Kundër dhunës – Krishtlindje 2000

Kundër dhunës – Krishtlindje 2000

“Edhe kjo do të jetë shenja për ju do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd.” (Luk. 2:12)
A
Në agimin e mijëvjeçarit të tretë, ne psalim përsëri: “Lavdi Perëndisë që është në më të lar tat, edhe paqe mbi dhé”, ndërkohë që dhuna ka marrë revan. Me forma të shumëllojshme: me konflikte të armatosura, luftëra civile, trazira shoqërore dhe krimin e organizuar. Dhuna e çdo forme bëhet protagoniste si në ngjarjet mbarëbotërore, ashtu dhe në ato lokale. Pikërisht për këtë, përpjekja më e rëndësishme e të gjithë atyre që u dhimbset e tashmja dhe e ardhmja e njerëzimit është lufta kundër dhunës. E kremtja e Krishtlindjeve na zbulon sekretin shpirtëror për të mposhtur dhunën. Ajo shpall me ngazëllim atë që engjëlli u tha barinjve të Betlehemit: “Mos u frikësoni, sepse ja, tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht. Edhe kjo do të jetë shenja për ju: do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd” (Luk. 2:11-12).
Shpëtimi, që e dëshirojnë aq shumë njerëzit dhe që e shpall Ungjilli, nuk vjen si një hero i armatosur, me shtabe njërëzish të fuqishëm dhe të ditur. Ai vjen me një foshnjë duke përmbysur plotësisht agresivitetin klasik dhe taktikën tradicionale të mbrojtjes. Shpërblyesi “mishërohet”, integrohet te njerëzimi në një mënyrë që befason çdo arsye njerëzore. I kundërvihet dhunës, në formën mahnitëse të një fëmije të pafajshëm. Paralajmëron kapërcimin e tmerrit dhe të akteve të dhunës me një imazh të papritur: vështrimin e një foshnje që rrezaton dritë në një grazhd. “Edhe kjo do të jetë shenja për ju: do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd”. Shpëtimtari i botës, e cila sundohet nga dhuna, vjen pa pasuri, pa pushtet tokësor. Ai nuk synon të bindë me natyrën e Vet hyjnore, duke e argumentuar lirinë njerëzore. Vjen qetësisht, për t’u bërë një me ne -jashtë mëkatit dhe, natyrisht, jashtë agresivitetit.
Foshnja i Betlehemit është “fëmija” që kishte parathënë Isaia, “në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë… dhe paqja e tij s’do të ketë mbarim” (Isaia 9:5-6). Sado që të duket se dhuna do të mbetet sunduesja e përhershme në skenën e njerëzimit, përfundimisht, e ardhmja i takon të porsalindurit, që është “Perëndi i fuqishëm, i pushtetshëm, sundues i paqes, atë i shekujve”. Kjo gjë lartësohet si një simbol i përjetshëm kundër dhunës. Në këtë përmbledhje tronditëse të profetit për Mesinë, bën pjesë siguria e të krishterëve për të ardhmen – për të ardhmen tonë dhe të botës – fuqia dhe shpresa jonë.
Shumë herët, “fëmija” përballet me dhunën e pushtetit politik, të tipit të Herodit, dhe më pas me atë të mentalitetit judaik – të farisenjve dhe saducejve. E tërë jeta dhe doktrina e Tij do të jetë fjalë dhe veprim kundër dhunës, kundër logjikës që mbështetet në thënien “Sy për syrin”. “Keni dëgjuar se është thënë: Të duash të afërmin tënd dhe t’i kesh mëri armikut tënd. Po unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri juve…” (Matth. 5:43-44). Në çastin e vdekjes, me Kryqin e Tij do ta shkatërrojë dhunën dhe me Ngjalljen e Tij do të shkatërrojë formën më të keqe të dhunës, atë të vdekjes. Të gjithë sa E besuan dhe E deshën, e dinë fare mirë se Foshnja i Betlehemit është Perëndia i pakrijuar, i pakohë dhe i pakonceptueshëm, që kthehet në qenien njerëzore që krijohet, prishet dhe vdes për ta çuar drejt kapërcimit të çdo forme shtrëngimi të dhunshëm, në pjesëmarrjen sipas hirit në jetën e Tij të ringjallur.
B
“Edhe kjo do të jetë shenja për ju: do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd”.
