E DIELA E MIROPRURËSEVE
(Marku 15:43-16:8)
HEROIZMI I KRISHTERË, BURRËRI DHE GUXIM
“Dhe Josifi… guxoi e hyri te Pilati”
(v. 15:43)
Sot Kisha, duke festuar Ngjalljen e Zotit, nderon dhe kujtimin e pesë njerëzve, dy burra dhe tri gra. Burrat janë Josifi dhe Nikodhimi, gratë janë Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakovit dhe Saloma. Këta të pestë, në momentin më vendimtar të historisë së botës, atëherë kur njerëzit e dënuan me vdekje Perëndinë, shpëtuan nderin e gjindjes njerëzore. Kur prijësit e shthurur të popullit dhe turmat fanatike bënë krimin më të shëmtuar dhe Jisu Krishti gjendej tashmë i vdekur mbi kryq, dy burrat guxuan dhe u kujdesën për varrimin e Tij. Dhe, kur të gjithë flinin të qetë në Qytetin e Shenjtë, dhe ushtarët ruanin varrin, tri gratë patën guximin të nisen dhe t’i ofrojnë nderet e zakonshme të varrimit të vdekurit të tyre të dashur. Kisha ruajti emrat dhe veprën e këtyre pesë njerëzve në arkivin e saj më të shenjtë, që është Shkrimi i Shenjtë. Ata janë bashkëpunëtorët e Perëndisë, emrat e tyre u shkruan në “librin e jetës” dhe renditen me të drejtët. Kujtimi i tyre ruhet në Kishë “me lëvdata”.
I
Le t’i kthehemi tani shpjegimit të Ungjillit të sotëm dhe të shohim më nga afër veprën perëndidashëse dhe guximtare të këtyre pesë njerëzve. Josifi, këshilltari që besonte te Krishti dhe priste mbretërinë e Perëndisë, guxoi e u paraqit përpara Pilatit dhe kërkoi trupin e Jisuit. Pilati, pasi u sigurua nga kryeqindësi për vdekjen e Tij, i fali trupin Josifit. Edhe ky, pasi bleu një pëlhurë të re, e zbriti trupin nga kryqi, e mbështolli me pëlhurën, e vuri në një varr që ishte rrëmuar brenda në shkëmb dhe rrokullisi një gur të madh në hyrjen e varrit.
***
Nisma ishte e Josifit, por afër erdhi edhe Nikodhimi, siç dëshmon Ungjillor Joani; “Erdhi edhe Nikodhimi, ai që pati ardhur te Jisui një herë më parë, natën, dhe pruri një përzierje miroje dhe aloe, rreth njëqind litra” (Jn. 19:39). Ungjillori tjetër, Llukai, thotë për Josifin se ishte njeri “i mirë dhe i drejtë”, prandaj dhe si këshilltar, domethënë anëtar i këshillit të ju- denjve, nuk ishte dakord me vendimin dhe veprën e anëtarëve të tjerë; “ky nuk pati qenë në një mendje në këshillë e në punët e tyre” (Llk. 23:51).
Gjithashtu Josifi dhe Nikodhimi ishin prijës të popullit dhe nxënës të fshehtë të Jisuit “nga frika e Judenjve”. Frika është mbi njeriun, por ekzistojnë edhe çaste kur njeriu e mposht atë. Këto janë momentet e shenjta të dashurisë dhe të detyrimit.
Pasi kaloi e shtuna, Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakovit, dhe Saloma, blenë erëra që të lyejnë trupin e Jisuit. Të dielën, herët në mëngjes dhe në momentin që lindte dielli, vijnë te varri. Sapo hynë brenda, panë një djalosh te veshur me rroba të bardha dhe u mbushën me habi e çudi. Por ai u tha: “Mos u çudisni. E di që kërkoni Jisuin e kryqëzuar; nuk është këtu, u ngjall. Ja vendi ku e vendosën. Shkoni dhe lajmëroni nxënësit e Tij dhe Petron, se ai shkon më përpara se ju në Galile. Atje do ta shihni, ashtu siç ju tha. Atëherë ato u larguan të mbushura me frikë dhe habi, dhe asnjërit s’i thanë gjë, sepse kishin frikë…”
***
Ishte i madh guximi i Josifit, që të shfaqej publikisht pro Jisuit, Atij që u gjykua dhe u vra si keqbërës. I madh ishte edhe guximi i grave miroprurëse që, të dielën, herët në mëngjes, shkuan te varri të lyejnë me aroma trupin e Tij të shenjtë. Gjithashtu guximi i tyre ishte i madh, sepse urrejtja vrasëse e prijësve ndaj Jisuit nuk ishte shuar ende. Ishte shumë. E thjeshtë që kjo urrejtje të kthehej me gjithë anësinë e saj kundër miqve dhe pasuesve të Tij. Ky mendim i bëri nxënësit e Tij të shpërndahen, dhe Petron e flaktë e entuziast ta mohojë tri herë me betime e mallkime. Por Josifi, Nikodhimi dhe gratë e thjeshta guxuan. Dashuria e tyre për Jisuin i shkatërroi muret gjigante të frikës dhe i shtyu në rrugën e detyrës.
