Atë pra që do ta përdëllejë, e përdëllen; edhe atë që do ta ashpërsojë, e ashpërson.
Do të më thuash pra: Përse më qorton? Cili mund të rrijë kundër vullnetit të tij? Po cili je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mos mund t’i thotë gatesa gatuesit: Pse më bëre kështu? Apo s’ka pushtet shtambari mbi baltën, që të bëjë prej po atij brumi një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim? E çfarë, nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij, edhe të bëjë të njohur fuqinë e tij, duroi me shumë zemërgjerësi enë zemërimi që qenë bërë për të humbur?
Edhe që të bëjë të njohur pasurinë e lavdisë së tij mbi enë përdëllimi, të cilat i përgatiti më parë për lavdi, kështu edhe neve, të cilëve edhe na thirri jo vetëm prej Judenjve, po edhe prej kombeve? Siç thotë edhe tek Osieja: “Atë që s’ka qenë populli im do ta quaj populli im, edhe atë që nuk ishte i dashur të dashur. Edhe do të jetë në atë vend që u është thënë atyre: Nuk jeni ju populli im, atje ata do të quhen bij të Perëndisë së gjallë.”
Edhe Isaia thërret për Izraelin: “Edhe në qoftë numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, një mbetje do të shpëtojë; sepse do të mbarojë e do të shkurtojë llogari me drejtësi, sepse Zoti do të bëjë llogari të shkurtuar mbi dhé”. Edhe siç tha që përpara Isaia: “Po të mos na kishte lënë farë Zoti Savaoth, do të ishim bërë si Sodoma, edhe do të kishim ngjarë me Gomorrën”. Ç’të themi pra? Se ata kombe që s’ndoqën drejtësi, arritën drejtësi, drejtësinë që është prej besimit, edhe Izraeli duke ndjekur ligjin e drejtësisë, në ligj drejtësie nuk arriti.
Përse? Sepse nuk e ndiqte me anë besimi, po me anë të veprave të ligjit. Sepse u penguan në gurin e pengesës; siç është shkruar: “Ja tek vë në Sion një gur pengese, edhe një shkëmb skandali, edhe kushdo që beson tek ai nuk do të turpërohet”.
Edhe Joani kur dëgjoi në burg punët e Krishtit, dërgoi dy nga nxënësit e tij, e i tha atij: Ti je ai që ka për të ardhur, apo të presim tjetër? Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shkoni e lajmëroni Joanin për ato që dëgjoni e shihni. Të verbër shohin edhe të çalë ecin; lebrozë pastrohen edhe të shurdhër dëgjojnë; të vdekur ngjallen edhe të varfër ungjillëzohen. Edhe i lumtur është ai që nuk do të skandalizohet për mua.
Edhe tek po shkonin këta, Jisui zuri t’i thotë turmës për Joanin: Çfarë dolët të shikoni në shkretëtirë? Kallam që tundet nga era? Po çfarë dolët të shihni? Njeri të veshur me rroba të buta? Ja ata që kanë veshur rroba të buta tek janë nëpër shtëpitë e mbretërve. Po çfarë dolët të shihni? Profet? Me të vërtetë po ju them juve, edhe më tepër se profet.
Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes sate, i cili do të përgatisë udhën tënde përpara teje”. Me të vërtetë po ju them juve, se në mes të atyre që kanë lindur prej grash nuk është ngritur ndonjë më i madh se Joan Pagëzori. Por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.
Edhe që nga ditët e Joan Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve pëson dhunë edhe të dhunshmit e rrëmbejnë atë. Sepse gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri te Joani. Edhe në doni ta pranoni këtë gjë, ai është Ilia që do të vijë. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.