E DIELA E ORTHODHOKSISË
“Eja dhe shih” (Joani 1:47).
Dy miq, Filipi dhe Nathanaili, takohen. Skeptik është i dyti. I gjallë dhe i gëzuar i pari, që i thotë Nathanailit: “Gjetëm Atë, për të cilin shkroi Moisiu dhe e parathanë profetët. Është Jisui nga Nazareti.”
Por, sa e çuditshme! Nathanaili nuk i përgjigjet entuziazmit të tij. Qëndron indiferent, i ftohtë, dhe i sinqertë, siç është, i thotë: “A është e mundur të dalë nga Nazareti famëkeq diçka emire?” Por Filipi nuk e humb guximin dhe as përpiqet që ta bindë.
“Eja dhe shih”, i thotë. Eja të shikosh vetë. Eja të shikojnë sytë e tu. Të dëgjojnë veshët e tu. Dhe atëherë do të dëshmosh të vërtetën.
***
Nathanaili, pas atyre që i tha Filipi, vjen të sigurohet vetë për Krishtin. Në momentin kur të dy miqtë iu afruan Jisuit, dëgjojnë Zotin të thotë për Nathanailin: “Ja një izraelit i pastër, në shpirtin e të cilit nuk ekzistojnë dinakëria dhe ligësia.” Nathanaili habitet për karakterizimin që i bën Krishti dhe e pyet: “Zot, nga më njeh?” Dhe Jisui, që ta bëjë të kuptojë më mirë se cili është, i thotë: “Para se të të ftonte Filipi, të pashë kur ishe në drurin e fikut, larg nga sytë e njerëzve”. Nathanaili mrekullohet edhe më shumë, sepse mendonte se asnjë nuk e kishte parë atje ku ishte. Kupton, pra, se Zoti nuk është njeri i zakonshëm, prandaj pushtohet nga një admirim i madh dhe pohon: “Rabi, ti je Biri i Perëndisë, ti je Mbreti i Izraelit”, sipas profecive. Atëherë Jisui i thotë: “U habite dhe besove sepse të thashë këto! Do të shohësh edhe më të mëdha. Dhe shton: po ju them me të vërtetë, se që tani e tutje do të shihni qiellin të hapur dhe engjëjt e Perëndisë, që po i shërbejnë Birit të Tij, duke u ngjitur dhe duke zbritur nga qielli në tokë…”
***
“Eja dhe shih.”
Kjo ftesë e apostull Filipit, shprehje e dashurisë prekëse ndaj mikut të tij, na drejtohet edhe neve. Është për secilin prej nesh.
“Eja dhe shih.”
Eja të njohësh Jisu Nazaretasin të përbuzur nga bashkatdhetarët e tij, dhe do ta ndiesh Bir të Perëndisë të Tërëfuqishëm, fitimtar të pamposhtur, kapiten të gjithurtë të anijes së Kishës. Dhe do të çuditesh nga mrekullia e mrekullive. Ka njëzet shekuj që Kishën e Tij e godasin dallgët e tërbuara të pabesisë, të përndjekjeve, të herezive e megjithatë, Orthodhoksia përleshet, përparon e patrembur, mbetet e palëkundur, e papërzier, fitimtare e botës.
“Eja dhe shih.”
Na thërresin dëshmorët e besimit tonë. Eja të shikosh Atë që armatos me fuqi të pathyeshme vajzat e reja e të dhembshura, madje edhe fëmijët njomëzakë. Dhe nuk tremben nga sëpata e xhelatit. Nuk tërhiqen nga premtimet për lumturi të përkohshme, e shpërfillin vdekjen dhe vazhdojnë të ecin drejt martirizimit “si për në panair”.
***
Shumë triumfe, arritje dhe fitore feston njeriu: pushtimi i hapësirës kozmike, kur këmba e tij shkeli në Hënë, kur dërgon satelitë në planetët e tjerë, kur një përparim teknik e lehtëson jetën e tij.
Nuk janë këto triumfet e vetme, sepse njeriu nuk është vetëm tru dhe arritje teknike. Është edhe frymë, edhe shpirt. Prandaj ekzistojnë edhe lloje të tjera triumfesh, triumfe në sferën shpirtërore. Një triumfi tillë është edhe triumfi i Orthodhoksisë.
Besimi orthodhoks, pas kaq shumë luftërash, nga persekutime dhe përndjekje, nga martirizime dhe katakombe, kaloi në triumf. Etërit e mëdhenj dhe sinodet e shenjta na falën të vetmin besim të saktë, të vetmin predikim të papërzier, dhe njëkohësisht me jetën dhe me shembullin e tyre, shenjtorët dhe oshënarët na dhanë modelin e përsosur. Lidhja e prediki- mit të pastër me jetën e shenjtë është Orthodhoksia.
Kjo është trashëgimia jonë e rëndësishme. Atë ftohemi që ta zgjedhim edhe në epokën tonë, në të cilën shumë e shumë armiq na sulmojnë. Dhe, nëse do të bëjmë një konstatim real, do të shohim se nuk janë vetëm këta armiqtë e Orthodhoksisë. Mundet që edhe ne, të krishterët orthodhoksë, të bëhemi armiq të Orthodhoksisë, kur kemi vetëm gjethe dhe jo fryte. Kur nuk shfaqim frytet e Shpirtit të Shenjtë: dashurinë, gëzimin, zemërgjerësinë, mirësinë, butësinë, drejtësinë dhe lejojmë të vendosen brenda nesh “armiqësi, grindje, smirë, zemërime, ndarje” (1 Kor. 3:3), atëherë “prej jush blasfemohet emri i Perëndisë” (Rom. 2:24). Sa herë kemi dëgjuar për njërin dhe për tjetrin të flasin keq. Hiqet si i krishterë, por është i atillë e i këtillë. Sa mbetën jashtë Tempullit të Perëndisë apo larg mistereve të Kishës, për shkak të sjelljes së pahijshme të njërit apo të tjetrit? Ky nuk është justifikim për ata që e thonë. Megjithatë, për besimtarët është një kambanë, që t’i zgjojë.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Është koha që të gjithë ne të përpiqemi për të jetuar lidhjen e vetme: të vërtetën dhe të shenjtën. Këtë Orthodhoksi, trashëgimi të çmuar, le ta bëjmë pronë dhe përjetim tonin. Le të jemi të qëndrueshëm e të palëkundur në mbrojtje të këtij thesari, që ta dorëzojmë të papërzier në brezat e rinj. Besim dhe moral. Besim i nxehtë, sipas dogmës orthodhokse të shndërruar në jetë shpirtërore. Jeta edhe shembulli, ndriçojnë rrugën e të tjerëve më tepër se një pishtar apo se çdo dritë. Shembulli thërret më fort se çdo zë tjetër. Të prek më shumë edhe se buzët më fisnike që thonë: “Eja dhe shih”.
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 16.03.2008