“Lavdi Perëndisë që është në të lartat, edhe paqe mbi dhe, pëlqim në njerëzit.”
(Luk. 2:14)
Brenda shqetësimit dhe panikut që kanë shkaktuar gjatë muajve të fundit format e reja të te- rrorizmit, brenda pasigurisë që trondit botën, ky himn engjëllor merr një aktualitet të veçantë. Por, veç ngjarjeve tronditëse, që paraqiten herë pas here nga mjetet e informimit, paqja minohet dhe shkatërrohet nëpër qytete e fshatra, në familjet dhe brenda zemrës sonë me mënyra të ndryshme, të cilat nuk ngjallin dyshime. Jo të gjitha nga këto bëjnë zhurmë, por mbeten shkatërruese, ashtu si kanceri për organizmin. Pasionet prishëse dëbojnë paqen nga shpirtrat e njerëzve. Ato imponojnë përshtjellim dhe tronditje.
A
Në këtë situatë të zymtë që rëndon zemrat e njerëzve të panumërt, Kisha na fton që të tregojmë kujdes dhe të përsërisim me shpresë himnin engjëllor “Lavdi Perëndisë që është në të lartat, edhe paqe mbi dhé”. Për të gjithë ata që janë rritur pa besim, kjo zakonisht dëgjohet si përrallë. Për të gjithë ne që besojmë te Perëndinjeriu Jisu, himni i engjëjve gjatë Lindjes së Tij përmbledh shpresën dhe fuqinë tonë për neutralizimin e trazirës shumëformëshe, që shtrihet, si një radioaktivitet i rrezikshëm, në tokë; por edhe për kapërcimin e shqetësimit tonë personal.
Njëkohësisht, duke u bërë njeri i Biri i Perëndisë, përcaktohen edhe rrjedhojat bazë të veprës së Tij: Lavdia dhe Paqja. Lavdi madhështisë hyjnore të paanë dhe paqe mbi dhé. Nuk është fjala thjesht për një urim, por për një premtim thelbësor që i referohet shpëtimit të krejt njeriut, i cili fillon me mishërimin e Fjalës së Perëndisë, duke pasur si perspektivë që të përfundojë në fundin e historisë, “në fundin e botës”. Kjo paqe nuk varet nga konsultimet njerëzore dhe interesat vetjake të të fuqishmëve. Ajo ka si pikënisje Perëndinë e dashurisë. Ndaj, fraza e parë është “lavdi Perëndisë që është në të lartat”. Eshtë fjala për ngjarjen kryesore që lavdëron Perëndinë.
Në jetën e Krishtit, që arriti kulmin në Kryq dhe në Ngjalljen e Tij, u zbulua paqja poliedrike që Ai i fal botës. Perëndia, tek i Cili kemi mbështetur besimin, është “Perëndi i Paqes” (Filip. 4:9). Paqja zë fill nga thellësia e qenies njerëzore, për t’u bërë fuqia mirëbërëse që qetëson mbarë botën. Paqja, të cilën shpall Dhiata e Re, është shumëdimensionale: personale, shoqërore dhe njëkohësisht, shenjtëruese, totale, eskatologjike.
Kuptimi i krishterë i paqes së brendshme është diçka më e thellë dhe më e gjerë se qetësia e stoikëve apo nirvana e budistëve, dhe nuk ka të bëjë fare me apatinë për çka ndodh rreth nesh. Ungjilli na zbuloi se e kundërta e paqes nuk është lufta, por egoizmi, egocentrizmi personal, komunitar, kombëtar, racial. Këtu gjendet rrënja e kërcënimit të paqes dhe këtu duhet të përqendrohet vëmendja dhe përpjekja jonë.
Përvoja orthodhokse shpirtërore nuk synon një paqe konvencionale, sipërfaqësore, të kushtëzuar vetëm në disa rajone, por paqen e plotë, me të tjerët, me veten tonë, me Perëndinë, me mbarë krijesën.
B
“Lavdi Perëndisë që është në të lartat dhe paqe mbi dhé”. Kohët e fundit, në leksikun e njerëz-ve, të vegjël dhe të mëdhenj, mbizotërojnë fjalët “terrorizëm”, “dhunë”, “luftë”. Por, me gjithë interesimin e shumanshëm për sundimin e paqes, shumë deklarata ngjajnë me maska që fshehin interesa vetjakë. Dhunimi më tragjik sot është dhunimi i paqes aq të dëshiruar. Ndonjëherë e ndiejmë veten të lodhur duke dëgjuar për paqen e përbotshme të tradhtuar dhe të dhunuar. Gjithsesi, e përhershme mbetet dëshira e njerëzve për bashkëjetesë paqësore. Dhe Kisha jonë lutet vazhdimisht “për paqen e mbarë botës”, “për paqen nga lart”. Paqja nuk mund të sigurohet në mungesë të Perëndisë. Këtë të vërtetë, shumë njerëz në epokën e sotme, madje edhe ndërmjet të krishterëve, e harrojnë lehtësisht.
