E shtunë, 12 nëntor 2022 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 2 Korinthianëve 5:1-10.

Sepse e dimë që, në u prishtë tenda e shtëpisë sonë tokësore, kemi ndërtesë tjetër nga Perëndia, shtëpi jo të bërë me dorë, po të përjetshme, në qiejt. Sepse në këtë tendë psherëtijmë, duke dëshiruar të veshim përsipër shtëpinë tonë qiellore. Dhe në qoftë se kemi veshur atë, nuk do të gjendemi të zhveshur. Sepse ne që jemi në këtë tendë, psherëtijmë nën peshën e saj; sepse s’duam të zhvishemi, po të vishemi përsipër, që e vdekshmja të përpihet prej jetës. Edhe ai që na krijoi për këtë punë, është Perëndia, i cili edhe na dha paradhënien e Frymës. Duke pasur pra përherë guxim, dhe duke ditur se deri sa rrimë në trup jemi larg nga Zoti, sepse ecim me besim, jo me të shikuar, prandaj kemi guxim e na pëlqen më tepër të largohemi nga trupi, e të jemi pranë Zotit. Prandaj edhe përpiqemi, qoftë duke qenë afër, qoftë duke qenë larg, t’i jemi atij të pëlqyeshëm. Sepse të gjithë ne duhet të dalim përpara gjykatores së Krishtit, që të shpaguhet gjithësecili për ato punë që ka bërë me anë të trupit, qoftë mirë, qoftë keq.

UNGJILLI - Llukai 9:37-43.

Edhe ndodhi që ditën tjetër, si zbritën ata nga mali, shumë popull i doli përpara. Edhe ja një njeri prej turmës tek bërtiti, duke thënë: Mësues, të lutem, hidh sytë mbi tim bir, se e kam të vetëm. Edhe ja tek e kap një frymë, edhe bërtet papandehur, edhe e përpëlit me shkumë, edhe mezi largohet prej tij duke e dërrmuar atë. Edhe iu luta nxënësve të tu, që t’ia nxjerrin, po nuk mundën. Edhe Jisui u përgjigj e tha: O brez i pabesë e i shtrembër, deri kur do të jem me ju dhe t’ju duroj ju? Sille tët bir këtu. Edhe ndërsa ai po vinte pranë, demoni e hodhi poshtë dhe e përpëliti. Edhe Jisui e qortoi frymën e ndyrë dhe e shëroi djalin, dhe ia dha prapë të atit. Edhe të gjithë mahniteshin për madhështinë e Perëndisë.