E martë, 25 prill 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 1 Petro 5:6-14.

Përuluni pra nën dorën e fortë të Perëndisë, që t’ju lartësojë në kohën e duhur. Edhe gjithë kujdesin tuaj hidheni mbi atë, sepse ai kujdeset për ju. Përmbani veten, rrini zgjuar; sepse ndërgjyqësi juaj, djalli, si luan që ulërin, vjen përqark duke kërkuar cilin të gllabërojë. Atij i rrini kundër duke qëndruar të fortë në besim, sepse e dini se po ato pësime u bëhen vëllezërve tuaj në botë. Edhe Perëndia i çdo hiri, që na thirri në lavdinë e tij të përjetshme me anë të Jisu Krishtit, pasi të pësoni pak, ai ju bëftë të përsosur, ju forcoftë, ju dhëntë fuqi, ju themeloftë. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin. Me anë të Siluanit, vëllait besnik, kështu e mendoj, ju shkrova juve me pak fjalë, duke u lutur e duke dhënë dëshmi, se ky është hiri i vërtetë i Perëndisë, ky në të cilin qëndroni. Ju përshëndet kisha që është në Babilonë, që është e zgjedhur bashkë me ju, edhe Marku, biri im. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje dashurie. Paqe mbi të gjithë ju që jeni në Jisu Krishtin. Amin.

UNGJILLI - Marku 6:7-13.

Edhe thirri pranë të dymbëdhjetët dhe zuri t’i dërgojë dy nga dy; edhe u jepte pushtet kundër frymëve të ndyra. Edhe i porositi ata të mos mbajnë asgjë udhës, veçse vetëm një shkop; as trastë, as bukë, as bakër në brez. Por të jenë mbathur me sandale dhe të mos veshin dy këmishë. Edhe u thoshte atyre: Në çdo shtëpi që të hyni, qëndroni atje deri sa të dilni që andej. Edhe sa njerëz të mos ju presin, as të mos ju dëgjojnë, kur të dilni andej, shkunduni pluhurin që është poshtë këmbëve tuaja, për dëshmi në ta. Me të vërtetë po ju them juve, më i durueshëm do të jetë dënimi në Sodomë e në Gomorrë në ditën e gjyqit, se në atë qytet. Edhe ata dolën e predikuan që të pendohen njerëzit. Edhe nxirrnin shumë demonë; edhe lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.