E DIELA V E KRESHMËS

E DIELA V E KRESHMËS

E DIELA V E KRESHMËS

SAKRIFICA E ZOTIT PËR NE DHE QËNDRIMI YNË NDAJ SAJ
“Se ja tek po ngjitemi në Jerusalem, dhe i Biri i njeriut do të dorëzohet… dhe do ta vrasin, dhe në të tretën ditë do të ngjallet.”
(Marku 10:33)

Jisui gjendet tashmë në prag të pësimeve të Tij. Fundi í misionit të Tij në tokë po afrohet. Për tre vjet nuk ndaloi së predikuari dhe së këshilluari, me një dashuri tronditëse, popullin izraelit. Udhëton nëpër të gjitha qytetet. Shëron të sëmurët. Bën mrekullira, që tregojnë qartë prejardhjen e Tij hyjnore. Thotë fjalë jete, që nuk janë dëgjuar ndonjëherë deri tani. Populli e vëzhgon i habitur. Shumë e besojnë se është Biri i Perëndisë.
***
Por, në zemrat e mësuesve të popullit, të shkruesve dhe farisenjve ndizet urrejtja kërcënuese kundër Tij. Kërkojnë të gjejnë rastin për ta zhdukur. E kanë zili, sepse njerëzit e thjeshtë i tregojnë dashuri dhe mirëbesim. Duan që vetëm ata të jenë objekti i dashurisë së popullit. Mendojnë, pra, jashtë logjikës, mendja e tyre turbullohet nga smira. Duan ta hedhin Jisuin në përbuzjen e popullit dhe komploti i tyre e ka hartuar planin e tyre të errët.
***
Jisui, si zemërnjohës, i di të gjitha dhe i parapërgatit nxënësit e Tij që të mos e përballojnë të papërgatitur këtë provë shumë të madhe, duke parë Mësuesin e tyre të arrestuar dhe të kryqëzuar. Shpëtimtari, që të zbusë hidhërimin e madh të nxënësve, paralajmëron Ngjalljen e Tij. Pjetri, i tronditur nga këto fjalë që u shfaqi Mësuesi, e mori mënjanë dhe filloi me nga gjallëri t’i propozojë e t’i thotë:
“Perëndia të ruajttë, o Zot, nga këto gjëra të frikshme që na the se do të ndodhin, nuk duhet të të ndodhin këto”.
Jisui u kthye përnjëherë nga Pjetri dhe i tha:
“Ik prej meje, Satana. Më tregohesh pengesë në veprën time për shpëtimin. Sepse nuk mendon dhe nuk pranon atë që i pëlqen Perëndisë, por atë që u pëlqen njerëzve” (Matth. 16:22-23).
Shën Vasili i Selefkisë, duke marrë parasysh këtë dialog midis Pjetrit dhe Zotit, komenton si më poshtë:
“Çfarë thua, o Kryezot, si përmend Kryqin dhe flet për pësimet? Do të guxojë vdekja të të sulmojë, kur as Ferri nuk e duroi zërin? Në çudinë e mëparshme thirre djalin e vdekur të së vesë dhe vdekja u largua, duke mos pasur mundësi ta drejtonte akoma dhe deri në varr. Si, pra, do ta pranojë vdekja atë që po i trembet? Lëri këto fjalë, o Kryezot. Ilia e kapërceu vdekjen, Enohu u transferua, duke iu shmangur Hadhit, dhe si Krishti do t’i nënshtrohet vdekjes?” Dhe, duke vazhduar shën Vasili, i jep fjalën Zotit Krisht: “Çfarë thua, Pjetër? Pengon vdekjen? Nuk synon, pra, Ngjalljen? Pengon Kryqin? Si do të arrihet fitorja? Të mos bëhen pësimet? Si do të vijë apatia? Të mos e mbërthej trupin tim mbi dru? Si do të griset, pra, dorëshkrimi i mëkateve, i cili u shkrua nëpërmjet drurit? Të mos ngjitem në lartësinë e Kryqit? Si, pra, do të triumfojë kundër djallit? T’i shmangem varrimit? Si do të shfuqizohen varret? Të mos zbres tek të vdekurit? Si, pra, do ta lidh Hadhin? Si do t’u dhuroj çlirimin atyre që janë të lidhur me vargonj të hekurt? T’i shmangem Kryqit? Si, pra, do t’i shëroj plagët e Adamit? Si do të shërohet, ndryshe, shkelja e të parëgatuarve? Pa dashje, o Pjetër, po përkrah djallin. T’i shmangem vdekjes? Si, pra, do të përmbushen profecitë?”
***
Megjithëkëtë, Zoti Krisht përgatitet të sakrifikohet për ne, të ngjitet në kryqin e turpit, që të na lirojë nga dënimi i mëkatit; por njerëzit e epokës sonë, me shpirtin e tyre të humbur brenda përkujdesjeve tokësore, nuk mund të tronditen nga sakrifica, nuk ia arrijnë të ecin bashkë me Krishtin, të hyjnë në Jerusalem, të lagin nga agonia dhe djersa ballin e tyre në kopshtin e Gjethsemanisë, të pranojnë shuplaka, të pështyra, tallje, të mbajnë kurorë me gjemba, të ngrenë Kryqin e tyre qetësisht dhe me durim të kryqëzohen, që të mund të ngjallen.
Shikojmë njerëzit e kohës sonë të shmangen nga kanoni i gjaktë i dashurisë dhe të mos kërkojnë gjë tjetër, përveç kënaqësisë së tyre, madje edhe kur janë të krishterë. Harrojnë realitetin e madh të Pësimit hyjnor, i cili që nga nesër na fton të marrim pjesë shpirtërisht.

