Sepse urdhërimi i parë bie poshtë, kur është i dobët dhe i padobishëm; sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë. Edhe meqenëse nuk u bë prift pa betim, Sepse ata qenë bërë priftërinj pa betim, po ky me betim, me anë të atij që i tha atij: “Zoti u betua, edhe nuk do të pendohet. Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut”, i një dhiate më të lartë u bë dorëzanë Jisui.
Edhe ata qenë bërë priftërinj më shumë se një, sepse ndaloheshin prej vdekjes të mbeten përgjithnjë. Por ky, pasi mbetet për gjithë jetën, e ka priftërinë të pandërrueshme. Prandaj edhe mund t’i shpëtojë krejtësisht ata që afrohen pranë Perëndisë me anë të atij, sepse gjithnjë rron që të ndërmjetojë për ata.
Dhe nisi t’u flasë atyre me paravoli. Një njeri mbolli një vresht, edhe e thuri me gardh, edhe gërmoi një tirë, edhe ndërtoi një pirg, edhe e pajtoi ndër bujq, edhe iku në dhe të huaj.
Edhe në kohën e të vjelave dërgoi një shërbëtor tek bujqit, që të marrë prej bujqve nga frytet e vreshtit.
Po ata e kapën dhe e rrahën, edhe e kthyen prapa duarbosh.
Edhe përsëri dërgoi një tjetër shërbëtor tek ata; por edhe atë e rrahën me gurë, edhe i çanë kryet, edhe e kthyen prapa të turpëruar.
Edhe përsëri dërgoi një tjetër; po edhe atë e vranë; edhe shumë të tjerë dërgoi, por disa i rrahën, edhe disa i vranë.
Duke pasur pra edhe një bir, të dashurin e tij, e dërgoi edhe atë tek ata më në fund, duke thënë se do të kenë turp prej tim biri.
Po ata bujqit, kur e panë duke ardhur, i thanë njëri-tjetrit se ky është trashëgimtari; ejani ta vrasim, edhe trashëgimi do të jetë yni.
Edhe e morën, edhe e vranë, edhe e nxorën jashtë vreshtit.
Ç’do të bëjë pra i zoti i vreshtit? Do të vijë e do të shfarosë bujqit, edhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.
As këtë shkrim s’e keni lexuar: “Guri, që flakën tej ndërtuesit, ky u bë kreu i qoshes;
prej Zotit u bë kjo, edhe është e çuditshme në sytë tanë”.
Edhe ata kërkonin ta kapnin; po patën frikë nga turma; sepse e kuptuan se për ata e tha paravolinë; edhe e lanë e ikën.