Misteri i Eukaristisë Hyjnore – Kremtimi i Misterit

Misteri i Eukaristisë Hyjnore - Kremtimi i Misterit

Misteri kryhet nga Prifti i Kishës mbi Tryezën e Shenjtë. Pasi Prifti që kryen meshën ka sjellë bukën dhe verën në  “Prothesis” (Tryeza e Besimit) dhe gjatë Liturgjisë, dhe pikërisht gjatë Hyrjes së Madhe ai i merr nga Prothesis dhe i shpie mbi Tryezën e Shenjtë, fillon Anafora e Shenjtë, dhe celebrohet Misteri i frikshëm. Buka dhe vera përdoren nga kisha si elementë për kryerjen e Misterit. Ashtu si Zoti ynë përdori bukë dhe verë gjatë Darkës së Fundit kur Ai ia transmetoi këtë Mister të madh për shpëtimin tonë, Kishës së Tij. Dhe gjatë Anaforasë së Shenjtë kur Prifti na urdhëron “të qëndrojmë mirë, le të qëndrojmë me frikë, që ta blatojmë me paqe theroren e shenjtë” – anafora është kremtimi i këtij Misteri të frikshëm dhe është jashtëzakonisht vendimtar për shkak se është momenti më i shenjtë i Liturgjisë Hyjnore – prifti, duke u lutur gjatë dhe me shumë devotshmëri, i lutet Perëndisë duke i kërkuar që Shpirti i Shenjtë të zbres mbi dhuratat e çmuara për ta transformuar bukën në Trup dhe verën në Gjak të Krishtit Shpëtimtarit tonë. Për t’i transformuar në atë Trup që u kryqëzua në Kryq dhe në atë Gjak që u derdh mbi Kryq “për jetën dhe shpëtimin e botës”. Para se të arrijë në atë moment të frikshëm Prifti shqipton ato fjalë që foli Zoti kur për herë të parë Ai kremtoi dhe transmetoi këtë Mister tek Dishepujt e Tij: “Ua dha nxënësve dhe apostujve të Tij të shenjtë, duke thënë: Merrni, hani, ky është Trupi im, që thyhet për juve për ndjesën e mëkateve”. Gjithashtu duke marrë dhe Potirin me pemën e vreshtit, si e përzjeu, falënderoi, bekoi dhe e shenjtëroi ua dha nxënësve dhe apostujve të Tij të shenjtë, duke thënë: “Pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku im i Dhiatës së Re, që derdhet për ju dhe për shumë për ndjesën e mëkateve” dhe pas lutjes që kulmon me thirrjen: “Të tuat nga të tuat, ty të blatojmë nga të gjitha dhe për të gjitha”, celebruesi i Mistereve të Shenjta lutet më gjunjë tek Ati Qiellor duke thënë: “Dhe bëje këtë Bukë, vetë Trupin e çmuar të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht; dhe atë që është në këtë Potir, vetë Gjakun e çmuar të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, që u derdh për jetën dhe shpëtimin e botës; duke i ndryshuar me anën e Shpirtit tënd të Shenjtë”.

Pikërisht në këtë moment Shpirti i Shenjtë zbret dhe transformon bukën në Trupin e Krishtit dhe verën që gjendet në Potir në Gjakun e Krishtit. Më pas të gjithë ata që janë të përgatitur për tu kunguar, kungohen duke marrë brenda tyre jo bukë dhe verë por pikërisht Trupin dhe Gjakun e Krishtit, dhe bëhen “prej të njëjtit trup” dhe “prej të njëjtit gjak”  dhe “Krishtmbartës”, dhe ata formojnë bashkë me Krishtin, Të Cilin e mbartin brenda vetes, një trup dhe gjak, sipas Shën Qirilit, dhe “bashkë me Krishtin marrin brenda tyre Atin dhe Shpirtin e Shenjtë” sipas Shën Vasilit. Sigurisht sytë tanë shohin verën dhe gjakun dhe gjuhët tona ndiejnë shijen e bukës dhe verës, por gjërat nuk janë ashtu si duken. Që nga momenti kur Shpirti i Shenjtë zbret dhe Misteri përsoset, nuk kemi më atë që shohim me sytë tanë ose shijojmë me gjuhët tona. Ne kemi atë që ne besojmë, nderojmë dhe adhurojmë. Ne kemi Trupin dhe Gjakun e Krishtit tonë i Cili na transmeton jetën dhe paprishmëri.

Në këtë Mister të Eukaristisë së Shenjtë nuk ndodh vetëm ndryshimi i bukës dhe verës në Trupin dhe Gjakun e Krishtit por gjithashtu zë vend gjithë jeta dhe vepra shpëtimtare. Që do të thotë – Mishërimi i Tij, Lindja, Kryqëzimi, Varrosja, Ngjallja, dhe Ngjitja e Tij në të djathtën e Atin, me qëllim që Ai të ndërmjetësojë në interes të të gjithëve ne.