“Besoj, o Zot… ndihi pabesisë sime”
E Diela e 4-t e Kreshmës
(Mark. 9:17-31)
Një atmosferë tragjike mbizotëron në ngjarjet e perikopesë së sotme ungjillore. Një fëmijë fatkeq është rob i një pushtimi mizor; i pushtetit të demonit. Ai është shkatërruar krejt, shpirtërisht dhe trupërisht. Ata që i rrinë pranë dhe dëshmojnë tragjedinë e tij janë të pafuqishëm për ta ndihmuar. Madje gjërat janë edhe më keq: Për shkak të pabesisë së tyre, ata janë kthyer në pengesë të çlirimit të tij nga fryma e keqe. Në këtë botë, që nuk beson, bëjnë pjesë jo vetëm armiqtë e Jisuit, skribët e farisenjtë, por edhe nxënësit e Tij dhe ata që janë direkt të interesuar për fëmijën e torturuar, pra babai i fëmijës. Mosbesimin ndaj fuqisë së Krishtit dhe efektshmërisë së kësaj fuqie kundër demonit, e shpreh në mënyrë mjaft të qartë dialogu me të atin e djalit:
“Sa kohë ka që i ngjet kjo?”- e pyet Jisui, ndërsa djali po përpëlitej e përplasej përdhe i dërrmuar prej demonit, duke nxjerrë shkumë nga goja. “Qëkurse ishte djalë i vogël”, ishte përgjigjja. “Edhe shumë herë e hodhi edhe në zjarr dhe në ujëra, që ta humbasë; po nëse mund të bësh gjë, le të të vijë keq për ne dhe ndihmona…”. Së bashku me dëshpërimin që plagoste zemrën e tij, dyshimi poi lëkundte edhe mendimin.
Fëmijë fatkeq, baba fatkeq. Mungesë shëndeti, mungesë besimi; pafuqia e apostujve për ta ndihmuar – edhe pse pak më parë kishin marrë dhuratën “për të nxjerrë demonë”. Dhe në çastin që Krishti shkon për ta shëruar, fëmija rrëzohet përtokë “si i vdekur”.
2. “Nëse mund të besosh…”
Por edhe brenda kësaj atmosfere të zymtë, lindi një shpresë, si agimi pas kulmit më të errët të natës. Brenda kësaj fatkeqësie qëndron edhe një mundësi për t’u çliruar.
a) Nga “brezi i pabesë dhe i shtrembër” (Matth. 17:17) buron besimi. “Besoj, o Zot. Ndihmoji pabesisë sime”.
b) Brenda përkushtimit anemik të nxënësve, i pamundur për të sjellë rezultate, fshihet një shpresë. Më vonë, këta nxënës të pafuqishëm, apostujt, me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, do ta transformojnë tërë botën.
Çelësi i këtij ndryshimi të mrekullueshëm është Zoti. Ai qorton, por nuk e braktis as këtë brez në dëshpërimin e tij.
a) U thotë gjënë më vendimtare: “nëse mund të besosh…”. Problemi nuk qëndron nëse unë mund të shëroj, por nëse t’i mundesh ose jo që të besosh. Çelësi është besimi, i ndërgjegjshëm, personal, në plotfuqishmërinë e Perëndisë. Ky besim duhet të forcohet.
b) U jep mundësinë nxënësve të bëjnë të paktën atë që munden: “Silleni atë tek unë”. U zbulon se “ky farë kombi nuk mund të dalë me gjë tjetër, veçse me falje e me agjërim”.
Ky fakt, na jep një mesazh gjallërues shprese. Djalli mund të luftohet, të mposhtet dhe do të mposhtet.
3. Këto mesazhe projektohen më tej në ditët tona
Sot vërejmë:
• Ndikim dhe shpesh zotërim nga djalli.
• Mani shkatërrimi, histeri padrejtësie.
• Fatkeqësi dhe pabesi nga populli.
• Pafuqi e shumë pasuesve të apostujve për t’u përballur me fuqitë demoniake.
Krishti “i njëjti dje dhe sot”, vazhdon të na qortojë, të na udhëheqë, të shërojë me fuqi. Dhe Kisha si Trup i Krishtit, shpall të vërtetën, udhëheq, fuqizon.
Sot Krishti na thotë përsëri: “O brez i pabesë dhe i shtrembër”. Por, jo që të na braktisë në dëshpërimin tonë, por që të na mbushë plot me shpresë. Të fuqizojë atë pak mirësi që buron nga brenda nesh. Ta mbështesë, të bëjë mrekullinë, me gjithë besimin tonë të paktë, të na përcaktojë se çfarë duhet të kemi kujdes: “ky farë kombi s’mund të dalë me tjetër gjë, veçse me falje e me agjërim”.
4. Për t’u çliruar nga tirania e djallit, kërkohen këto gjëra:
a) Besim – Ne njerëzit jemi shpesh përzierje e besimit dhe e pabesisë. “Besoj, o Zot, ndihmoje pabesinë time”. Kjo është një nga thirrjet më të vërteta. “Ku je, o Zot?”, pyet njeriu i dëshpëruar. “Brenda thirrjes sate”- i përgjigjet Perëndia.
b) Lutje – Me thjeshtësi, me nxehtësi shpirti. Kungim i vazhdueshëm me Atë.
c) Kreshmë – Vigjilim dhe asketizëm; vetëpërmbajtje në gojë, në sy, madje edhe në dëshirat tona të ligjshme.
Veçanërisht gjatë kësaj periudhe të Kreshmës së Madhe, përpjekja e Kishës ka si qëllim të na ruajë të lirë së brendshmi.
Dhe perikopeja ungjillore mbyllet me këto fjalë: “Biri i njeriut u dorëzohet njerëzve dhe ata do ta vrasin (një profeci tragjike), “dhe të tretën ditë do të ngjallet” (i siguron nxënësit duke u dhënë shpresë dhe fuqi për fitore).
Rryma e fuqisë mirëbërëse dhe të tërëfuqishme të Perëndisë, vëllezërit e mi, është realitet. Por linja, që të mbërrijë edhe në jetën tonë, nuk është gjithnjë e hapur. Çelësi gjendet në zemrën tonë- shpesh i mbyllur! Është i kthyer në opsionin “Nëse”. “Krishti im, nëse mundesh…!”, pëshpëritim me mosbesim. Përgjigjja mbetet e njëjtë, tani e veshur me autoritetin e mijëra e mijëra mrekullive: “Nëse mund të besosh, të gjitha janë të mundura për atë që beson”.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)