E martë, 7 shkurt 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Petro 2:9-22.

Zoti di të shpëtojë nga ngasja shpresëtarët, edhe të padrejtët t’i ruajë për ditën e gjyqit që të mundohen; edhe më tepër ata që shkojnë prapa mishit me dëshirim ndyrësie, edhe nuk përfillin pushtetin; janë guximtarë të vrazhdë, dhe nuk tremben duke sharë pushtetet; ndërsa engjëjt që janë më të mëdhenj në forcë e në fuqi nuk sjellin kundër tyre gjykim blasfemues përpara Zotit. Po këta si kafshë pa mend prej natyre, që kanë lindur të kapen në lak e të prishen, flasin keq për gjëra që s’i dinë, edhe do të prishen në prishjen e tyre, duke marrë pagën e padrejtësisë. Ata e quajnë kënaqësi shthurjen e përditshme; janë të njollosur e të fëlliqur; gëzohen me mashtrimet e tyre, kur hanë e pinë bashkë me ju. Sytë i kanë plot me imoralitet dhe nuk pushojnë së mëkatuari; gënjejnë shpirtra të paqëndrueshëm, kanë zemër të ushtruar në lakmime, janë bij mallkimi. Duke lënë udhën e drejtë, u gabuan, e shkuan pas udhës së Valaamit, birit të Vosorit, i cili deshi pagën e padrejtësisë; por u qortua për paligjësinë e tij, sepse një kafshë pa gojë, duke folur me zë njeriu, e ndaloi marrëzinë e profetit. Këta janë kroje pa ujë, re që shtyhen prej ere të fortë, për të cilët është ruajtur errësirë e zezë për gjithë jetën. Sepse duke folur fjalë shumë të mëdha kotësie, mashtrojnë me dëshirimet e mishit e me ndyrësitë ata që me të vërtetë shpëtuan prej atyre që e shkojnë jetën në mashtrim; duke u premtuar atyre liri, ndërsa ata vetë janë robër të prishjes; sepse nga ai që mundet ndonjë, këtij i bëhet edhe rob. Sepse ata që shpëtuan nga ndyrësitë e botës me anë të njohjes së Zotit dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht, në u ngatërrofshin përsëri në këto e të munden, gjendja e mëpasme e tyre bëhet më e keqe se e mëparshmja. Sepse më mirë ishte për ata të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa pasi e njohën të kthehen nga urdhërimi i shenjtë që iu dha atyre. Edhe u ngjau atyre ajo që thotë e vërteta e proverbit: “Qeni u kthye në të vjellat e tij”, dhe: “Derri pasi u la, u zhgërrye në llucë”.

UNGJILLI - Marku 13:14-23.

Dhe kur të shihni “neverinë e shkretimit”, që është thënë nga profeti Daniel, të rrijë atje ku nuk duhet, ai që lexon le të kuptojë, atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin nëpër male. Edhe kushdo të jetë përmbi shtëpi, le të mos zbresë në shtëpi, as le të mos hyjë të marrë gjë nga shtëpia e tij. Edhe ai që të jetë në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobën e tij. Po mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji në ato ditë. Edhe lutuni që të mos bëhet ikja juaj në dimër. Sepse në ato ditë do të jetë i këtillë shtrëngim, që i tillë nuk është bërë që në fillim të krijimit, që krijoi Perëndia, e deri tani, edhe as do të bëhet. Edhe të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, s’kishte për të shpëtuar asnjë mish; po për të zgjedhurit që i ka zgjedhur i shkurtoi ditët. Edhe atëherë në u thëntë juve ndonjë: Ja këtu është Krishti, ja, atje, mos besoni. Sepse do të ngrihen krishtër të rremë e profetë të rremë, edhe do të bëjnë shenja e çudira, që të gënjejnë, në mundet, edhe të zgjedhurit. Por ju vini re; ja tek jua thashë juve të gjitha që përpara.