E DIELA E DAFINAVE

E DIELA E DAFINAVE

E DIELA E DAFINAVE
ZOTI KRISHT, MBRET PËR TË GJITHË
DHE PËR SECILIN NË VEÇANTI
“Hosana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, Mbreti i Izraelit.”
(Joani 12:13)

Lajmi u përhap si rrufe: Jisu Krishti vinte në Jerusalem. Judenjtë, si të ardhur në Qytet për të festuar Pashkën e tyre, menjëherë morën degë palmash dhe rendën që ta presin.
Të gjithë ata, të mbushur me admirim dhe respekt ndaj Këtij Profeti dhe Mësuesi të veçantë, tani vraponin për t’i shprehur mirënjohjen e tyre të përzemërt dhe respektin e thellë. Dhe, me të vërtetë, arritën t’i bëjnë një pritje triumfale. Një pritje, që i përshtatej vetëm një mbreti fitimtar. Zoti Krisht, bashkë me vlerat e padiskutueshme të Profetit dhe të Kryepriftit, kishte dhe vlerën e Mbretit. Me këto tri vlera Ai kreu misionin e Tij hyjnor, që është shpëtimi i botës.
Prandaj edhe njerëzit i shtruan me respekt rrobat e tyre në rrugën ku do të kalonte. Dhe, të mbushur me gëzim e entuziazëm, brohorisnin nga thellësia e zemrave të tyre himne dhe lavdërime:
“Hosana, i bekuar është Ai që vjen në emrin e Zotit!”
***
Zoti nuk vjen si mbret i botës, si princ tokësor me armatime ushtarake, që t’i imponohet popullit me dhunë. Asnjë, natyrisht as nxënësit e Tij, nuk mendoi se në atë ditë dafinaprurëse u përmbushën fjalët e profetëve, të cilët paralajmëruan këtë ngjarje ngazëlluese.
Ardhja e Mesias gëzon Izraelin e vjetër. Zëri i profetit Zaharia jehon nga thellësitë e shekujve duke thënë: “Ngazëllohu me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma ngazëllimi, o bijë e Jerusalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; Ai është i butë dhe i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri” (Zan. 9:9).

