E DIELA IV E KRESHMËS
(Marku 9:17-31)
QË TË SHPËTONI FËMIJËT TUAJ
“Silleni atë tek unë” (v. 19).
Në Ungjillin e shenjtë të sotëm, një baba fatkeq sjell fëmijën e tij të sëmurë te Krishti dhe me lot i lutet që ta shërojë. Me fjalë që plasaritin çdo zemër njeriu, përshkruan dramën e tij. Djali kishte frymë të pagojë e të shurdhër. Sa herë pushtohej prej saj, binte në tokë, shkumëzohej, kërciste dhëmbët dhe mpihej si i vdekur. Jeta e tij ishte martirike. Që në fëmijëri torturohej nga demoni. Shpresa e tij e vetme ishte Krishti, prandaj e solli të birin dhe u përgjërua. Jisui, pasi më parë provoi besimin e tij, me fjalën e tij të gjithëpushtetshme “qortoi frymën e ndyrë” (v. 25), çliroi të riun nga fryma tiranizuese dhe e dorëzoi tek i ati të shëruar.
I
Prindër të pafe
Është për t’u theksuar pyetja e Zotit, drejtuar babait të djalit të demonizuar, para se ta shëronte: “Sa kohë ka që është kështu?” dhe ai u përgjigj: “Që në fëmijëri” (v. 21), domethënë që kur ishte fëmijë ishte i demonizuar. Kjo pyetje e Zotit u bë jo se nuk e dinte se që kur ishte i demonizuar djali, por më tepër si sqarim i: “Edhe sa kohë do të jem me ju” (v. 21). Pasi prej dy vjetësh Zoti gjendej midis tyre dhe, rrjedhimisht, që atëherë duhej që babai i të riut të vinte te Zoti, por mungesa e besimit e pengonte.
***
Pikërisht, ashtu siç edhe prindërit e sotëm shohin fëmijët e tyre të priren fuqishëm drejt së keqes që të vegjël, megjithatë nuk e konsiderojnë këtë të mjaftueshme për t’u interesuar menjëherë për ta, as përikin te Krishti me besim, që t’i shërojë edhe ata, edhe fëmijët e tyre, por lejojnë që e keqja të bëhet shumë e madhe dhe t’i transformojë fëmijët e tyre në kufoma morale dhe rrënoja shpirtërore.
Fatkeqësisht, rasti i këtij prindi nuk është i veçuar. Prindër të ftohtë, të pafe dhe të pabesë, nuk kanë munguar në asnjë epokë. Shumë ekzistojnë edhe sot mes nesh. Janë dhe qëndrojnë indiferentë ndaj çdo gjëje fetare. Harrojnë Perëndinë dhe jetojnë si të mos ekzistojë. Natyrisht, mbeten jashtë hirit të Kishës. Vetëm ndonjë përkujtimore, ndonjë martesë apo pagëzim i detyron, për arsye shoqërore, të vijnë në kishë. Lutja, misteret e shenjta të Kishës, Shkrimi i Shenjtë, është vend i panjohur dhe botë e paeksploruar. Duke u marrë me mate- rialet e tokësoret dhe çështje të tyre të ndryshme, nuk kanë rast për asgjë të lartë dhe shpirtërore. Dheu, balta, materia, të tashmet, janë boshti rreth së cilës rrotullohet jeta e tyre.
Nuk është aspak paradoksale se të pafe dhe të pabesë apo prindër të vakët, nuk transmetojnë te fëmijët e tyre asgjë fetare. Kujdesen vetëm për ushqimin, veshjen, arsimimin e tyre. Por, për edukimin fetar, asgjë. Për kultivimin e shpirtit të fëmijës, zero. Për edukimin dhe këshillimin më Zotin, asgjë. Pas kësaj, çfarë të bëjnë fëmijët? Bëhen edhe ata të pafe, indiferentë, të ftohtë fetarisht. Frytet janë sipas pemës nga e cila vijnë. Përjashtimet nuk prapësojnë rregullin. Pra, kanë faj apo jo prindërit për zhvillimin e mëpasshëm të fëmijëve të tyre? Sepse fëmija i prindërve të tillë do të zhvillohet në mënyrën më të keqe të mundshme. Duke qenë se nuk sheh shembuj virtyti, jete të krishterë, frikë Perëndie, shpresëtarie, nga prindërit e tij, çfarë do të bëjë fëmija? Do të ketë lidhje me shoqëri të rastit, do të bëjë gjëra të ndaluara, do të bëhet preja e djallit, i cili kërkon viktima. Katandisjen tragjike e pamë në ngjarjen e Ungjillit.
