E shtunë, 22 prill 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 3:11-16.

Edhe ndërsa i çali që u shërua mbahej pas Pjetrit dhe Joanit, gjithë populli, i habitur shumë, rendi bashkë drejt tyre në portikun që quhet i Solomonit. Edhe Pjetri kur pa, iu përgjigj popullit: O burra Izraelitë, pse çuditeni për këtë? Dhe pse na vështroni ngultas, sikur ne me fuqinë ose me besëtarinë tonë e kemi bërë këtë njeri të ecë? Perëndia i Abrahamit dhe i Isakut dhe i Jakovit, Perëndia i etërve tanë, lavdëroi Birin e tij Jisu, të cilin ju e dorëzuat, edhe e mohuat përpara Pilatit, ndonëse ai e pa të udhës ta lëshonte. Po ju e mohuat Shenjtin dhe të Drejtin, edhe kërkuat t’ju jepet juve një burrë vrasës. Edhe vratë kreun e jetës, që Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, të cilit ne i jemi dëshmitarë. Edhe me anë të besimit në emrin e tij, këtë që shihni dhe e njihni, emri i tij e forcoi, edhe besimi që është me anë të tij i dha këtij shëndet të plotë përpara gjithë jush.

UNGJILLI - Joani 3:22-33.

Pastaj erdhi Jisui dhe nxënësit e tij në tokën e Judesë, edhe atje rrinte bashkë me ata dhe pagëzonte. Ishte edhe Joani duke pagëzuar në Enon, afër Salemit, sepse atje ishin shumë ujëra; edhe vinin e pagëzoheshin. Sepse Joani ende s’ishte hedhur në burg. U bë pra një bisedë rreth pastrimit prej nxënësve të Joanit me një jude. Edhe erdhën tek Joani dhe i thanë atij: Rabbi, ai që ishte bashkë me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja ky tek po pagëzon, edhe të gjithë vijnë tek ai. Joani u përgjigj e tha: Asnjeri nuk mund të marrë gjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli. Ju vetë dëshmoni për mua se thashë: Unë nuk jam Krishti, po se jam dërguar përpara atij. Ai që ka nusen, është dhëndëri; ndërsa miku i dhëndërit, ai që rri e dëgjon atë, gëzohet me ngazëllim të madh për zërin e dhëndërit. Pra, ky gëzimi im u përmbush. Ai duhet të shtohet, e unë të pakësohem. Ai që vjen prej së larti, është mbi të gjithë. Ai që është prej dheut, prej dheut është, edhe prej dheut flet; ai që vjen prej qiellit, është mbi të gjithë. Edhe atë që pa e dëgjoi, për këtë dëshmon; po asnjë nuk e pranon dëshminë e tij. Ai që pranon dëshminë e tij, ka vulosur se Perëndia është i vërtetë.