Figura të kundërta të fetarisë
Periudha e Triodit, që fillon sot, është një ftesë për zgjim dhe pendim, për të rizbuluar kuptimin e jetës. Është një ftesë për të riparë sjelljen tonë ndaj të tjerëve, sjelljen tonë ndaj vetes dhe me Perëndinë. Në prag të kësaj periudhe, si një ilaç i fortë shërues, na pret paravolia e Tagrambledhësit dhe Fariseut, e cila mbetet aktuale në çdo kohë. Krishti e tha këtë paravoli për ata që janë të sigurt se kanë besimin e vërtetë dhe që e drejtësojnë vazhdimisht veten e tyre.
Ngjashmëri dhe ndryshime
Protagonistët e kësaj paravolie kanë në vetvete disa karakteristika të përbashkëta, por njëkohësisht ekzistojnë edhe ndryshime rrënjësore midis tyre.
Pikë së pari, ata besojnë të dy në të njëjtin Perëndi, kanë po të njëjtën fe, pranojnë rëndësinë e adhurimit publik dhe ndodhen njëkohësisht në tempull, duke u lutur.
Por, nëse qëndrimet e tyre të jashtme janë të njëjta, prirjet e tyre të brendshme janë të kundërta. Secili prej tyre e shikon në mënyrë krejt të ndryshme të afërmin, veten e tij dhe Perëndinë.
Teksa lutet, Fariseu merret më së shumti me mëkatet e të tjerëve: “O Perëndi, të faleminderit, se nuk jam si njerëzit e tjerë, rrëmbyes, të paudhë, të përdale…”. Nuk kufizohet vetëm në krahasime të përgjithshme, por kritikon njeriun që ka pranë, për ta bërë më të qartë dhe të pakundërshtueshëm superioritetin e tij, se ndihet më lart se të tjerët teksa thotë: “… ose edhe si ky tagrambledhës”.
Në të gjitha kohët ka pasur shumë njerëz që kanë kërkuar të lartësojnë veten e tyre, duke e krahasuar me të tjerët. Këta njerëz përdorin fjalë të shumta për të gjykuar gabimet e të tjerëve dhe përpiqen të fshehin dobësitë e tyre madje edhe nga vetja e tyre.
Kryesisht Fariseu merret me të tjerët, duke i akuzuar dhe nënçmuar. Por në thelb, qendra e vëmendjes mbetet vetja e tij: “Ndenji e falej me veten e tij”. Ky tjetërsim është katastrofë. Fariseu mendon se arritjet e tij vijnë për shkak të përpjekjeve dhe aftësive të tij të veçanta; ai himnon veten, admiron veten dhe idhullit të vetvetes i ofron temjan.
Tagrambledhësi nuk merret me njerëzit e tjerë dhe me gabimet e tyre. Ndoshta edhe ai, po të donte të justifikohej, do të gjente shumë lehtësime për veten, se për shembull, në jetën e tij nuk kishte pasur mundësi shpirtërore si të tjerët, që merreshin vetëm me jetën fetare, siç ishte rasti me farisenjtë.
Me këmbëngulje, tagrambledhësi e përqendron vështrimin në thellësinë e zemrës së tij. E shikon atë si fajtore. “Po rrihte kraharorin e tij, duke thënë: O Perëndi, falmë mua mëkatarin”. Përkundrazi, fariseu e mbështet gjykimin e tij në sipërfaqe, në disa gjëra të jashtme; në faktin se kreshmon dy herë në javë, se është korrekt në pagesën e taksës së caktuar nga Ligji i Moisiut.
Marrëzi egoiste
Këto dy tipologji karakteresh janë në kundërshtim dhe me veten e tyre, sepse kanë qëndrime të ndryshme ndaj Perëndisë. Kjo ndodh, pavarësisht se lutjet e tyre fillojnë me të njëjtën fjalë: “O Perëndi”. Gabimet e tagrambledhësit mund të kenë shkaktuar një gërryerje të jashtme në jetën e tij. Por në thellësi, bërthama e personalitetit të tij njerëzor ruan ndjesinë e mirë dhe nostalgjinë për Perëndinë. Krenaria e sëmurë e Fariseut e ka vënë në gjumë dhe helmuar sa hap e mbyll sytë thelbin e qenies së tij njerëzore dhe kalbëzimi ka dalë përjashta, edhe pse në dukje lëvozhga ngjan e shëndetshme. Etërit shpirtërorë janë në një mendje se rrënja e mëka- tit dhe e rebelimit kundër Perëndisë është egoizmi, pavarësisht nga forma se si shfaqet apo maska që vë. Sepse, në fund të fundit, egoizmi e nxjerr Perëndinë nga qendra e jetës njerëzore dhe në vend të Tij vendos njeriun. Kjo gjendje është mohim i Perëndisë.