Për të kremtuar më thelbësisht festën e Krishtlindjeve,- tej urimeve formale- duhet që ta pranojmë në jetën tonë paqen, duke pasur si udhërrëfyes dhe frymëzues “Princin e Paqes” (Isaia 9:16). Detyrë imediate e të gjithë neve që besojmë te “Perëndia i paqes”, që E lavdërojmë me himnin e engjëjve, është, së pari, të jemi në brendësi paqësorë. “Kërkoje paqen dhe ndiqe atë”, na nxit Davidi (Psalm. 33:15). “Kini paqe, dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë bashkë me ju” (II Korinth. 13:11), këmbëngul Apostull Pavli. Kjo është rruga e sigurt që të çon në përsosjen shpirtërore: “Kërkoni paqe me të gjithë, dhe shenjtëri- min, pa të cilin, asnjë nuk ka për të parë Zotin” (Hebr. 12:14).
Së dyti, duhet të jemi faktorë paqeje. “Lum ata që bëjnë paqe, sepse ata do të quhen bij Perëndie” (Matth. 5:9). “Asgjë nuk është aq karakteristike për të krishterin, se sa të luftojë për paqen; ndaj Zoti na ka premtuar për këtë shpërblimin më të madh”, thotë Vasili i Madh. Ndaj, sa varet nga ne, le t’i mbajmë marrëdhënie paqësore në të gjitha drejtimet (“në është e mundur për aq sa varet nga ju, bëni paqe me të gjithë njerëzit” – Rom. 12:18). Gjithashtu, të mos qëndrojmë pasivë ndaj tensioneve dhe konflikteve që ndodhin rreth nesh-në mjedisin tonë familjar, shoqëror dhe fetar. Le të kontribuojmë me fjalën e urtë, heshtjen domethënëse, me tërë praninë tonë paqësore, në kapërcimin e keqkuptimeve, në pajtimin e personave dhe grupeve.
Kryesisht, le të mos harrojmë se paqja nuk mund të bëhet vetvetiu. Ajo ka lidhje me vlera të tjera, të rëndësishme të jetës; dhe, para së gjithash, me drejtësinë. Një botë e padrejtë, e paligjshme, nuk mund të presë paqe. Dëshira e vërtetë për paqe në nivel mbarëbotëror, lokal ose personal, shprehet me përpjekjen për drejtësi. Por sot, paqja dhe drejtësia kanë tashmë edhe një tjetër emër: “zhvillim”. Dhe të gjithë ne që kemi mundësi, duhet të kontribuojmë në zhvillimin e rajoneve më të varfra. Kur të tjerët, larg ose afër nesh, janë të privuar nga gjërat më të nevojshme për mbijetesë elementare, nuk është e çuditshme që të orientohen në drejtime të tjera dhe të adoptojnë pikëpamje të tjera, të rrezikshme, fetare mbi rëndësinë e jetës dhe të vdekjes. Dhe, sigurisht, nuk janë përgjegjës vetëm ata për këtë orientim tragjik.
**
“Lavdi Perëndisë që është në të lartat dhe paqe mbi dhé”. Vëllezër, në këtë të kremte të madhe të Kishës sonë, le të përpiqemi më shumë për të kuptuar lidhjen e paqes dhe besimit te Perëndia, lidhjen e paqes dhe drejtësisë, lidhjen e paqes me dashurinë dhe gëzimin. Le të bashkohemi më tepër me “Princin e Paqes” të porsalindur. Dhe le të kërkojmë të na japë paqen e Tij, ashtu si Ai e shpalli dhe e jetoi. Në vend të dhuratave të tjera dhe urimeve, le të bëjmë përpjekje konkrete për ta shtuar paqen brenda vetes, brenda shtëpisë, në mjedisin ku rrojmë, në shoqëri, në vendin tonë.
“Edhe paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje (që është e pakapshme për trurin njerëzor) do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja me anë të Jisu Krishtit” (Filip. 4:7).
Krishtlindje të mbara, vëllezër! Le të na mbushë zemrat, shoqërinë, botën me më shumë paqe, me paqe autentike!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.