E DIELA E TAGRAMBLEDHËSIT DHE FARISEUT

E DIELA E TAGRAMBLEDHËSIT DHE FARISEUT

E DIELA E TAGRAMBLEDHËSIT DHE FARISEUT
(Llukai 18:10-14)

“Dy njerëz u ngjitën në tempull që të faleshin” (v. 10).
T riodi, para së gjithash, është një periudhë e përshtatshme për meditim dhe pendim. Në mënyrë metodike dhe pedagogjike, nëna jonë, Kisha e Shenjtë e Krishtit, përgatit të kri- shterët edhe me leximet e shenjta gjatë të dielave, që t’u falemi me pendim pësimeve të shenjta dhe Ngjalljes së lavdishme të Zotit. Ja pra, sot fillon dhe mësimdhënia e mrekullueshme e lutjes së përulur.
I
Dy njerëz shkuan në Tempullin e Solomonit që të luteshin. Njëri ishte farise, domethënë i përkiste asaj klase që dallohej për përkushtimin në ritet e fesë, por zemrën e kishte larg Perëndisë dhe vullnetit të Tij të shenjtë. Këta njerëz, nga jashtë, dukeshin si shpresëtarë, por në realitet nuk donin as Perëndinë, as njerëzit e tjerë. Donin vetëm veten e tyre. Ngjanin, ashtu siç tha Zoti në një moment tjetër: “me várre, që nga jashtë duken të bukur, por nga brenda janë të mbushur me ndyrësi” (v. 10).
Tjetri ishte tagrambledhës. Mëkatar edhe ky, ashtu si i pari. Puna e tij ishte që të mblidhte taksat e shtetit romak. Një zanat i përfolur për padrejtësinë dhe shtypjen, që ishin karakte- ristikat e tij kryesore.
Fariseu, i fryrë nga mburrja dhe krenaria, tha: “O Perëndi, të faleminderit, se nuk jam si njerëzit e tjerë, rrëmbyes, të paudhë, të përdalë, ose edhe si ky tagrambledhës. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën nga të gjitha ato që fitoj” (v. 11:12).
Fariseu nuk sheh të mirat e të tjerëve, por vetëm mëkatet e tyre. Gjithashtu, për sa i përket vetes, sheh vetëm virtytet e tij, në dukje, dhe jo pasionet e mangësitë që ka. Diçka e ngjash- me ndodh edhe me ne. Krenohemi për virtytet tona të veçanta pa konstatuar, njëkohësisht, edhe mangësitë tona. Flasim për të këqijat e të tjerëve, pa parë edhe të mirat. Kjo është një sëmundje. Dhuntitë tona të natyrshme janë dhuratë e Perëndisë, jo tonat. Pra, pse mburremi? Kjo është vjedhje. Dikush mburret se nga një fëmijë i varfër, me aftësitë e tij, përparoi dhe zuri një vend në shoqëri. Por, harron se në përparimin e tij kontribuuan, përveç vullnetit të tij, edhe faktorë të tjerë, si prindërit me ushqimin, mësuesit me mësimdhënien, shokët me këshillat, etërit shpirtërorë me dashurinë dhe, mbi të gjitha, Perëndia. Të tjerë mburren me virtyte të cilat nuk i kanë. Të tjerë ngjajnë me prijësin e lashtësisë, Thrasilon, i cili, duke ecur në breg të detit, thoshte se të gjitha anijet janë të miat.
II
