Them pra: Mos u penguan, që të rrëzohen? Qoftë larg. Po me anë të rrëzimit të tyre u bë shpëtimi i kombeve, që t’i shtjerë ata në zili. Edhe në është rënia e tyre pasuri për botën, edhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më tepër do të jetë plotësia e tyre?
Sepse ju kombeve ju them, – derisa jam unë apostull i kombeve, lavdëroj shërbesën time, se mos i shtie në zili ata që janë mishi im, edhe shpëtoj disa nga ata.
Sepse nëse është hedhja tej e tyre paqe e botës, ç’tjetër do të jetë pritja e tyre, përveçse jetë prej së vdekurish.
Edhe në është fryti i parë i shenjtë, është edhe tërë brumi; edhe nëse është rrënja e shenjtë, janë edhe degët.
Po nëse u këputën ca nga degët, edhe ti që ishe ulli i egër u shartove në to, edhe u bëre pjesëtar i rrënjës dhe i pjellorisë së ullirit, mos iu mburr degëve; edhe nëse mburresh, nuk e mban ti rrënjën, po rrënja ty.
Do të thuash pra: U këputën degët, që të shartohem unë. Mirë. Për pabesinë u këputën, po ti qëndron me anë të besimit. Mos u mbaj me të lartë, po ki frikë; sepse nëse Perëndia nuk kurseu degët prej natyre, ndoshta nuk të kursen as ty. Shiko pra mirësinë dhe ashpërsinë e Perëndisë; mbi ata që u rrëzuan, ashpërsinë; edhe mbi ty, mirësinë, në qëndrofsh në mirësi; sepse ndryshe edhe ti do të këputesh.
Kështu edhe ata, në mos qëndrofshin në pabesi, do të shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t’i shartojë përsëri ata. Sepse nëse u këpute ti nga ulliri i egër prej natyre, edhe kundër natyrës u shartove në ulli të butë, sa më tepër këta që janë prej natyre degë do të shartohen në ullirin e tyre?
Sepse nuk dua të mos e dini, vëllezër, këtë të fshehtë, – që të mos mbaheni të mençur në veten tuaj, – se u bë ngurtësia e një pjesë e Izraelit derisa të hyjë tërësia e kombeve, edhe kështu gjithë Izraeli do të shpëtojë, siç është shkruar: “Do të vijë prej Sionit çliruesi, dhe do të largojë pabesitë nga Jakovi. Edhe kjo është nga ana ime dhiata për ta, kur të heq mëkatet e tyre”. Sipas ungjillit janë armiq për ju, por sipas zgjedhjes janë të dashur për shkak të etërve. Sepse dhuratat dhe thirrja e Perëndisë janë të patundshme.
Sepse sikurse edhe ju dikur nuk i bindeshit Perëndisë, po tani u përdëllyet për mosbindjen e këtyre, kështu edhe këta tani nuk u bindën, që me anë të përdëllimit që u tregua për ju të përdëllehen edhe ata. Sepse Perëndia i mbylli të gjithë në mosbindje, që t’i përdëllejë të gjithë.
O thellësi pasurie dhe urtësie e diturie Perëndie! Sa të pagjurmueshme janë gjykimet e tua, edhe sa të pakuptueshme udhët e tua! Sepse “kush e njohu mendjen e Zotit? Apo kush u bë këshilltar i tij?” Apo “kush i dha gjë më parë, që t’i shpërblehet?”
Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe në atë janë të gjitha. Atij i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
Ju lutem pra, vëllezër, për përdëllimet e Perëndisë, t’i tregoni trupat tuaj therorë të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë, adhurimin tuaj të arsyeshëm.
Edhe mos u përshtatni me këtë jetë; po shndërrohuni me anë të përtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cila është dëshira e Perëndisë, e mira dhe e pëlqyeshmja, dhe e përsosura.
Po me se ta përngjaj këtë brez? U ngjan fëmijëve që rrinë nëpër tregjet edhe u thërrasin shokëve të tyre, e thonë: I ramë fyellit për ju edhe nuk kërcyet; u bëmë vaj edhe nuk qatë.
Sepse erdhi Joani që as hante, as pinte, edhe thonë: Ka djallin.
Erdhi i Biri i njeriut duke ngrënë e duke pirë, e thonë: Ja një njeri hamës e verëpirës, mik tagrambledhësish e mëkatarësh. Edhe doli e drejtë dituria nga bijtë e saj.
Atëherë zuri të qortojë ashpër qytetet, në të cilat u bënë çuditë më të shumta të tij, sepse nuk u penduan.