II
Fëmijët tanë te Krishti
Çfarë duhet të bëjmë që të shpëtojmë fëmijët tanë? Mrekullia e shërimit të djalit të sëmurë është përgjigjja për pyetjen tonë. Vetëm Krishti e zgjidhi dramën e tij. Gjithë të tjerët, tek të cilët ishin drejtuar, nuk mundën të bënin asgjë. Krishti i përgatit të gjitha. Kjo ngjarje është shumë e rëndësishme. Krishti i zgjidh të gjitha problemet, që ne kemi vështirësi akoma edhe për t’i parë.
Problemi i edukimit të fëmijëve tanë është ndër problemet më të mëdha të jetës sonë. Pa edukim të mirë të fëmijëve, të gjitha janë të shtrembra. Kisha, shteti, shoqëria, të gjitha çalojnë. Edukimi i vërtetë jepet nga Krishti. Njeriu është mister dhe edukohet brenda në misteret e Kishës. Sistemet pedagogjike, që nuk kanë edukatë qendrore të krishterë, dështojnë. Çdo edukim i saktë kalon nga misteret e Kishës. Ato kanë fuqinë të transformojnë thellësinë e qenies njerëzore. Edukimi i njeriut, nëse nuk fillon nga rrënjët e tij, nga natyra e tij, nuk mund ta transformojë njeriun. Nga Pagëzimi deri te Kungata e Shenjtë, Kisha jonë na transformon ontologjikisht, qenësisht. Edukim të tillë duam sot. Paralelisht me formimin shkencor, teknologjik, teorik dhe praktik të fëmijëve tanë, duhet t’u japim edhe formimin shpirtëror, mistik, me qendër Krishtin. Drita e Krishtit është shpresa e vetme që të shpëtojnë fëmijët tanë. Kryetari i çdo familjeje duhet të jetë Krishti, vullneti i tij i shenjtë. Vetëm kështu do të mbretërojë në gjirin e saj dashuria dhe paqja, dhe filizat e saj të rinj do të marrin formimin e duhur që të bëhen edhe ata shtylla të zgjedhura të Kishës dhe trashëgimtarë të mbretërisë qiellore. Le t’i drejtojmë fëmijët tanë te Krishti, siç veproi babai në Ungjillin e sotëm. Tu mësojmë lutjen dhe dashurinë për Të. Të mbjellim në shpirtin e tyre të njomë e të butë, shpresëtarinë, frikën hyjnore, qashtërsinë e sinqeritetin dhe çdo virtyt. Le t’u flasim për Krishtin, kryesisht me shembullin tonë. Le t’i frymëzojmë me frymën e Krishtit. Le të lutemi më shumë për ta. Paralelisht, le të tregojmë dhembshuri e tolerancë. Le të mos jemi egoistë përkundrejt tyre, le të bëhemi të përulur dhe të komunikueshëm.
***
Prindër, që keni ankth për fatin e fëmijëve tuaj,
Para se të vajtoni vdekjen e tyre shpirtërore, drejtojini, që në moshë të re, në kishë, jo duke i detyruar, por me bindje dhe, mbi të gjitha, me shembullin tuaj. Themeloni në shpirtin e tyre Tempullin e Perëndisë dhe të jeni të sigurt, se asnjë stuhi nuk do të mund ta rrëzojë, “sepse kishte themel në shkëmb” (Matth. 7:24) “Dhe shkëmbi është Krishti” (1 Kor. 10:4).
U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 29.03.2009