
Rrëfimi është gjithashtu një Mister i themeluar nga Perëndia, i themeluar nga Zoti ynë nga mirësia dhe dashuria e Tij e pamasë për njeriun, me qëllim që mëkatet e bëra nga një njeri pas Pagëzimit të mund t’i falen. Prandaj ky Mister quhet gjithashtu një Pagëzim i dytë. Ai quhet gjithashtu Pendim, Rrëfim dhe Zbulim. Prej këtyre emrave secili prej nesh mund të kuptojë kushtet esenciale dhe të nevojshme për këtë Mister të faljes së mëkateve.
Së pari, ai quhet Pendim – ndryshim i brendshëm i mendimit, mendjes dhe prirjes. Një pranim i plotë i përgjegjësisë dhe fajit për të gjitha të këqijat që mëkatari ka bërë, një ndjesi të mëkatshmërisë së tij dhe një hidhërim dhe një keqardhje e thellë e zemrës deri në dhimbje dhe lot për mëkatet dhe padrejtësitë e tij.
Së dyti, ai quhet Rrëfim – para Atit Shpirtëror, Priftit dhe Celebruesit të Misterit – i pendimit, brejtjes së ndërgjegjes dhe keqardhjes së brendshme të shpirtit të tij, i pohimit të fajit dhe i kërkimit të mëshirës hyjnore dhe të faljes së mëkateve.
Së treti ai quhet Zbulim i mëkateve të tij; kjo nuk ndryshon nga rrëfimi; kjo nënkupton që personi që shkon të rrëfehet nuk duhet që t’i fsheh mëkatet e tij as për shkak se është i turpshëm dhe për këtë arsye ai heziton dhe shtanget t’i numërojë ato një nga një, ose për shkak se mëkatet e tij do të ekspozohen dhe ai do të vuajë pasoja të dhimbshme për shkak të tyre. Renditja e deviacioneve ose shkeljeve që kanë të bëjnë me moralin dhe brejtja e ndërgjegjes është e domosdoshme. Prandaj rrëfimi dhe pohimi i të gjitha të këqijave që ai ka bërë – ai dhe askush tjetër – dhe kërkimi i faljes prej Perëndisë për çdo mëkat të tij, dhe kërkimi i këshillave dhe udhëzimeve nga Ati i tij Shpirtëror me qëllim që ai të mos bjerë më në të njëjtat mëkate dhe shkelje, janë elementë që do t’i sigurojnë përparimin e tij të mëtejshëm në jetën shpirtërore, të një jete pendimi të vazhdueshëm dhe progresi në virtyt. Atëherë pendohet realisht mëkatari. Atëherë ai merr nga Perëndia nëpërmjet Atit Shpirtëror “faljen e mëkateve”dhe ndërgjegjja e tij qetësohet, dhe shpirti i tij është në paqe; barra dhe agonia prej fajit që rëndonte mbi të zhduket, dhe ai ndjehet plotësisht në prehje dhe paqe, duke përjetuar bekimet dhe hirin e Perëndisë në jetën e tij.
©2022 Rinia Orthodhokse Tiranë. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Designed by Code Studio@M.D