E premte, 21 prill 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 3:1-8.

Edhe Pjetri e Joani po ngjiteshin bashkë në tempull për lutjen e orës së nëntë. Edhe po e sillnin një njeri, që ishte i çalë që nga barku i së ëmës. Këtë e vinin përditë në derën e tempullit që quhej dera e Bukur, që të lypte lëmoshë nga ata që hynin në tempull. Ky, kur pa Pjetrin dhe Joanin se do të hynin në tempull, lypte të marrë lëmoshë nga ata. Po Pjetri bashkë me Joanin hodhi sytë mbi të e tha: Shiko te ne. Edhe ai i shikonte ata me vëmendje, duke shpresuar të marrë gjësendi nga ata. Atëherë Pjetri tha: Argjend dhe ar nuk kam; po atë që kam, këtë ta jap. Në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, ngrihu dhe ecë. Edhe si e kapi atë prej dorës së djathtë e ngriti; edhe përnjëherë iu forcuan tabanet e nyjet e këmbëve. Edhe duke kërcyer përpjetë qëndroi më këmbë dhe ecte; edhe hyri bashkë me ata në tempull, duke ecur e duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë.

UNGJILLI - Joani 2:12-22.

Pastaj zbriti në Kapernaum, ai dhe e ëma e të vëllezërit dhe nxënësit e tij, edhe ndenjën atje jo shumë ditë. Edhe pashka e Judenjve ishte afër, dhe Jisui u ngjit në Jerusalem. Edhe gjeti në tempull ata që shisnin qé e dhen e pëllumba, edhe këmbyes monedhash duke ndenjur. Edhe si bëri një fshikull litarësh, i përzuri të gjithë nga tempulli, edhe dhentë edhe qetë; edhe derdhi monedhat e këmbyesve, edhe tryezat i përmbysi. Edhe atyre që shisnin pëllumbat u tha: Ngrejini këto këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie. Atëherë u ra ndër mend nxënësve të tij se është shkruar: “Zelli për shtëpinë tënde më hëngri”. Judenjtë pra u përgjigjën e i thanë: Çfarë shenje na tregon, që i bën këto? Jisui u përgjigj e u tha atyre: Prisheni këtë tempull dhe për tri ditë do ta ngre. Atëherë Judenjtë thanë: Ky tempull është ndërtuar për dyzet e gjashtë vjet, edhe ti do ta ngresh atë për tri ditë? Por ai po thoshte për tempullin e trupit të tij. Kur u ngjall pra prej së vdekurish, u ra ndër mend nxënësve të tij se për këtë u thoshte atyre; edhe i besuan shkrimit, edhe fjalës që u tha Jisui.