Është në mënyrë absolute prijës, sundues i qiejve dhe i dheut. “Perëndia e caktoi mbret mbi Sionin, malin e tij të shenjtë” (Ps. 2:6).
Nga atje rrezaton dritën shpëtimtare të predikimit të Tij Hyjnor. Ardhja e Tij gjithmonë pranohet me entuziazëm të Shenjtë nga Kisha e Tij.
Qëllimi i hyrjes së Tij në Jerusalem nuk ishte që t’i jepte shkak gjindjes së njerëzve për ta pritur me brohoritje, si mbret.
Arsyeja, për të cilën u bë njeri, ishte një dhe e vetme: të ofrojë sakrificën e madhe dhe të paçmueshme të jetës së Tij, të bëhet Ai “kryetar i shpëtimit”. Është “Qengji i Perëndisë Ai që ngre mëkatin e botës” (Jn. 1:29), i Cili erdhi të sakrifikojë jetën e Tij për shpëtimin e grigjës. Hyn në Jerusalem, jo për t’u mburrur në fronin mbretëror, por që të ngjitet në kryq dhe të durojë tërë agoninë dhe dhimbjen e kryqëzimit për shpëtimin e botës.
Krishti nuk është vetëm Shpëtimtari i botës, por edhe Mbreti i paqes. Erdhi në botë që të ngrejë Mbretërinë e Tij, që është Kisha e Krishterë, e cila ekziston prej 2000 vjetësh, megjithëse u luftua dhe luftohet ende me egërsi. E ngriti dhe e qeveris këtë mbretëri të hirit pa armë dhe luftëra, pa dhunë dhe kërcënime, pa gjak dhe shkatërrime. Ftoi paqësisht vetëm ata që deshën të nënshtrohen, në mënyra të lirshme dhe të padhunshme, në këtë ushtri shpirtërore dhe paqedashëse.
Është mbret paqësor, sepse paqësore është mbretëria e Tij, “Paqen time po ju jap juve” (Jn. 14:27), u tha nxënësve të Tij. “Princ i paqes” u quajt nga profetët. “Krishti është paqja jonë” (Efes. 2:14), thotë apostull Pavli.
Paqe u jep shpirtrave të atyre që e ndjekin. Pushon trazirën dhe shqetësimin, që krijojnë në shpirtin e njeriut pasionet mëkatare. Zbut urrejtjen dhe antipatinë, të cilat i pengojnë njerëzit dhe krijojnë grindje e trazira. Afron dhe pajton karakteret e kundërta, për të vendosur harmoni të mrekullueshme atje ku ka mbizotëruar ndasia dhe mosmarrëveshja. Krishti është Mbret i paqes dhe paqen dhuron atje ku mbretëron, domethënë në zemrat, në familjet, në kombet, në popujt e tokës.
***
“Mbretëria e Tij është brenda nesh” (Llk. 16:21), shpalli Zoti. Sa zemra janë besnike dhe të përkushtuara, i përkasin kësaj mbretërie. Mbretëritë tokësore humbasin, zhduken, por zemrat e njerëzve janë pronë e padiskutueshme e Mbretit Krisht. Nëse qytetarët e kësaj mbretërie mbeten besnikë te Zoti dhe Mbreti i tyre, shijojnë të gjitha dhuratat e Tij dhe përgatiten për mbretërinë e ardhshme e të përjetshme.
***
Dhe, kur themi se Krishti mbron, ndriçon dhe fuqizon Kishën dhe besimtarët, nuk nënkuptojmë vetëm një ndihmë të përgjithshme dhe nuk i mendojmë besimtarët si shumicë njerëzish, por si individë të veçantë dhe si personalitete të përcaktuar. Domethënë, me atë dashuri, me të cilën kujdeset për bashkësinë, me po të njëjtën dashuri sillet edhe me secilin person. “Çdo njeri, – thotë shën Joan Gojarti, – Ai e do me aq shumë dashuri, sa do të tërë botën.”
Mbron të voglin dhe të madhin, të përparuarin në virtyte dhe të porsandriçuarin në besim, klerikun dhe laikun, të shkolluarin dhe analfabetin, të lirin dhe skllavin, shenjtorin dhe mëkatarin. Aq sa kujdeset për nëntëdhjetë e nëntë delet, aq kujdeset edhe për njërën. Cili mbret apo princ i kësaj bote, madje dhe më i miri e më i dashuri, ka shfaqur një dashuri dhe kujdesje të tillë për vartësit e tij?! Qëllimi i përkujdesjes së Mbretit Krisht është që të drejtojë çdo besimtar dhe të gjithë besimtarët bashkë në rrugën e shpëtimit. T’i ndriçojë që të njohin të vërtetën dhe të ndërgjegjësohen në besim, t’i forcojë në betejë për çlirimin nga skllavëria e mëkatit dhe e pasioneve, t’i udhëheqë drejt virtytit dhe ripërtëritjes morale, t’u dhurojë ngjashmërinë me Perëndinë që t’i ketë përjetësisht “trashëgimtarë bashkë me Krishtin” (Rom. 8:17), në lavdinë e Atit.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Ky është Mbreti Krisht, të cilin sot, në të Dielën e Dafinave, erdhëm ta adhurojmë dhe ta lavdërojmë. Është Mbreti shpirtëror, i lavdishëm, i tërëfuqishëm dhe shpëtimtari i shpirtrave tanë. Nëse Ai ofroi dhe ofron aq shumë për ne, po ne vartësit e Tij të çliruar, çfarë do të ofrojmë për Te?
Gjindja e judenjve në Jerusalem shtruan veshjet e tyre në rrugë që të kalojë mbi to Mbreti që po vjen. Ne ftohemi që të bëjmë diçka më të mirë dhe më thelbësore. Të vendosim përpara këmbëve të Tij zemrën tonë dhe me mall e përkushtim t’i themi:
“Po, eja, o Zoti Jisu” (Zb. 22:20), ngrije fronin tënd edhe në zemrat tona dhe mbretëro përjetësisht. Duam që të jemi përgjithmonë vartësit e Tu.
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 20.04.2008