E DIELA II E KRESHMËS

E DIELA II E KRESHMËS

E DIELA II E KRESHMËS
(Marku 2:1-12)
“Bir, t’u falën mëkatet e tua.” (v. 2:5)

Gjendja e të paralizuarit, në pjesën e Ungjillit të sotëm, ishte më shumë se dramatike. Ishte një i vdekur i pakallur, i paaftë t’i afrohej Zotit të gjithëfuqishëm, që ndodhej në një shtëpi në Kapernaum. Duheshin disa veta për ta transportuar deri atje. Dhe u gjendën katër persona zemërdhembshur që e mbartën në një shtrat të rastësishëm.
Por, kur arritën në shtëpinë ku predikonte Zoti, ishte e pamundur të hynin brenda nga dendësia e njerëzve. Iu lutën turmës të lironin pak vend, por asnjë nuk krijoi një shteg për ta çuar brenda të gjymtuarin.
Me shumë mundim e ngjitën në çati shtratin me të paralizuarin. Zbuluan një pjesë të çatisë dhe e zbritën përpara këmbëve të Zotit. U habit atëherë Perëndinjeriu nga besimi dhe dashuria e tyre dhe, pasi dalloi arsyen morale të paralizës, që ishte pikërisht mëkati, rrënja e së keqes, thotë: “Bir, t’u falën mëkatet e tua”.
Disa shkrues të vendit, që ndodheshin atje, u skandalizuan dhe filluan të mendonin në zemrat e tyre: “Ç’flet ky kështu blasfemira? Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia?” Dhe menjëherë Jisui mori vesh, me fuqinë hyjnore të Shpirtit të Tij, mendimet e tyre të liga, si Perëndi që ishte, u tha: “Përse i mendoni këto në zemrat tuaja? Ç’është më kollaj, t’i them të paralizuarit, t’u falën mëkatet e tua apo t’i them, ngrihu i shëndoshë, merr shtratin mbi supet e tua dhe ec? Ju e konsideroni më të vështirë të dytën. Po që ta dini se i Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkate këtu mbi dhé i thotë të paralizuarit: – Ty që beson të them, ngrihu i shëndoshë, merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde”. Dhe në çast ai u ngrit i shëruar, mori shtratin mbi supe, si shenjë të mrekullisë, doli përpara të gjithëve duke lavdëruar Perëndinë. Kjo ua mbylli gojën shkruesve, por nuk i bindi. Për popullin ishte një habi e madhe. Dhe e gjithë gjindja vinin tek Ai dhe ndiqnin mësimet e Tij.
***
Fjala e Zotit edhe për ne është dritë, qortim dhe shërim. Ne, zakonisht, e shikojmë të keqen nga ana e jashtme. “Kam nerva, sepse jam i gjallë, jam gjaknxehtë thotë tjetri; jam i keq, sepse më detyron ambienti; kolegu, eprori më bëjnë të sillem keq; vjedh, betohem, zemërohem, gjykoj, sepse shoqëria është prishur, pretendon një i tretë. Por disa të tjerë shkojnë edhe më tej.
Fjala e Perëndisë, siç thamë më lart, është dritë, qortim, shërim, dhe e përcaktoi të keqen si tek i paralizuari, ashtu edhe te shkruesit, brenda tyre. Dhe me të vërtetë! E keqja është brenda nesh dhe jo jashtë. Dhe ja: Është e dukshme se ekzistojnë njerëz të këqij. Ekziston një dëshirë shkatërruese e trashëguar, ekziston Satanai. Është kaq e madhe e keqja jashtë nesh, saqë shën Pavli e quan Satanain “mbret të errësirës së kësaj jete” (Efes. 6:12). Gjithsesi, mbetet brenda nesh një zonë e vogël ose e madhe, në analogji me individin, në të cilën lëviz lirisht njeriu që është përgjegjës për bëmat e tij. Me këtë liri njeriu dallohet dhe tregohet më i lartë se kafshët.
Dhe, rrjedhimisht, ti që justifikohesh se nervat e tua janë shkaku i zemërimit tënd, pse nuk kujdesesh, me vullnetin tënd dhe me ndihmën e Perëndisë, të qetësohesh?
