“Na vizitoi që lartazi Shpëtimtari ynë, Lindja e lindjeve dhe ne që ishim në errësirë e në hije gjetëm të vërtetë, se me të vërtetë nga Virgjëresha lindi Zoti.”
Para afro tre vjetësh ishte e pakonceptueshme që në Shqipëri do të mund të mblidheshim për të kremtuar Krishtlindjen. Kishave tona as që mund t’u afroheshim dot; ishin të rrënuara, të bëra gërmadha ose të shndërruara në depo, muze, ofiçina, madje edhe në stalla. Cilindo që do të guxonte të shprehte hapur besimin e tij te Perëndia, e priste internimi ose burgu. Errësirë dhe vdekje në shpirtra, vështirësi dhe rrugë pa krye për besimtarët. Por ja që “na vizitoi që lartazi Shpëtimtari ynë”. Brenda mureve hermetike prej çimentoje të ndërtesës ateiste u krijuan të çara, Dielli i Drejtësisë lindi përsëri në tokën e stërmunduar të Shqipërisë dhe dritë shprese filloi të shkëlqejë në zemrat e të përhapet në jetën shoqërore. “Krishti lindet, lavdërojeni”.
Natyrisht, një mori problemesh e brejnë vendin dhe shumë rrugë pa krye dalin para nesh. Por festa e madhe e Krishterimit që po kremtojmë sot, i referohet pikërisht kapërcimit të rrugëve pa krye. “Perëndia u shfaq i trupëzuar” (1 Tim. 3:16). “Ky mister është i madh” dhe paralajmëron kapërcimin e asaj që është e paarritshme për mundë sinë njerëzore.
I
Jisu Krishti lindi midis nesh në radhë të parë për të na shpëtuar nga rrugët pa krye të qenies njerëzore, nga mëkati dhe nga vdekja. Perëndia “Zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori” (Fil. 2:7); erdhi me një mënyrë të përulur, për të dërrmuar nxitësit e mëkatit, që janë egoizmi me të gjitha pasojat e tij, makutëria, mendjemadhësia, fuqia në dukje dhe luksi. Emri Jisu do të thotë pikërisht “Shpëtimtar”. Erdhi që të na shpëtojë nga mëkati, nga padija, nga mjerimi, nga prishja dhe të na drejtojë në gjirin e Perëndisë Atë e të na lidhë me Të.
Jisu Krishti lindi jo thjesht që t’i japë njerëzimit një doktrinë të lartë. Ai mori natyrën njerëzore që të mbetet me ne, prandaj emri i tij është gjithashtu “Emanuel”, që do të thotë “Perëndia me ne”. “Fjala u trupëzua për njeriun që ai të hyjnizohet”. Në këtë frazë të Athanasit të Madh koncentrohet mesazhi i Krishtlindjes. Krishti erdhi që t’u dhurojë atyre që me të vërtetë e besojnë Atë dhe që i ofrojnë grazhdin e shpirtit të tyre jo thjesht jetë më të mirë, por një jetë të amshuar. Kjo që po kremtojmë sot, përbën për sa i përket thjeshtësisë, një kapërcim të madhërishëm të së pamundurës. Perëndia u bë njeri për t’i udhëhequr njerëzit në hyjnizim.
Këto të vërteta që shpallen me Lindjen e Shpëtimtarit, e kalojnë pengesën e logjikës së vendosur njerëzore dhe çelin horizonte të reja për të ardhmen e njeriut. Ato zbulojnë vlerën e pallogaritshme të tij dhe mundësitë e dhëna nga Hyjnia që ai ka fituar pas Lindjes së Perëndisë – njeri.
II
“Na vizitoi që lartazi Shpëtimtari ynë.” Por, duke marrë natyrën njerëzore, Krishti jetoi të vërtetën e ashpër të jetës njerëzore dhe madje që foshnjë, përballoi skamjen, mërgimin, përndjekjen. Ardhja e Atij që do të bëhej zgjidhja e tragjedisë njerëzore, ishte e lidhur me pengesat njerëzore të vogla e të mëdha: me skandalizimin e mbrojtësit të tij Josif, e pastaj me indiferentizmin e banorëve të Betlehemit për t’i dhënë strehë, më vonë me përndjekjen maniake të Herodit dhe mërgimin e tij në Egjipt.
