishtit të Ngjallur, shkojmë në një jetë të re, të amshuar. Dhe në të hyjmë me pagëzimin dhe me pjesëmarrjen tonë në misteret e Kishës. “Të bashkëkryqëzuar me Të”, bëhemi pjesëmarrës edhe në Ngjalljen e Tij.
II
Edhe në Shqipëri, pas një periudhe të frikshme persekutimi të egër, ku shteti ateist, me di- nakëri dhe pasion, kryqëzoi shpresën te Perëndia dhe te Perëndinjeriu dhe luftoi me tërbim për ta zhdukur përgjithmonë, besimi u ngjall përsëri shkëlqimplotë.
Krishti u Ngjall! Përsërisim dhjetëra herë me llambadhe të ndezura, duke shpallur se kjo siguri e jona ndriçon mendjen, zemrën, vullnetin dhe përcakton jetën tonë shpirtërore dhe rrugën shoqërore. Me këtë besim përpiqemi për krijimin e një shoqërie të re, të çliruar nga iluzionet, nga frika e të një shoqërie që do të respektojë njeriun dhe do t’i ofrojë me të vërtetë të drejta të barabarta dhe shanse të barabarta.
Krishti u Ngjall! Përshëndetja e Tij e parë pas Ngjalljes ishte “Paqe mbi ju” (Jn. 20:19). Përshëndetje kjo, por njëkohësisht porosi dhe përcaktim i detyrimit të përjetshëm të njerëzve të Tij: që të jenë gjithmonë paqësorë, faktorë që do të punojnë për një paqe të ndershme, e cila zhvillohet në dritën e së vërtetës, të drejtësisë dhe lirisë së ndërgjegjes. Dhe sot kur zjarri i luftës vrundullon në zonën tonë, të gjithë ne, duhet të falemi me zell dhe të përpiqemi me nisma pozitive për t’i dhënë fund dhunës, për pajtim dhe për bashkekzistencë paqësore.
Krishti u Ngjall! psal në gjuhë të ndryshme Kisha, duke shpallur me zë të lartë se Ungjilli i Krishtit i drejtohet gjithë botës, hedh ura në mosmarrëveshjet dhe kontradiktat e vjetra, vëllazëron popujt në një shoqëri botërore paqeje, respektimi të ndërsjellë dhe solidariteti.
III
Veçse, pjesëmarrja jonë në gëzimin e Ngjalljes, vëllezër të mi, nuk është mjaftueshme të kufizohet vetëm në urimet e Ngjalljes dhe në zakonet e jashtme të Pashkës, por nga viti në vit kjo pjesëmarrje duhet të bëhet më thelbësore dhe më personale. Nuk mjafton që ta psalim me gojë “Krishti u Ngjall”. Duhet të marrim frymë ngjalljeje dhe të jetojmë me frymë Pashke. Të rrezatojmë Ngjalljen. Jetoj me frymë Pashke do të thotë:
1. Kam besim absolut tek Ai që u bë njeri, te Biri i Perëndisë, i Cili me doktrinën, veprën, flijimin, Ngjalljen e Tij mundi vdekjen dhe forcat demoniake që përhapin kudo frymën e Ferrit, dhe e drejtoi njerëzimin në një hapësirë të re jete.
2. Kushdo që jeton me frymë Pashke drithërohet nga besimi në jetë; nga siguria se jeta është më e fortë se vdekja; se fundi i ekzistencës së njeriut nuk është shuarja e tij, por ngjallja; se punët dhe veprimet tona kanë një rëndësi vendimtare, dhe se jeta njerëzore mbyll në vetvete përjetësi dhe pafundësi.
3. Kushdo që jeton me frymë Pashke rrezaton një dashuri të guximshme. Me Ngjalljen triumfale të Krishtit u përmbysën tinëzitë dhe urrejtja e armiqve të Tij. Por fitorja e Tij nuk kishte asnjë gjurmë hakmarrjeje. Pashka është triumfi i dashurisë. Asnjë hije antipatie ose pakënaqësie nuk i rreziston dritës së saj. Prandaj, në veçanti këto ditë, kisha jonë i fton të gjithë në falje, në pajtim dhe në përqafim të përzemërt dashurie. Kjo ndjenjë e fuqishme e dashurisë i çon të krishterët në vepra të guximshme vetëflijimi, sepse ata e dinë se nuk ka Pashkë pa Kryqëzim dhe se sakrifica e vetvetishme dhe e painteres e lartëson dhe e denjëson njeriun.
4. Kushdo që jeton me frymë Pashke drithërohet nga shpresa dhe ngazëllimi që i përshkojnë gjithë qenien dhe shpërndajnë çdo re melankolie dhe dëshpërimi. Eshtë fjala për një gëzim paqësor, i cili shumëfishohet duke u ofruar. Kushdo që akordohet në ngazëllimin e Pashkës, bëhet edhe vetë bartës shprese dhe optimizmi.
IV
Fryma e Pashkës është dhuratë dhe hir Perëndie. Ngjallja bashkekziston në mënyrë mistike në jetën e kryqëzuar më Krishtin. U dhurohet gjithë atyre që besojnë tek Ai, i cili tha se “Unë jam ngjallja edhe jeta” (Jn. 11:25) dhe përpiqen të jenë të bashkuar me Të. Ky moral ngjalljesor nuk fitohet me anë të përgjithësimit të një feste, formohet nga devotshmëria ndaj të Ngjallurit dhe nga përpjekja për Ta njohur përditë e më tepër me gjithë qenien tonë. Nuk është fjala vetëm për njohjen e një të vërtete historike, por për njohjen e një Personi, Krishtit të Ngjallur dhe të një fuqie, fuqisë së Ngjalljes. “Të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së Tij, dhe pjesëmarrjen e pësimeve të tij, duke u bërë në një formë me vdekjen e tij” (Filip. 3:10). Thelbësorja nuk është që të mësojmë për Krishtin, por ta njohim vetë Krishtin, duke marrë pjesë në dashurinë e Tij të Kryqëzimngjalljes; t’i afrohemi përditë e më tepër dhe, duke vështruar Fytyrën e Tij, të mund të thërrasim si Thomai: “Zoti im dhe Perëndia im” (Jn. 20:28).
Më e rëndësishmja pra që kemi për të uruar këtë Pashkë është të shtohet pandërprerë brenda nesh përjetimi i Ngjalljes dhe të jetojmë gjithmonë me frymë Pashke. Me besim dhe përkush- tim te Zoti i me besim në vlerën e njeriut dhe të jetës; me një ofertë dshurie pa interes; me gatishmëri për flijim, duke transmetuar shpresë dhe paqe kudo që gjendemi.
Krishti u Ngjall! Gëzuar, pra, Pashkën, vëllezër të mi me Ngjalljen gjithmonë brenda nesh!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.