E shtunë, 4 shkurt 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Timotheut 2:11-19.

E besueshme është kjo fjalë; sepse në vdiqëm bashkë me Krishtin, kemi edhe për të jetuar bashkë me të; në durofshim, kemi edhe për të mbretëruar bashkë me të; në e mohofshim, edhe ai do të na mohojë; në dalshim të pabesë, ai mbetet besnik; nuk mund të mohojë veten e tij. Këto kujtojua, duke i porositur ata përpara Zotit, të mos hahen me fjalë, se s’ka asnjë dobi, veçse për shkatërrim të atyre që dëgjojnë. Kujdesu ta nxjerrësh veten tënde të provuar përpara Perëndisë, punëtor faqebardhë dhe shpjegues të drejtë të fjalës të së vërtetës. Edhe largohu nga fjalët e kota përdhosëse, sepse shtojnë më shumë pabesi; edhe fjala e tyre do të brejë si gangrenë; nga këta është Himenei dhe Filiti, të cilët dolën jashtë udhës së të vërtetës, duke thënë se tashmë ngjallja u bë; edhe përmbysin besimin e disave. Por themeli i Perëndisë qëndron i fortë dhe ka këtë vulë: Zoti njeh ata që janë të tijtë; edhe: Le të largohet nga padrejtësia kushdo që zë në gojë emrin e Krishtit.

UNGJILLI - Llukai 18:2-8.

U thoshte atyre edhe një paravoli, që t’u tregonte se duhet të luten gjithnjë dhe të mos lodhen, duke thënë: Në një qytet ishte një gjykatës, i cili s’e kishte frikë Perëndinë dhe s’kishte turp nga njeri. Ishte edhe një e ve në atë qytet, dhe vinte tek ai, duke thënë: Jepmë të drejtën ndaj ndërgjyqësit tim. Edhe ai për njëfarë kohe nuk donte; po pastaj tha me vete: Ndonëse s’e kam frikë Perëndinë, dhe s’kam turp nga njeri, meqë kjo e ve më bëhet barrë, le t’ia jap të drejtën, që të mos vijë gjithnjë e të më shqetësojë. Edhe Zoti tha: Dëgjuat ç’thotë gjykatësi i padrejtësisë. Po Perëndia, a nuk do t’u japë të drejtën të zgjedhurve të tij që e thërresin atë ditë e natë, edhe pse vonon? Ju them juve, se do t’ua japë atyre të drejtën për së shpejti. Po kur të vijë i Biri i njeriut, vallë, a do ta gjejë besimin mbi dhe?