E DIELA E TË LIDHURIT TË DJATHIT

E DIELA E TË LIDHURIT TË DJATHIT

E DIELA E TË LIDHURIT TË DJATHIT
NJË KUSHT I RËNDËSISHËM

“Nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor.”
(Mattheu 6:14)

Që nesër hyjmë në periudhën e Kreshmës së Madhe dhe të Shenjtë, domethënë në një periudhë lufte intensive shpirtërore, pastrimi të brendshëm dhe lartësimi mendor drejt Perëndisë. Prandaj Kisha jonë e shenjtë na fton, në këtë kohë, në një luftë më të dendur kundër armiqve të shpirtit tonë. Ungjilli i sotëm na thekson, midis të tjerave, një armik të fuqishëm që duhet ta luftojmë dhe t’i kundërvëmë mohimin dhe kundërshtimin tonë. Po kush është ai? Është mbajtja e inatit. Çfarë është mbajtja e inatit? Të kujtojë njeriu të keqen që dikush i ka bërë, ta urrejë për këtë dhe mos ta falë, por të përpiqet që të hakmerret ndaj tij. Kjo është mbajtja e inatit. Dhe mbajtja inat është një nga veset më të frikshme që e helmon njeriun, e mban shpirtin të turbulluar dhe e bën fajtor ndaj Perëndisë së Shenjtë. Zoti, me sa thotë sot në Ungjillin e shenjtë, kërkon ta pastrojë shpirtin tonë nga kjo e keqe e madhe dhe vë si kusht faljen e tjetrit nga ana jonë, për të na dhënë edhe Ai ndjesën për mëkatet tona. Na thotë: “Nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor”.
A e di se ç’do të thotë falje? Shlyerje e borxhit tonë ndaj Perëndisë. Shuarje e mëkateve. Grisje e faturës së kësaj llogarie! Me përfundim, qetësimin e ndërgjegjes. Qetësi dhe paqe hyjnore. Ngritje në botë të bukura dhe ideale. Gëzim dhe lumturi e vazhdueshme. Për më tepër, do të thotë zotërim i thesareve të paprekshme nga askush. Dhe e gjithë kjo lumturi dhurohet nga Perëndia me një kusht: Të dëshirojmë t’i ngjajmë të mirit dhe të patëkeqit, Atit tonë qiellor. T’i falim edhe ne të gjithë ata që janë treguar fajtorë ndaj nesh, ashtu sikurse Ai, me shumë dashuri e dhembshuri, na fal ne, që vazhdimisht mëkatojmë ndaj Tij. Por, nëse e shkelim këtë kusht, firmosim dënimin tonë. Ne vetë humbasim nga vetja jonë dhembshurinë e Perëndisë. Dhe, sipas pjesës së dytë të kushtit të lartpërmendur, nëse ju nuk i ndjeni bashkënjerëzit tuaj për fajet e tyre, atëherë as Ati juaj nuk do t’jua falë mëkatet tuaja. Dhe nuk janë as një, as dy apo tre mëkatet tona ndaj Perëndisë. Është një peshë e rëndë e pallogaritshme. Mëkate të vjetra, të reja dhe bashkëkohore, të cilat të gjitha mbeten të pashlyera dhe rëndojnë llogarinë tuaj. Pra, kur nuk i falim të tjerët, dënojmë veten tonë. Ndërsa çdo gjë, që u falim të tjerëve, e fitojmë ne vetë.
***
Dhe cilët janë ata të tjerët?
Për shembull: një komshi, një i afërt, një bashkëmoshatar apo një bashkëbanor, të cilët na kanë dëmtuar, na kanë bërë padrejtësi, kanë shpifur për ne, na kanë ofenduar, na kanë lënduar, duhet t’i falim.
Do ta konsideronim të pamend njeriun, i cili nuk blen diçka që i ofrohet në mënyrë të ligjshme dhe me një çmim të ulët, pothuajse falas. Por shumë nga ne bëjnë një gabim akoma më të madh. Ai që nuk i këmben paratë e tij të pakta me diçka të çmueshme që i ofrohet, të paktën ka në duar paratë e veta të pakta. Kurse ne humbasim një thesar të tërë, faljen e mëkateve tona, duke mbajtur në shpirtin tonë inatin, që është një pasion që na torturon shumë.
“Nuk dua ta fal, edhe pse ndihem shumë keq”, thonë disa. Më ka bërë aq e aq të këqija. Më dëmtoi, më shkatërroi. Më prishi shtëpinë. Dëmtoi fëmijët e mi. Prandaj dhe e urrej. Po, e urrej. Dhe mëria, dhe antipatia nuk strehohen në zemrat tona vetëm për persona të largët por, ndonjëherë, edhe për ata që duhej të ishin njerëzit tanë më të dashur. Prindër dhe fëmijë, vëllezër e motra kanë urrejtje midis tyre, sepse diçka të keqe i kanë bërë njëri-tjetrit. Secilit prej nesh i duket diçka mbinjerëzore të falë tjetrin. Dhe sado të mirë të tregohemi në situata të ndryshme, me vështirësi e dëbojmë antipatinë, me vështirësi e mposhtim urrejtjen, armiqësinë, të cilat na mërzitin, tronditin shtëpitë, shpërbëjnë ndërmarrjet, krijojnë drama shoqërore.
***
Pa dyshim, ai që i bën padrejtësi tjetrit, është fajtor dhe do të japë llogari për veprat e tij para Atit Qiellor. Askush nuk mund t’i japë falje cilitdo fajtori. Për shembull: ata që keqtrajtojnë jetimët, gratë e veja apo tregtarët që tregohen të pabesë me bashkëpunëtorët dhe fqinjët, që hidhërojnë me sjelljen e tyre.
Këtu nuk bëhet fjalë për fajtorët, por për faktin se si ne duhet t’i përballojmë ata. Të bashkëbisedojmë me atë që na ka dëmtuar, t’ia bëjmë të qartë gabimin që ka bërë, të lidhemi me të tjerë persona, që t’i thonë për të ndryshuar sjelljen e tij.
Edhe në qoftë se ai vazhdon rrugën e gabuar, nuk na lejohet të mbajmë mëri dhe antipati në zemrat tona, ndërkohë që kërkojmë nga Perëndia të na ndjejë fajet tona të shumta, sepse si do të guxojmë të themi në lutjen e përditshme: “…dhe falna fajet tona sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë” (Matth 6:12).
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Le ta luftojmë urrejtjen. Është një zjarr që e ndez brenda nesh egoizmi, e ushqen në vazhdimësi djalli, për të mbetur nën varësinë dhe skllavërinë e tij dhe të mos e marrim faljen e Perëndisë. Nëse ndien ligësi dhe urrejtje brenda teje, herët a vonë do ta prishësh zemrën tënde me urrejtjen.
Le ta bëjmë të përshtatshme zemrën tonë që të prehet në të Ai që tha mbi kryq për kryqëzuesit e Tij: “O Atë, fali ata”. Ndryshe, si do mundemi të marrim pjesë në Mbretërinë e Tij? Le ta kundërshtojmë urrejtjen kur shfaqet në zemrat tona dhe le të bëhemi njerëz të dashurisë së vërtetë dhe të zemërgjerësisë.
U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 09.03.2008