E DIELA E THOMAIT

E DIELA E THOMAIT

E DIELA E THOMAIT
LUM ATA QË NUK PANË DHE BESUAN
(Joani 20:29)

Mbrëmjen e ditës së Ngjalljes, kur dyert e shtëpisë ku ishin strehuar nxënësit nga frika e judenjve ishin mbyllur, erdhi Jisui, ndenji në mes tyre dhe u tha: “Paqe mbi ju”. Dhe pasi tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën e Tij. Nxënësit u gëzuan kur panë Zotin, por Thomai, i quajtur binjak, mungonte në atë moment.
I thoshin, pra atij, nxënësit e tjerë: “Pamë Zotin”. Por ai u tha atyre: “Në mos pafsha në duart e Tij shenjat e gozhdëve dhe të mos vë gishtin mbi to, e të mos vë dorën time në brinjën e Tij, që e shpoi shtiza, nuk do të besoj.
***
Thomai kërkon që të njoftohet nga vetë shqisat e tij. Nuk i kujton ato që paratha Zoti Krisht në lidhje me pësimet dhe ngjalljen e Tij. Dhe as nuk i vë re pohimet e bashkënxënësve të Tij. Thomai harron edhe se Zoti, përpara tij, kishte ngjallur djalin e vetëmlindur të së vesë së Nainit, dhe Llazarin e katërditshëm.
Thomai u tregua dyshues, por edhe dhjetë nxënësit e tjerë, a nuk u treguan besëpakë? Kur gratë miroprurëse, njëra pas tjetrës, shkuan dhe u shpallnin me gëzim “pamë Zotin”, dhe u përmendnin me detaje rrethanat e shfaqjeve, ata nuk u besuan. I konsideruan fjalët e grave si përçartje të fantazisë së tyre.
Pra, çka të çuditshme që dhe Thomai nuk u besoi fjalëve të tyre? Dyshimet dhe mosbesimet, për sa i përket Ngjalljes, filluan që nga dita e parë, madje edhe midis apostujve dhe nxënësve. Megjithatë nxënësit, si edhe Thomai, kishin dëshirën e mirë. Prandaj edhe Zoti, me butësi dhe zemërgjerësi, plotësoi dëshirën e nxënësit dyshues.
***
Pas tetë ditësh, kur dishepujt ishin mbledhur sërish, bashkë me ta edhe Thomai, ndërsa dyert ishin të mbyllura, erdhi Jisui, qëndroi në mes dhe u tha: “Paqe mbi ju!”. Pastaj i thotë Thomait: “Sill gishtin tënd këtu, shih duart, sill edhe dorën tënde e vëre në brinjën time dhe mos u bëj i pabesë, po besnik”. Dhe Thomai u përgjigj: “Ti je Zoti im dhe Perëndia im”. Dhe i tha Jisui atij: “Besove, sepse më pe. Lum ata që nuk panë, dhe besuan”.
Zoti, si bariu i mirë me shumë dashuri dhe tolerancë, shëroi dyshimin e nxënësit të Tij, diçka e veçantë dhe e pakrahasueshme dhe, njëkohësisht, tregohet shembull për ne, duke na bindur që me “butësi dhe durim të mësojmë ata që kanë mendime të kundërta, dhe kështu mbase u jep atyre Perëndia pendim, që të njohin të vërtetën, edhe të shpëtojnë nga laku i djallit, prej të cilit janë zënë robër me dëshirën e tij” (2 Tim. 2:25-26). Bashkë me shërimin e këtij dyshimi, Zoti Krisht nderoi përsëri të njëjtën ditë të javës, nëpërmjet pranisë së Tij, dhe në këtë mënyrë vuri themelin për nderimin dhe shenjtërimin e ditës së parë të javës.
Mosbesimi i Thomait, duke u mundur me këtë shfaqje të re të Zotit të Ngjallur, na ndihmon për ta mbështetur besimin ndaj Tij. Sepse tregon se dëshmia për ngjalljen e Tij nuk vjen nga buzë njerëzish lehtëbesues, por dëshmues, të cilët mbetën dyshues deri në çastin kur iu dhanë të gjitha argumentet që pretendonin. Thomai e besoi Krishtin si Zotin dhe Perëndinë e tij. Dhe ne duhet ta besojmë Krishtin, jo si njeri që u bë Perëndi, por si Perëndi që u bë njeri, siç na thotë dhe Ungjillor Joani: “Dhe Fjala u mishërua” (Jn. 1:1)
Thomai ngulte këmbë që të shikojë dhe të prekë në mënyrë që të besojë. Butësi hyjnore ishte dhe kjo për dobësinë e dishepullit. Që kjo të mos bëhet pretendim i besimtarëve, Zoti qortoi mosbesimin e nxënësit, dhe gjithashtu përcaktoi rrugën e besimit për nxënësit e Tij ndër shekuj. “Sepse më pe, besove”, Domethënë gabove kur më kërkove të më shikosh që të besosh. Nuk duhej të parashtrohej një pretendim i tillë. Nuk u nevojitej kaq bindje syve të tu, dhe nuk duhej të këmbëngulje. Ta vërtetonin të tjerët se më panë të ngjallur dhe duhej t’u vije re fjalëve të tyre dhe t’u bindesh e t’i besosh dhe ti, kur njihje sa të sinqertë dhe të besueshëm ishin. U tregove, pra, shumë racionalist. Por të falet, se edhe ti nga dëshira e mirë u nise. Por që tani e tutje ky eksperiment nuk do të përsëritet më. Dhe nga këtej e në vazhdim “Lum ata që nuk panë dhe besuan”. Është e pamundur të vendoset një parim i tillë. Të bëhet Perëndia objekt kërkimi nga syri dhe dora. Lum, pra, ata që besojnë pa parë. Do të shikojnë vetëm me sytë e shpirtit dhe do të besojnë. Ky është shpëtimi i tyre.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Ata që kërkojnë të “shikojnë” gjëra të vështira për mendjen e njeriut, krishterimi i qorton dhe i diskrediton. Metoda e kërkimit, – na thotë, – nuk është vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme. Është e rrezikshme, sepse nga dyshimi do të na çojë drejt e në pabesi.
Nuk ishte i pabesë Thomai, por rrezikohej të bëhej. Prandaj dhe Zoti nuk i tha “mos ji i pabesë”, por “mos u bë i pabesë”. Tingëllon, pra, tek ata kambanën e rrezikut, se në fund të rrugës së tyre gjendet humbja e besës. Ki kujdes, pra, ti që kërkon mënyrën e kërkimit tënd, nëse do që të mos bëhesh “i pabesë”, por besëtar.
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 04.05.2008