Një shkrimtar i shquar komenton: “Se duhej të vdiste nga një vdekje e pandershme, Jisui e dinte prej shumë kohësh. Ishte shpërblimi që i takonte dhe askush nuk do t’ia heqë. Ai që shpëton, është i gatshëm të humbasë. Kush shpërblen të tjerët, është nevoja të paguajë me veten e tij, domethënë me vlerën e vetme të tij, që realisht është e tij dhe i përmban të gjitha vlerat e tjera. Kush do armiqtë e tij, është e drejtë ta urrejnë, madje edhe miqtë e tij. Ai që sjell shpëtimin në të gjithë popujt, duhet të vritet nga populli i tij. Ai që ofron jetë, është i denjë të pranojë vdekjen”.
***
“Meqenëse Zoti pranoi të vdesë për mëkatet tona, është e drejtë që të presë nga të tijtë të sakrifikohen që të shpëtojnë dhe shpirtrat e tyre, dhe shpirtrat e të tjerëve. Por cili i krishterë do sot të sakrifikohet? Nëse sot brenda kishave do të dëgjohej një ftesë e tillë, të krishterët më të shumtë do të mpiheshin, thotë një shkrimtar tjetër i shquar dhe vazhdon: Zëri i vërtetë i Kishës është zëri i martirizimit, i vetëmohimit, i përkushtimit të njeriut te Perëndia. Dhe mundet, sigurisht, që shpirtrat të jenë të narkotizuar; ndërgjegjet e krishtera, të cilave Zoti u la si trashëgim agoninë e Gjethsemanisë, të jenë në gjumë, por ftesa është e hapur. Krishterimin Zoti e ka vulosur me gjakun e Tij dhe jo me mirëqenien tonë borgjeze. Dhe këtë gjak, miku i bindur i Krishtit e derdh në mënyrë mistike, në çdo kohë, në të gjitha situatat, sepse jeton, ndriçohet dhe ushqehet nga shembulli i Atij.”
Shën Nikodhimi i Malit të Shenjtë na këshillon: “Të kesh gjithmonë një dëshirë të gjallë që në çdo gjë t’i shërbesh Perëndisë. Dhe, që të ndezësh këtë dëshirë, të mendohesh mirë, se asnjë shërbim dhe asnjë nderim ndaj Perëndisë nga ana jote nuk barazohet me dashurinë dhe lavdinë që i përket.
Zoti Krisht, që të të shërbejë ty, u torturua dhe u mundua per tridhjetetre vjet, mjekoi dhe shëroi plagët e tua të qelbezuara, që ishin të helmuara nga ligësia e mëkatit. Jo me vaj dhe me verë, por me gjakun e shumëçmuar që rrodhi nga venat e Tij të tërëshenjta.
***
Vellezerit e mi të dashur më Krishtin,
Sa dëshirojmë të ngjitemi bashkë me Jisuin në Jerusalem, nuk ka tjetër mënyrë, përveç rrugës së këmbënguljes në zbatimin e detyrës, rrugës së hidhërimeve. Edhe pse në shikim të parë kjo rrugë duket me të përpjeta, e vështirë dhe e thepisur. Nxënësit e vërtetë e ndjekin Jisuin me kryqin mbi supe. Do të hyjnë bashkë me Të në varr, duke pasur brenda tyre të pashuar dritën e ngazëllueshme të Ngjalljes. Kjo dritë do të na ndriçojë rrugën drejt gëzimit dhe lumturisë në Mbretërinë e Qiejve.
U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 13.04.2008