E DIELA III E KRESHMËS
(Marku 8:34, 9:1)
KRYQI I KRISHTERIMIT DHE KRYQI I TË KRISHRERIT
“Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij, dhe le të më vijë pas” (v. 8:34).
Sot Kisha jonë, që të na fuqizojë në luftën tonë shpirtërore në këtë periudhë të Kreshmës së Madhe, na paraqet për adhurim Kryqin e Nderuar të Zotit. Këtij ftohemi t’i falemi dhe të kujtojmë kryerjen e veprës së madhe të shpëtimit të botës dhe të dëgjojmë kushtet e shpalljes së Mbretit tonë të madh, Jisu Krishtit.
Janë tri kushte:
1. Vendimi i lirë për t’iu përgjigjur ftesës,
2. Mohimi i vetes sonë dhe
3. Ngritja mbi supe e Kryqit.
***
Ftesa hyjnore tregon sinqeritetin e ftuesit. Nga momenti i parë, kur Ai i fton njerëzit, nuk ua fsheh të vërtetën, as përpiqet që të krijojë një atmosferë të rreme dhe ëndrra mashtruese, siç bëjnë shpesh ata që përpiqen të tërheqin pranë vetes turma njerëzish dhe sidomos të rinjtë. Shumë mashtrues, kur i drejtohen gjindjes, përdorin fjalët më joshëse, shprehjet më fantastike. U flasin gjoja për drejtësi, që nuk është gjë tjetër veçse një padrejtësi e maskuar. Ua mbushin mendjen për një jetë gjoja të lirë, e cila të drejton në skllavëri shpirtërore. U propozojnë ndryshime të institucioneve dhe të vlerave.
Kur Krishti ftoi nxënësit e Tij, u dha këtë porosi: “Më ndiqni mua”. Me të vërtetë, nxënës i Zotit është ai që e ndjek Atë, duke zbatuar detyrën e ngarkuar nga Zoti, për ta pasuar Atë edhe në lavdi. Nxënësi i Krishtit nuk e këshillon Mësuesin e vet, siç veproi Pjetri, duke harruar pozitën e tij, por e ndjek Atë siç e ndjek delja bariun, shërbëtori të zotin, ushtari komandantin, në përputhje me të njëjtin qellim, domethënë lavdinë e Perëndisë.
***
Që nga çasti kur na fton, Zoti na bën të ditur se rruga është me të përpjeta. Nëse, me ndërgjegje të plotë, vendosni të më ndiqni, duhet të mohoni veten tuaj, domethënë të luftoni egon tuaj. Të ndërprisni çdo lidhje me njeriun e vjetër brenda jush, të prishur nga mëkati. Të mohojmë dhe t’i kundërvihemi fuqisë së brendshme që shumë herë na shtyn dhe na nxit drejt së keqes dhe mëkatit.
Gjithçka që bën folé brenda nesh, pasione dhe ligësi, duhet t’i çrrënjosim dhe në vend të tyre të vendosim dashurinë, ndershmërinë dhe sinqeritetin. Madje, nga ata që e ndjekin në mënyrë të lirë, Krishti kërkon që, me besim, shpresë dhe durim të ngrenë Kryqin e tyre. Dhe kjo përbën kushtin e tretë.
***
Ashtu si Krishti vdiq mbi Kryq, që të përmbushte atë që e konsideronte si borxh të Tij, shpëtimin e botës, kështu edhe ne duhet t’i qëndrojmë besnikë kryqit të detyrës sonë. Por cili është borxhi ynë dhe cila është detyra jonë? Borxhi ynë kryesor është që të kryqëzojmë njeriun e vjetër që ekziston brenda nesh, të vrasim pasionet dhe dëshirat mëkatare, që të mund të përsërisim fjalët e apostull Pavlit: “Nuk jetoj më unë, por Krishti jeton brenda meje” (Gal. 2:20). Pra, që të shlyejmě borxhin tonë kryesor ndaj Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, kërkohen shumë sakrifica: që të mbetet dikush i ndershëm,i drejtë, shpresëtar dhe njeridashës, duhet që gjithmonë të jetë i përgatitur të pësojë dëme, mungesë parásh, humbje kohe, mundime, rënie në pozitë etj. I krishteri duhet, gjithashtu, nëse e jep Zoti, të pësojë përndjekje dhe të imitojë Zotin, madje edhe në sakrifikimin e jetës.
Kryqi i detyrës është: për ushtarin mbrojtja e atdheut, për klerikun përkujdesja për grigjën logjike, për mjekun sakrifica për bashkënjerëzit, për gjyqtarin mbrojtja e së drejtës, për mësuesin shkrirja si qiri për të ndriçuar zemrat dhe mendjen e nxënësve të tij.
Kryqi është mënyrë jetese. Nëse do të shikonim dikë të hedhë poshtë dhe të shkelë kryqin, do ta lejonim? Sigurisht jo. Megjithatë, këtë bëjmë. Pse zemërohemi? Sepse nuk mundemi të ngremë kryqin e durimit. Pse rënkojmë nga sëmundja? Sepse nuk mundemi të ngremë Kryqin e dhimbjes. Harruam t’i lutemi Krishtit që të na e ëmbëlsojë dhimbjen, të na zbusë shqetësimin, të na lehtësojë barrën si një “Simon kirineas” tjetër. Harruam fjalët e apostull Pavlit, i cili na thotë: “Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë të barazohen me lavdinë që do të zbulohet ndër ne” (Rom. 8:18). Përse i braktisin shumë të tjerë familjet e tyre? Sepse nuk mund të ngrenë kryqin e martesës. Ekzistojnë dhe dorëheqje më të frikshme nga jeta e Kryqit. Pse shumë nëna e trajtojnë pa keqardhje fëmijën e tyre në thikën e abortit? Sepse nuk mund të ngrenë kryqin e lindjes së fëmijës.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Kisha jonë, që të na frymëzojë dhe të na japë fuqi, që me tolerancë të pranojmë dhe të mbajmë kryqin e detyrës dhe të dhimbjes, na paraqet të gjithëve ne sot Kryqin triumfal të Shpëtimtarit tonë. Le t’i afrohemi dhe le t’i falemi me shpresëtari. Me buzë dhe me zemër le t’i lutemi me këto fjalë: “O Kryq i shumëshenjtë, mbështetja e Kishës sonë, mburrja e besimit tonë. Një herë dru çnderimi e vdekjeje dhe tani dru i lavdisë e i jetës, mjet tri herë i lumtur i shpëtimit tonë, ndihmona që zemra jonë të mbërthehet te Krishti ashtu siç Krishti u mbërthye mbi ty”.
U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 30.03.2008