Kanë ekzistuar njerëz që zemëroheshin shpejt, të cilët, me dëshirën e tyre dhe me hirin e Perëndisë, aq shumë ndryshuan, saqë u bënë të panjohshëm. Thua se e ka fajin shoqëria ku jeton? Mashtrim! Shoqëria është ti dhe unë. Dhe nëse këtë e themi të gjithë, domethënë se e ka fajin shoqëria, cili do të jetë viktima dhe cili shkaktari? Kush e ka fajin që unë jam viktimë, kur edhe unë jam gjymtyrë e shoqërisë? Thua se e ka fajin trashëgimia? Por kush u fut në burg, se gjyshi i tij ishte hajdut? Në fund vendos si shkak të së keqes Perëndinë. Çfarë arrogance!
***
Por Krishti është dritë, qortim, dhe shërim. Predikimi i Tij të ndriçon. Nuk kanë faj nervat e tua, por pasionet e tua, që ngrihen dhe vendosen përpara teje si mur, si mjegull e dendur dhe të fshehin pamjen e Perëndisë dhe “urdhërimet e Tij që janë dritë mbi dhé”. Nuk e ka fajin shoqëria, prej së cilës ndikohesh negativisht, por fajtor je ti, sepse nuk ndikon pozitivisht në rrethin tënd shoqëror. Perëndia të ndriçon. Sado trashëgimi të keqe të kesh, Krishti ka aq fuqi, sa nga ferra të nxjerrë trëndafilin, sipas fjalës së popullit, domethënë nga prindër të këqij është e mundur të dalë një fëmijë i mirë. Ka aq dritë Krishti, sa të të thotë ty ato që u tha shkruesve “përse i mendoni këto në zemrat tuaja?” Pra, pse mendon keq për të tjerët dhe aq shumë e vlerëson veten tënde?
Fjala e Perëndisë nuk është vetëm ndriçim, por edhe qortim dhe shërim. Kur thua se e kanë fajin të gjithë të tjerët dhe se ti nuk ke faj, nuk mendon se je njeri zemërgur? Kur pretendon se trashëgimia jote është e keqe dhe nuk mund të bëhesh i mirë, nuk kupton se je i paaftë të përparosh? Nuk ekziston gjykim më i madh ndaj teje dhe lak shpirtëror më i keq!
Ky qortim do të të bëhet shpëtim. Do të vuash kur do të dëgjosh se je fajtor dhe e keqja është brenda teje. Do të djersitesh kur do të vendosësh ta mposhtësh të keqen brenda dhe jashtë teje, me vullnetin tënd. Dhe, kur të djersitesh e të vuash, vetëm atëherë do të shërohesh. Shërim, pa qortim dhe dhimbje, nuk mund të ketë.
***
“Bir, t’u falën mëkatet e tua.”
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Epoka jonë është një epokë e mbushur me shumë tmerre që torturojnë njerëzimin. Të gjithë dëshirojmë që të mos ketë më luftëra, të largohet ankthi dhe frika që torturojnë individë dhe popuj dhe të mbizotërojë mbi tokë paqja.
Por, që të jepet paqja, duhet t’i paraprijë pendimi i sinqertë dhe falja. Periudha e kreshmëve të mëdha, në të cilën gjendemi, në mënyrë të veçantë, është e përshtatshme që të shkojmë në misterin e Rrëfimit. Ky do të na pastrojë dhe do të na denjësojë të marrim pjesë në misterin e Kungatës Hyjnore. Përbuzi, pra, mendimet e dyshimta dhe mënjano turpin që të sjell i ligu për të të penguar takimin me Zotin Krisht, nëpërmjet pendimit dhe rrëfimit. Mos i vër re ata njerëz që reklamojnë mjete të tjera, gjoja qetësuese të ndërgjegjes. Argëtimet, shëtitjet dhe “gëzimet e botës”, që të propozojnë, nuk sjellin as harresë, as shërim. Lënë vetëm helmin e mëkatit që të bëjë shkatërrimin tënd, siç ndodhi me të paralizuarin. Mjek dhe shërues i shpirtit dhe i trupit është vetëm Njëri, Perëndinjeriu i Tërëfuqishëm, Zoti ynë Jisu Krisht, i cili u dha apostujve pushtetin për të falur mëkatet e njerëzve dhe, nëpërmjet apostujve, u transmetua te pasardhësit e tyre, etërit shpirtërorë, në gjithë brezat.
***
Le t’i afrohemi me pikëllim dhe pendim Shpëtimtarit. Zoti na fal mëkatet dhe na plotëson kushtet për një jetë të paqshme dhe të gëzuar mbi tokë.
Më e rëndësishmja është se do të përsërisë për secilindo nga ne, fjalët që i tha të paralizuarit: “Bir, t’u falën mëkatet e tua!”
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 23.03.2008