***
Që atëherë guximi mbeti virtyt kryesor njohës i të krishterit të vërtetë. Në të e mbështesnin jetën e tyre gjithë besimtarët dhe, për më tepër, ky guxim u bë miku i tyre i përditshëm. Duhej të guxonin, që të flisnin pa frikë përballë kryqëzuesve të Mësuesit të tyre. Nevojitej shumë guxim, që të pohonin besimin tek Ai, të cilin kryepriftërinjtë e dënuan dhe pushteti i frikshëm romak e ekzekutoi.
Guximi shoqëronte ungjillorët, pohuesit, martirët dhe gjithë masat e besimtarëve që rendnin përpara te xhelatët, që të inkurajonin luftëtarët e besimit dhe më pas të mblidhnin ato çka mbeteshin nga heroizmat e tyre, një copë nga rrobat e tyre, dy pika gjaku, fjalët e tyre plot zell, për t’i ruajtur më vonë si thesare të çmuara të Kishës.
Dhe në fund, guxim nevojitej për të gjithë besimtarët, që të përballonin urrejtjen judaike, e bashkuar kjo me maninë idhujtare dhe me pushtetin romak. Ç’ishin të krishterët përballë gjithë këtyre përndjekësve? “Dele në mes të ujqërve” (Matth. 10:16). E megjithatë, delet fituan ndaj ujqërve “me anë të gjakut të Qengjit” (Zb. 12:11). Dhe, me virtytin e sakrificën e tyre, ndikuan në përhapjen mbarëbotërore të veprës së Kishës. Njëkohësisht u dorëzuan brezave pasardhës dhe neve sot, të nderuar dhe të lavdëruar, flamurin e Krishtit.
II
Edhe në periudhën e sotme të rehatisë dhe luksit, të konsumit dhe shthurjes, që besimtarët të mbajnë lart flamurin e Krishtit, nevojitet të zotërojnë të njëjtin guxim të shenjtë të të krishterëve të parë. Fjala e Perëndisë është kategorike: “Edhe i drejti do të rrojë prej besimit, edhe në u tërheqtë ndonjë prapa, shpirti im nuk do ta pëlqejë atë” (Heb. 10:38).
Në epokën tonë, e cila dallohet për individualizëm të theksuar dhe prirje për përfitime, krijohen çdo ditë shumë drama dhe shumë prej tyre copëtohen nën buldozerin e padrejtësisë; kush mundet ta përkrahë të padrejtësuarin dhe të nxjerrë veten e tij përpara të fortit të ditës? Kush do të guxojë të mbajë anën e të varfrit, të mbrojë nderin dhe respektin e atij kundër të cilit shpifet? Kush do ta denoncojë të keqen, do të gjykojë gënjeshtrën, do të mohojë mjetet e paudha për të marrë grada dhe për të mbizotëruar? Kush do ta lavdërojë të mirën, do të duartrokasë konkurrencën fisnike dhe përparimin e ndershëm? Vetëm i krishteri, ndërgjegjja dhe qëndrimi i të cilit zotërohet nga vullneti hyjnor. Apostull Pavli na vendos përpara përgjegjësive tona dhe na bën vigjilentë, duke thënë: “Kujdesuni, pra, që të mos humbni besën e patrembur dhe të mbushur me guxim, e cila ka shpërblim të madh” (Heb. 10:35).
Nëse të tjerët janë guximtarë në kryerjen e paligjësisë, pse të ngurroj unë që kam të vërtetën në anën time, në momentin që bëj detyrën time? Përderisa e urdhëron ndërgjegjja ime e ndriçuar, nuk duhet të më pengojë asgjë. Është e drejtë? Është e moralshme? Atëherë, përparojmë!
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Shpesh ankohemi dhe shqetësohemi për rrugën që ka marrë shoqëria jonë. Vërejmë rreziqe, konstatojmë arsye. Një nga arsyet më të këqija të fatkeqësisë është se, zakonisht, njerëzit e mirë nuk janë të guximshëm, por frikacakë dhe të trembur. Të guximshëm shfaqen të pandershmit, dinakët dhe mashtruesit. Këtu qëndron drama jonë. Një tragjedi që duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë. Edhe ne mund të kontribuojmë, nëse me burrëri dhe guxim përparojmë atje ku detyra jonë e krishterë na urdhëron me çiltërsi dhe guxim!
U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 03.05.2009