Edhe ju lutem juve, o vëllezër, në emrin e Zotit tonë Jisu Krisht, që të thoni të gjithë të njëjtën gjë, edhe të mos ketë përçarje ndërmjet jush, por të jeni të bashkuar ngushtë në të njëjtën mendje e në të njëjtin mendim. Sepse më treguan për ju, o vëllezër, njerëzit e Kloes, se ka grindje ndërmjet jush. Edhe këtë e them se secili prej jush thotë: Unë jam i Pavlit, edhe: Unë i Apolloit, edhe: Unë i Kefait, edhe: Unë i Krishtit. Ndarë qenka Krishti? Mos Pavli u kryqëzua për ju? Apo në emrin e Pavlit u pagëzuat?
Falënderoj Perëndinë, se asnjë prej jush s’kam pagëzuar, veç Krispit dhe Gait; që të mos thotë ndonjë prej jush, se në emrin tim e pagëzova. Pagëzova edhe shtëpinë e Stefanait; veç këtyre nuk di nëse pagëzova ndonjë tjetër. Sepse Krishti nuk më dërgoi që të pagëzoj, po që të ungjillëzoj, jo me dituri fjale, që të mos dalë i kotë kryqi i Krishtit.
Edhe kur doli Jisui, pa turmë të madhe, edhe iu dhimbs për ta, edhe shëroi të sëmurët e tyre.
Edhe si u ngrys, i erdhën pranë nxënësit e tij, e i thanë: Vendi është i shkretë edhe koha tashmë ka shkuar. Lësho turmat, që të shkojnë nëpër fshatrat të blejnë të ngrëna për veten e tyre. Por Jisui u tha atyre: Nuk kanë nevojë të shkojnë. Jepuni ju atyre të hanë. Edhe ata i thonë atij: Nuk kemi këtu veçse pesë bukë dhe dy peshq. Edhe ai tha: M’i sillni mua ato këtu.
Edhe urdhëroi turmat të shtrohen mbi bar, edhe mori të pesë bukët e të dy peshqit, edhe ngriti sytë përpjetë në qiej dhe bekoi; edhe pasi i theu, ua dha bukët nxënësve, edhe nxënësit turmave. Edhe hëngrën të gjithë e u ngopën; edhe ngritën tepricën e copave, dymbëdhjetë kofinë plot. Edhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, veç grave e fëmijëve.
Edhe përnjëherë Jisui i shtrëngoi nxënësit e tij të hyjnë në lundër, edhe të shkojnë përtej më përpara se ai, deri sa të lëshojë turmat.