E hënë, 24 prill 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 3:19-26.

Pendohuni pra dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, që të vijnë kohë prehjeje prej faqes së Zotit, edhe të dërgojë Jisu Krishtin, që ju është predikuar juve që përpara; të cilin duhet ta mbajë qielli deri në kohët e rivendosjes së gjithë atyre gjërave që foli Perëndia që në fillim të jetës me anë të gojës së gjithë shenjtorëve të tij profetë. Sepse Moisiu u tha etërve “Se Zoti Perëndia do të ngrejë ndër ju nga vëllezërit tuaj një profet si unë; atë dëgjoni për të gjitha ato që t’ju flasë juve. Edhe çdo shpirt që nuk do të dëgjojë atë profet, do të shuhet nga populli”. Edhe gjithë profetët sa folën që nga Samueli e këtej lajmëruan edhe për këto ditë. Ju jeni bijtë e profetëve dhe të dhiatës që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: “Edhe në farën tënde do të bekohen gjithë fiset e dheut.” Te ju më parë Perëndia, pasi e ngjalli Birin e tij Jisu, e dërgoi që t’ju bekojë ju, duke e kthyer gjithësecilin prej jush nga ligësitë tuaja.

UNGJILLI - Joani 2:1-11.

Edhe të tretën ditë u bë dasmë në Kana të Galilesë, edhe e ëma e Jisuit ishte atje. Edhe u ftua në dasmë edhe Jisui dhe nxënësit e tij. Edhe si mbaroi vera, e ëma e Jisuit i thotë: S’kanë verë. Jisui i thotë: Ç’ke ti me mua, o grua? Ora ime ende s’ka ardhur. E ëma e tij u thotë shëbëtorëve: Bëni ç’t’ju thotë. Edhe atje ishin gjashtë enë të gurta të vëna për pastrimin sipas zakonit të Judenjve, që nxinin secila nga dy a tri masa. Jisui u thotë atyre: Mbushni enët me ujë. Edhe i mbushën deri sipër. Edhe u thotë atyre: Nxirrini tani, edhe çojani të parit të tryezës. Edhe ata i çuan. Edhe i pari i tryezës, si provoi ujin që ishte bërë verë, edhe nuk e dinte nga është, po shërbëtorët që kishin nxjerrë ujin e dinin, i pari i tryezës thërret dhëndërin, edhe i thotë: Çdo njeri më përpara nxjerr verën e mirë, edhe si të dehen, atëherë nxjerr të dobtën; kurse ti ke ruajtur verën e mirë deri tani. Këtë nisje të çudirave Jisui e bëri në Kana të Galilesë dhe shfaqi lavdinë e tij; edhe nxënësit e tij i besuan.