Por le të shohim se si u lut personi i dytë i shëmbëlltyrës, Tagrambledhësi. Ai qëndroi larg altarit dhe nuk kishte guximin të ngrinte as sytë në qiell. I druajtur dhe i përulur, godiste vazhdimisht gjoksin e tij dhe, me pendim të vërtetë e dërrmim shpirtëror, thoshte: Perëndia im dhe Zoti im! Jam shumë mëkatar. Të të vijë keq dhe falmë mua. Nuk thoshte çfarë bëjnë njerëzit e tjerë, nëse shkelin ligjin e Perëndisë, por mendonte dhe ndiente mëkatet e veta dhe vazhdimisht luste Perëndinë që ta falte. Ç’ndryshim i madh midis lutjes së kryelartit dhe egoistit Farise, dhe lutjes së Tagrambledhësit të penduar e të përulur! Përulësia është ilaçi që na shëron nga sëmundja e frikshme e krenarisë. Përulësi, do të thotë të shohim mangësitë tona dhe virtytet e të tjerëve. Të mos shohim virtytet tona dhe mangësitë e të tjerëve. Tagrambledhësi ka ndjesinë e thellë të mëkateve të veta. Shembull i ndjenjës së thellë është qëndrimi i tij, vendi i tij, fjalët e tij. Nuk zemërohet kur dëgjon fariseun që e përbuz. Bëhet më i përulur. Ky bënte jetë mëkatare dhe fjalët e lutjes së tij të përulur shuan veprat e tij djallëzore. Fariseu bënte jetë të drejtë, por fjalët e lutjes së tij krenare shkatërruan veprat e tij të drejta!
***
Duhet edhe ne të shohim mangësitë tona. Sado të privilegjuar qofshim, nuk jemi të panjollshëm, të pamëkatshëm. Mund të mos jemi vrasës, por kemi zemërim, dhe jemi përgje- gjës jo te fryti, por te rrënja e së keqes. Mund të mos jemi të përdalë, por kemi dëshira të papastra, të cilat, edhe pse nuk ndotin trupin, ndotin shpirtin. Nëse nuk shkatërruam të tjerë me duart tona, gëzohemi për të keqen e tjetrit. Domethënë nuk jemi keqbërës, por jemi herë-herë zemërligj. Por, sado suksese të kemi në jetë, sa dështime kemi pasur? Gjenerali Tirenas kishte arritur shumë fitore, por një herë u mund në Mariandhali. Sa herë e lavdëronin për fitoret e tij të shumta, përgjigjej: Mos harroni se dikur u munda në Mariandhali.
Ai që i sheh mangësitë e veta, ka shpresë te përparimi. Ai që nuk i sheh, qëndron në vend. Etërit e shenjtë na këshillojnë: “Nëse të sjell egoizëm e tashmja me sukseset e tua, le të të përulë kujtimi i së shkuarës me gabimet e saj”. Nuk duhet të shohim se cilat virtyte arritëm, por cilat duhet të arrijmë. Prandaj, as mangësitë e të tjerëve nuk duhet të jenë ushqim për egoizmin. Nëse gjendemi edhe ne, në kushtet që u gjend ai që mëkatoi, e dimë vallë se rënia jonë mund të ishte edhe më e madhe? Rëniet e të tjerëve duhet të na trembin dhe jo të na bëjnë krenarë.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, është e vërtetë se asnjë tjetër nuk do të donte të ngjante me Fariseun. Asnjë nga ne nuk do të mund t’i fliste Perëndisë si ai. Por shtrohet pyetja: Nëse shmangim krenarinë dhe mburrjen e Fariseut, arrijmë vallë të qëndrojmë pikërisht në pozitën e Tagrambledhësit? Kemi ndjenjë të njëjtë mëkatshmërie me të, frikë Perëndie të njëjtë me të, dërrmim shpirtëror të njëjtë me të?
Tipi i njeriut me vlera të vërteta, është ai që ndërthur përulësinë me mirëkuptimin, simpatinë dhe dashurinë në gabimet e të tjerëve. Nëse duam ta arrijmë te vetja jonë, një është rruga, ajo që të drejton te Krishti: “Mësoni nga unë se jam i butë dhe i përulur në zemër” (Matth. 11:29). Zoti ynë Perëndinjeri “na la shembullin që duhet të ndjekim gjurmët e Tij” (1 Petr. 2:21). Na dha shembull të përkryer, që të ecim sipas gjurmëve të Tij. Amin. U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 08.02.2009