Sepse i tillë kryeprift na duhej, i shenjtë, i pafajshëm, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i bërë më i lartë se qiejt; i cili nuk ka përditë nevojë, si ata kryepriftërinjtë, të blatojë therorë më përpara për mëkatet e tij, dhe pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e përgjithmonë, kur pruri theror veten e tij. Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi; po fjala e betimit që u bë pas ligjit vuri Birin, i cili është i përsosur për gjithë jetën.
Edhe përmbledhja e atyre që themi është kjo: Kemi një kryeprift të tillë, i cili ndenji në të djathtë të fronit të madhërisë në qiejt, edhe një shërbyes i shenjtërores dhe i tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Zoti, e jo njeri.
Edhe ja tek u ngrit një mësues ligji, duke e ngarë atë, e duke thënë: Mësues, ç’të bëj, që të trashëgoj jetën e përjetshme? Edhe ai i tha, Ç’është shkruar në ligj; si lexon? Edhe ai u përgjigj e tha: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde dhe të afërmin tënd si veten”. Edhe ai i tha: U përgjigje drejt; bëj këtë, edhe do të rrosh.
Po ai, duke dashur të nxjerrë veten e tij të drejtë, i tha Jisuit: E cili është i afërmi im?
Edhe Jisui mori fjalën e tha: Një njeri zbriste nga Jerusalemi në Jeriko dhe ra në duar kusarësh, të cilët si e zhveshën dhe e bënë me plagë, ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur. Edhe qëlloi të zbriste asaj udhe një prift; edhe kur e pa atë, shkoi nga ana tjetër. Kështu edhe një Levit, sa arriti në atë vend, erdhi e pa, dhe shkoi nga ana tjetër.
Po një samaritan, duke udhëtuar, erdhi në këtë vend, edhe kur e pa, iu dhimbs, edhe erdhi pranë e i lidhi plagët, duke derdhur mbi to vaj e verë, edhe e hipi në kafshën e tij, dhe e solli në një bujtinë, e u kujdes për të. Edhe të nesërmen kur doli, nxori dy dinarë e ia dha bujtinarit, dhe i tha: Kujdesu për këtë njeri; dhe ç’të prishësh më tepër, unë, kur të kthehem, do të t’i jap. Cili nga këta të tre të duket se u bë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve? Edhe ai i tha: Ai që bëri përdëllim për të. Atëherë Jisui i tha: Shko edhe ti bëj kështu.