Por kujdesi hyjnor ishte i pranishëm në çdo çast të jetës së Jisuit të porsalindur, duke vepruar pa bujë. Në kapërcimin e rrugës së parë pa krye kontribuoi, fillimisht, gjakftohtësia dhe dashamirësia e Josifit, i cili, “duke qenë i drejtë”, nuk nxitoi të bënte veprime, por me durim kërkoi të gjente të vërtetën, madje në këtë kontribuoi edhe qetësia e së Tërëshenjtës, siguria e saj se Perëndia do të ndriçonte mbrojtësin e saj dhe do të jepte zgjidhje.
Për kapërcimin e rrugës pa krye, që shkaktoi indiferentizmi i banorëve të Betlehemit, nuk u ndërtua asnjë pallat. Ngrohtësinë e domosdoshme e ofruan njerëzit e shenjtë që ishin pranë Tij, kafshët, qumështi i paktë, barinjtë që u lajmëruan në mënyrë të mrekullueshme. Së fundi, në rastin e kërcënimit nga Herodi nuk u bë asgjë fantazmagorike. Një lajmërim në kohë dhe ikja në një vend të sigurt.
Këto hollësira në tregimet e Krishtlindjeve zbulojnë diçka nga mënyra me të cilën shfaqet mbrojtja e Perëndisë mbi njerëzit e Vet. Për kapërcimin e mbrapshtive të përditshme dhe të rrugëve pa krye në jetën tonë, Ai përdor kombinime të qeta, të mrekullueshme.
“Na vizitoi që lartazi Shpëtimtari ynë”. Këtu në Shqipëri, për herë të parë sivjet, pas shumë dekadash deliri ateist, Krishtlindjet bëhen prapë festë zyrtare, festë e vendit. Vështirësitë dhe shqetësimet nuk pushojnë së na bëri presion. Por tani ka një ndryshim thelbësor: Shumica dërrmuese e popullit e ka kuptuar se problemet e mëdha që janë akumuluar, nuk do të zgjidhen me përbuzjen e vjetër vetëdashëse ndaj Perëndisë, me qëndrim arrogant, që e çuan vendin në tragjedinë e sotme, por me besim te Perëndia, me ndriçimin dhe fuqinë e Tij.
Veçanërisht për ne të krishterët, Jisu Krishti, Lindjen e të Cilit kremtojmë sot, mbetet shpresa, gëzimi, fuqia jonë, “porta” nëpërmjet së cilës hapen kalime në muret e mbyllura nga problemet dhe rrugët pa krye të çdo natyre qofshin. Duke u frymëzuar dhe ndriçuar nga prania e Emanuelit, duke thirrur “Perëndia me ne”, përpiqemi për rimëkëmbjen e Kishës sonë, për riorganizimin e shoqërisë sonë, duke i mbajtur sytë te Jisui Perëndi-njeri, i Cili garanton kapërcimin e gjithçkaje që për nga mundësitë njerëzore është e paarritshme.
Sa më shumë që lidhemi me Të, sa më thellë qëndron Ai në zemrën tonë me hirin e mistereve të Kishës së Tij, aq më shumë do të shohim që vështirësitë e ndryshme personale, familjare dhe shoqërore të mposhten me ndërhyrjet mrekulliberëse të Perëndisë. Dhe së fundi, të gjithë ata që jetojnë “në Të”, me veprimin e Shpirtit të Shenjtë, bëhen edhe ata vetë faktorë për kapërcimin e rrugëve pa krye në mjedisin e tyre. Çajnë kalime e rrugë paqeje dhe pajtimi, edhe aty ku të gjitha duken të mbyllura: të mbyllura nga ashpërsia dhe sëmundja e egoizmit njerëzor; të mbyllura nga urrejtjet dhe ekseset luftënxitëse.
Me gjithë zemër uroj që besimi se “Na vizitoi që lartazi Shpresëtari ynë” – Perëndia i së vërtetës, fuqisë dhe dashurisë – të ndriçojë përditë mendjen tonë, të ngrohë zemrat tona dhe të udhëheqë ve-primet tona, duke hapur rrugë nëpër pengesa të shumta të pakalueshme që ngrihen para nesh. Kapërcimi i rrugëve pa krye mbetet mesazhi qendror i Krishtlindjeve dhe përvojë personale e të gjithë atyre që jetojnë me Krishtin.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.