E Enjte, 20 prill 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 2:38-43.

Atëherë Pjetri u tha atyre: Pendohuni, edhe gjithsecili prej jush le të pagëzohet në emrin e Jisu Krishtit, për ndjesën e mëkateve; edhe do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është mbi ju dhe mbi bijtë tuaj dhe mbi të gjithë ata që janë larg, sa ka për të thirrur Zoti Perëndia ynë. Edhe me shumë fjalë të tjera dëshmonte dhe i nxiste ata, duke thënë: Shpëtoni nga ky brez i shtrembër. Ata pra që pritën me gëzim fjalën e tij u pagëzuan; edhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë shpirt. Edhe ata qëndronin me përkushtim në mësimin e apostujve dhe në shoqëri dhe në thyerjen e bukës e në lutje. Edhe çdo shpirti i hyri frikë; edhe shumë çudira e shenja bëheshin me anë të apostujve.

UNGJILLI - Joani 3:1-15.

Edhe ishte një njeri nga Farisenjtë, që e kishte emrin Nikodhim, një nga të parët e Judenjve. Ky erdhi natën tek Jisui dhe i tha: Rabbi, e dimë se nga Perëndia ke ardhur mësues; sepse asnjë s’mund të bëjë këto shenja që bën ti, në mos qoftë Perëndia bashkë me të. Jisui u përgjigj e i tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind dikush prej së larti, s’mund të shohë mbretërinë e Perëndisë. Nikodhimi i thotë: Si mund të lindet një njeri duke qenë plak? Mos mundet të hyjë për së dyti në barkun e së ëmës së tij e të lindë? Jisui u përgjigj: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind dikush prej uji e prej Fryme, s’mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç’ka lindur prej mishit, është mish, edhe ç’ka lindur prej Fryme, është frymë. Mos u çudit pse të thashë se duhet të lindni ju prej së larti. Era ku të dojë fryn, edhe i dëgjon zërin, po s’di nga vjen, e ku vete; kështu është edhe kushdo që ka lindur prej Fryme. Nikodhimi u përgjigj e i tha: Si mund të bëhen këto? Jisui u përgjigj e i tha: Ti je mësues i Izraelit, edhe nuk i di këto? Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, se atë që dimë flasim, edhe për atë që pamë dëshmojmë, po dëshminë tonë nuk e pranoni. Nëse ju thashë juve punët e dheut, edhe nuk besoni, si do të besoni, nëse ju them punët e qiellit? Edhe asnjë s’është ngjitur në qiell, veç ai që ka zbritur nga qielli, i Biri i njeriut, që është në qiell. Edhe sikurse Moisiu ngriti lart gjarpërin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut; që të ketë jetë të përjetshme.