Ju përshëndet Aristarku, shoku im i burgut, edhe Marku, i nipi i Barnabës, për të cilin morët porosi; në ardhtë tek ju, mirëpriteni; edhe Jisui i quajtur Just, të cilët janë nga rrethprerja. Vetëm këta janë bashkëpunëtorë të mi në mbretërinë e Perëndisë, të cilët u bënë tek unë ngushëllim.
Ju përshëndet Epafrai që është prej jush, shërbëtor i Krishtit, i cili përpiqet për ju gjithnjë në lutje, që të qëndroni të përsosur dhe të plotësuar në çdo dëshirë të Perëndisë. Sepse unë dëshmoj për atë, se ka shumë zell për ju edhe për ata që janë në Laodiki, edhe për ata që janë në Hierapol.
Ju përshëndet Llukai, mjeku i dashur, edhe Dhimai.
Përshëndetni vëllezërit që janë në Laodiki, edhe Nimfain dhe kishën që është në shtëpinë e tij. Edhe si të lexohet letra tek ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e Laodikeasve, që të lexoni edhe ju atë që do t’ju dërgohet nga Laodikia. Edhe thuajini Arkipit: Ki kujdes në shërbesën që more në Zotin, që ta përmbushësh atë.
Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Pavlit. Kujtoni vargonjtë e mi.
Hiri qoftë bashkë me ju. Amin.
Atë ditë erdhën disa Farisenj, duke i thënë atij: Dil e ik së këtejmi, sepse Herodi do që të të vrasë. Edhe ai u tha atyre: Shkoni e i thoni kësaj dhelpre: Ja tek nxjerr demonë dhe bëj shërime sot e nesër, edhe të tretën ditë do të mbaroj. Por unë duhet të rri sot e nesër dhe ditën tjetër të shkoj; sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit.
Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët dhe godet me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë kam dashur të mbledh bijtë e tu, ashtu si klloçka zogjtë e saj nën krahë, edhe nuk deshët! Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë. Edhe po ju them juve, se nuk do të më shihni deri sa të vijë koha, kur të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.