Pra, kjo foshnjë, që veçanërisht këto ditë ndodhet në qendër të adhurimit tonë, është “shenja” e përjetshme, që frymëzon një luftë të vazhdueshme kundër dhunës, e cila lëndon jetën njerëzore në nivel ndërkombëtar dhe lokal, në forma të dukshme, por edhe të fshehta. Si rregull, me prirje më të madhe ndaj ngasjes së dhunës janë ata që kanë pushtet – politik, ekonomik, administrativ. Sepse ata kanë mundësi për të imponuar çka u intereson me mekanizma të ndryshëm; me metoda autarkike, me dhunimin e informacioneve, lavazhin e trureve elektronikë dhe njerëzorë, me kërcënime dhe blerje ndërgjegjesh.
Por, dhuna nuk gjendet vetëm aty ku janë fuqitë e mëdha, as vetëm aty ky mjetet e komuni- kimit masiv na drejtojnë vështrimin. Ajo vihet re edhe në vende më të vogla, në qytete, në fshatra, në komuna e kudo ku jetojnë njerëz. Zakonisht, viktima të saj janë anëtarët e pambrojtur të shoqërisë, të moshuarit, gratë dhe fëmijët. Shumica nga ne e kemi ndeshur fytyrën e ashpër të saj që në vitet e fëmijërisë. Më të vjetrit e kanë hasur që në vitet e pushtimit të huaj dhe të sistemit totalitar, ku dhuna ushtrohej hapur. Më të rinjtë e shohin herë pas here të lëvizë përsëri në vend me trazirat e brendshme të dhjetëvjeçarit të kaluar, por edhe në tragjedinë e shumanshme të Ballkanit. Dhuna na befason me format e shumëllojshme të kriminalitetit, të përdhunimit të grave të reja, por dhe të fëmijëve, si dhe të gjakmarrjes që mundon brezat; na tremb me asgjësimin e personalitetit njerëzor me anën e narkotikëve, me shpërthimin e akteve të dhunshme nëpër stadiume. Disa nuk ngurrojnë që, në vallen e egër të dhunës, të thurin edhe parulla fetare.
Por, më e rëndësishmja është se virusi i dhunës qëndron në pritje brenda nesh dhe në çaste kritike shfaqet në marrëdhëniet tona me të tjerët. Le të mos e nënvleftësojmë agresivitetin e fshehur në çdo zemër njerëzore. Kisha jonë, në mënyrë të përsëritur dhe në veçanti gjatë kësaj të kremteje të madhe, na fton në një përpjekje të ndërgjegjshme për mposhtjen e dhunës. Njëkohësisht, na zbulon se, pas shfaqjes së saj, normalisht gjendet pangopësia, ambicja, urrejtja, egoizmi, pasionet e çdo forme. Ajo thekson se “Princi i Paqes” lind brenda një thjeshtësie absolute. Kjo mbetet antidoti kundër grykësisë, që si rregull ndez dhunën.
Besimi orthodhoks na nxit për të filluar përpjekjet që brenda vetes, që nga mënyra se si men- dojmë ose kërkojmë për të imponuar pikëpamjet tona, në shtëpi, në mjedisin e punës dhe atë shoqëror. T’i shmangemi çdo sjelljeje të rrëmbyer e ofenduese dhe çdo tendence për dhunë. Sepse dhuna nuk shprehet vetëm duke ngritur zërin dhe me zemërim. Ajo shpesh lëviz me qëndrueshmërinë e një mjeti me zinzhirë, që e drejton inati dhe mendjemadhësia, duke sheshuar çdo gjë. Ndonjëherë ajo adopton edhe metoda joshëse për të dhunuar vullnetin dhe lirinë e të shumtëve.
**
Vëllezër, në këtë të kremte të madhe le t’i lutemi Shpëtimtarit, “Fjalës së përjetshme,… Atij që me dashje u shfaq si fëmijë i vogël, Perëndisë së para gjithë shekujve”, që të qetësojë planetin tonë të trazuar nga shtrëngata e dhunës. Le të lutemi me gjithë zemër që të ndërpritet çdo formë dhune në vendin dhe në rajonin tonë, dhe mbi tokë të mbizotërojë paqja e Tij. Njëkohësisht, le të marrim vendimin e palëkundshëm, për të luftuar e për të mposhtur dhu- nën kudo ku kemi mundësi: në jetën tonë familjare, shoqërore dhe politike, por edhe në kriza ndërkombëtare. Ndoshta, në pamje të parë dukemi të pafuqishëm, si zero të parëndësishme në llogaritë e të fuqishmëve. Por, pas Njëshit, mposhtësit të dhunës, të gjithë ne shtojmë miliona mundësi. Të mos e lëmë shpresën të na thyhet. Para së gjithash, le ta ndalojmë agresivitetin tonë-në veprat, fjalët, sjelljen tonë-duke u frymëzuar dhe duke marrë fuqi nga Princi i Paqes, Krishti, Lindjen e të Cilit kremtojmë sot.
Për shumë vjet, me paqe të thellë në zemrat tona!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.