Kur urdhëron Zoti
E Diela e të Paralizuarit
(Jn. 5:1-15)
“A do të shërohesh?”
I paralizuari vështroi të Huajin i habitur. Çfarë pyetjeje ishte ajo që i bëri? “A do të shërohesh?”, e pyeti Ai. I paralizuari nuk donte asgjë tjetër përveç shërimit. Për tridhjetë e tetë vjet jetonte me këtë dëshirë të zjarrtë. Shpresa e shërimit e detyroi të qëndronte kaq gjatë në atë vend çudibërës të Betesdasë, duke pritur mrekullinë. Por ai ishte i vetëm, pa njeri. Nuk kishte askënd që ta ndihmonte të hynte “në pellg kur trazohet uji”. Sytë e tij shkëlqyen nga një shpresë e papritur.
Habia fillestare u kthye në tronditje kur dëgjoi përgjigjen: “Çohu, ngri shtratin tënd dhe ec”. Gjëja e dëshiruar prej vitesh, tani po i jepej papritur e menjëherë, ndryshe nga sa priste. Shikimi i tij i tronditur e këmbëngulës u ngulit në shikimin e thellë dhe plot paqe të Jisuit. Në ato pak sekonda u gjykua një gjë e madhe.
I paralizuari i bindet porosisë së Krishtit, duke larguar çdo ngurrim. Me anë të kësaj sjelljeje na jepet një shembull i admirueshëm se si duhet të pranojmë porositë e Krishtit, të cilat, në pamje të parë, mund të na duken “të çuditshme”. Kur dëgjoi: “çohu, ngri shtratin tënd dhe ec”, ndoshta ai mund të ketë menduar këto gjëra: “Unë nuk mund të shkoj deri te shtrati im, si do ta marr në kurriz?”. Por asgjë e tillë nuk arrin dot ta pengojë. Shpejton të bindet. Duhet të ngrihet dhe të ecë. Pra, duhet të zbatojë urdhrin e dhënë nga Krishti. Dhe, në çastin kur e pranon këtë urdhër, merr edhe fuqinë për ta kryer.
Le ta shikojmë me vëmendje këtë pikë, të dashurit e mi. Shumë herë, disa porosi të Zotit tingëllojnë disi çuditshëm brenda nesh. Logjika jonë, zemra jonë mëkatare e kanë të vështirë t’i pranojnë. Por, përtej ngurrimit fillestar, le të përkujdesemi t’i kryejmë ato duke pasur besim. Dhe Perëndia do të na ndihmojë në këtë përpjekje, duke na dhënë, si shpërblim për besimin tonë, fuqinë e domosdoshme.
Disa porosi të Shpëtimtarit, si këto që do rendisim më poshtë, kur i dëgjon për herë të parë, të habisin: “Duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë…” na porosit Zoti. Por, si mund të bëhen këto? – pyet dikush me vete. “Fjala juaj le të jetë: Po, po! – dhe jo, jo!” na thotë Zoti. Jo mashtrime, jo deformime, jo gënjeshtra. “Por, a është e mundshme diçka e tillë në shoqërinë e sotme…?”– pyesim tërë ngurrim. Sot gënjeshtra është kthyer në sistem. Fjala e Krishtit dëgjohet e pastër, mbetet e qartë në Ungjill. Shpesh duket “e çuditshme” për mentalitetin tonë, e paarritshme apo e papranueshme për kushtet tona. Zemra jonë është e mbushur plot me dyshime mbi mundësinë e zbatimit të kësaj fjale.
Pikërisht në këtë pikë do të gjykohet edhe bindja jonë ndaj Krishtit. Nëse fillojmë me “por”, do të mbetemi të paralizuar në krevatin e antipatisë, mungesës së sinqeritetit, të plogështisë dhe mëkatit. Nëse vrapojmë t’i bindemi dhe të zbatojmë me dëshirë porosinë e Krishtit, do të marrim fuqi që lartazi dhe do të shikojmë që “të pamundurat” të bëhen “të mundura”.
***
Kemi edhe një element tjetër të rëndësishëm në sjelljen e njeriut të perikopesë së sotme të Ungjillit. Për ta zbatuar porosinë e Krishtit, ai u tregua indiferent ndaj komenteve të botës.
“Është e shtunë”, i thoshin bashkëpatriotët e tij, “nuk të lejohet ta ngresh krevatin. Po e shkel ligjin, askush nuk mund të bëjë diçka që i kundërvihet ligjit dhe zakoneve. Sot është e ndaluar të bëjmë punë të tilla”. Ish-i paralizuari, duke e shtrënguar krevatin në kurriz, u përgjigjet me vendosmëri: “Nuk e di se çfarë po thoni ju, por ai që më shëroi më tha: ngri krevatin tënd dhe ec. Dhe është më se e qartë që fjalët e tij patën fuqinë për të më shpëtuar nga një sëmundje shumëvjeçare dhe janë më të vlefshme sesa mendimet tuaja”.
Të njëjtën përgjigje le t’u japim edhe ne, o vëllezërit e mi, atyre që ndaj porosive të qarta të Krishtit na kundërvënë ligjet e mentalitetit mbizotërues të botës së sotme apo të kodit zakonor që karakterizon shoqërinë tonë. Përderisa e thotë Ai, të Cilit i kam borxh shëndetin tim shpirtëror dhe shpëtimin, nuk më intereson se çfarë thonë teoritë tuaja për jetën dhe sjelljen shoqërore.
Nëse njerëz socialë quhen ata që i mbyllin veshët ndaj problemeve të nxehta të shoqërisë, në çastin kur pranë tyre luhen drama njerëzore, atëherë le t’ju quajnë
“josociale”. Është nder për ju. Do t’ju etiketojnë si ideologë naivë, që nuk i përshtateni realitetit. Por, nëse realist do të thotë ta kthesh në normë pandërgjegjshmërinë dhe nëse zgjuarsi është nxitja e negativitetit, atëherë le ta thonë. Ndoshta kemi një epror në punë që na flet në këtë mënyrë apo një të afërm që na këshillon kështu. Shpirtin e kemi të ndarë nga të tjerët! “Është më mirë t’i bindesh Perëndisë sesa njerëzve”. Kriteri dhe rregulli i jetës sime është vullneti i Perëndisë, jo mendimi i njerëzve. “Ai që më shëroi, më tha…”. Ai është gjëja e vërtetë që ka vlerë për jetën time dhe jo gjykimi i të tjerëve apo “se çfarë do të thonë njerëzit”.
***
Kjo është një çështje mirënjohjeje dhe besimi te Krishti, te Bamirësi ynë, i Cili na urdhëron që t’u bindemi me gatishmëri porosive të Tij, edhe nëse nuk i kuptojmë mirë menjëherë, duke lënë mënjanë çdo lloj ngurrimi. Është çështje korrektese dhe urtësie që të ecim si dhe ku na urdhëron Zoti, duke kryer porositë e Tij me gëzim dhe shpresë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)