Për ta përmbledhur, Fariseu jeton në një paralogjizëm. Ai iluzionin se ka marrëdhënie të shkëlqyera me Perëndinë, se është i afërt me Perëndinë, se ka fituar dashamirësinë hyjnore, për shkak të atyre gjërave të parëndësishme, të cilat i përmend në lutjen e tij.
Nga ana tjetër, doganieri, i kthjellët dhe me shpirt të dërrmuar, nuk ka aspak besim te vetja apo te veprat e tij, por mbështetet te Perëndia dhe ia dorëzon veten mëshirës së Tij.
Dhe Krishti merr vendimin: “Po ju them juve, se ky zbriti në shtëpinë e tij më i drejtësuar se ai, sepse kushdo që ngre lart veten e tij, do të përulet; dhe ai që përul veten e tij, do të ngrihet lart”.
Po ne, në cilën kategori bëjmë pjesë?
Vëllezërit e mi, nëse i shikojmë këto dy tipologji njerë- zish në marrëdhënien me veten, cilat prej karakteristikave të tyre do të dallonim se ekzistojnë edhe në jetën tonë? Në cilën nga këto dy kategori bëjmë pjesë? Ka shumë mundësi të bëjmë pjesë në të dyja. Me shumë gjasë, te ne kryqëzohen të dyja rrjedhat. Nga njëra anë, brenda nesh ka shumë elemente fariseike të besimit të tepruar te vetja jonë dhe të krenarisë së sëmurë; dhe, nga ana tjetër, ekziston një dëshirë e mirë për të pasur dërrmim shpirtëror, si ai doganierit dhe për të kërkuar Perëndinë. Çështja është se cila prej tyre do të mbizotërojë në fund fare.
Në kohën e kundërshtive, në të cilën jetojmë, vërejmë edhe një veçori tjetër origjinale, tragjikomike. Ka shumë njerëz që jetojnë si doganieri dhe mburren si fariseu. Ata shpallin me të madhe se nuk besojnë shumë, se nuk janë hipokritë. Nuk duan t’ia dinë për moralin. Por, nga ana tjetër, mburren me pamje prej fariseu se nuk janë mendjengushtë si fetarët. Nuk e çojnë ndër mend aspak, se kur hedhin gurin e anatemës kundër atyre që i quajnë padrejtësisht “farisenj”, në të vërtetë gjuajnë me gurë veten e tyre. Kjo ndodh ngaqë karakteristika e vërtetë e farisei- zmit është pohimi “nuk jam si njerëzit e tjerë”.
Kjo lloj kategorie haset te qarqet e njerëzve me men- talitetin e botës; por ka edhe një mutacion tjetër, të tretë, që e gjejmë rëndom te rrethi i njerëzve të Kishës. Do ta quaja si një formë ku ndërthuren frazat e doganierit dhe morali i fariseut. “Perëndia të na mëshirojë”- “Perëndi, mëshiromë mua mëkatarin”, – thonë në kishë. Pastaj, në jetën e tyre të përditshme dhe kur bëhet fjalë për njerëz të tjerë, nuk mënojnë t’i “stolisin” me karakterizime nën- çmuese apo zhvlerësuese. Kjo është ndërthurje doganiero- fariseike “e një besimtari”, që luhatet midis frazeologjisë së doganierit dhe moralit të fariseut.
Në periudhën e Triodit, që po fillon, Kisha na vjen në ndihmë që të ndërgjegjësohemi dhe të bëjmë një autokritikë sa më thelbësore. Në këtë periudhë është bërë traditë që njerëzit të ndryshojnë pamjen e tyre të vërtetë, duke veshur maska të ndryshme gjatë Karnavaleve, të cilat i zgjedhin vetë. Por, për të krishterët që kërkojnë pastrimin e brendshëm dhe ekuilibrin shpirtëror, që kërkojnë fytyrën e Perëndisë dhe fytyrën e tyre të vërtetë, është një rast unikal për t’u lehtësuar nga çdo lloj “maske” dhe për të kuptuar elementet kundërthënëse, maskat e ndryshme, që zakone të caktuara ia kanë veshur fytyrës sonë. Është një rast për të vënë re elementet fariseike që kanë depërtuar brenda nesh dhe për të rigjetur fytyrën e Perëndisë, fytyrën tonë të vërtetë dhe të të tjerëve.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)