E Diela e Samaritanes

E Diela e Samaritanes

Shfaqja e së vërtetës qartë dhe me dashuri
E Diela e Samaritanes
(Jn. 4:5-42)

“Jisu i thotë asaj: Shko, thirr burrin tënd”

Zoti e ndërpret për një çast mësimdhënien e Tij lartësuese rreth “ujit të gjallë”, për të kaluar në një çështje konkrete, në atë të Samaritanes. Nuk e bën për të ndërprerë bisedën, por që të zgjojë një ndërgjegje që ndodhet në gjumë. Për t’i dhënë mundësi kësaj gruaje që të shikojë të vërtetat e mëdha, të cilat do t’i zbulojë pak më vonë. Disi e tronditur, ajo kërkon t’i bëjë bisht pohimit, duke dhënë një përgjigje të paqartë: “Nuk kam burrë”, duke nënkuptuar se mund të jetë një vejushë e pamartuar. Por, Krishti ngul këmbë. Me delikatesë, por edhe me vendosmëri, Ai prek plagën e shpirtit të saj që, pavarësisht nga gabimet, është i etur për të vërtetën, për shërim. “Mirë e the që nuk ke burrë. Sepse ke marrë pesë burra dhe ai që ke tani, nuk është burri yt; këtë e the drejt “.
Prekja e plagës personale
Jisui nuk vonon të mbërrijë në anën e veçantë të jetës së njeriut, me të cilën komunikon. Të njëjtën taktikë e shikojmë dhe në dialogun e Tij me të riun e pasur (Llk. 18:22). Ai depërton në shtresën më të thellë të ndërgjegjes ose të britmave subkoshiente.
Nuk është e mundur të bashkëbisedojmë me Krishtin, nëse biseda me Të nuk ka karakter të pastër personal. Ai nuk na lë të qëndrojmë në gjëra të përgjithshme e teorike, por na nxit të thellohemi në realitetin konkret, në themelin e jetës. Në çastet kur arrijmë të kemi një dialog thelbësor me Të, Ai na zbulon konformizmin e jetës sonë me një qartësi të dallueshme dhe na tregon një plagë të fshehur, që nuk mund ta shpërfillim përgjithmonë. Ai do të hedhë dritë të plotë mbi prirjen ose zakonin tonë të gabuar, që e helmon jetën shpirtërore. Ai kërkon të nxjerrë në sipërfaqe mëkatin, që ne e strukim në thellësinë e errët të ndërgjegjes sonë. Sepse, vetëm kur e kundrojmë dhe e shohim në sy mëkatin tonë dhe ndërgjegjësohemi për të, atëherë do të shpëtojmë nga ndikimi vdekjeprurës, që mëkati përcjell në botën tonë të brendshme.

Por, në shumicën e rasteve, ne i kundërvihemi kësaj qasjeje. Do të donim t’i bënim bisht zbulesës, ashtu si gruaja samaritane, që në fillim u mundua të jepte një përgjigje të vagullt e jo bindëse. Prandaj edhe ne parapëlqejmë të mbetemi në diskutime të përgjithshme rreth Perëndisë, rreth dashurisë, vuajtjes dhe mirësisë. Shumë veta e largojnë dorën e Krishtit, e cila vjen për të na treguar dhe prekur mëkatin tonë personal: padrejtësinë që i bëjmë një miku ose të afërmi, shpifjen që përhapëm ndaj një kolegu, për të penguar përparimin e tij ose të saj në detyrë; njollosjen e nderit të një vajze, shfrytëzimin e një nëpunësi të varfër etj. Por, Zoti e di se diskutimet dhe analizat “fetare” janë një diskutim i shterpët, përderisa nuk e kuptojmë thellësisht mëkatin tonë personal. Nuk ka asnjë vlerë të trumbetojmë disa ide të krishtera, t’i ngrohim kohë pas kohe në mendjen tonë, kur shpirti ynë nuk ka dëshirë të identifikohet me to.
Gabimi ynë personal, sado i vogël të duket në sytë tanë, është kokrra e rërës që futet brenda mekanizmit të orës dhe e pamundëson funksionimin e saj normal. Është e kotë të dëgjojmë e të flasim; është e kotë të lexojmë dhe të shkruajmë për Krishtin, nëse nuk e zbulojmë plagën tonë shpirtërore para shikimit të Tij hyjnor, që “shqyrton zemrat dhe veshkat”, nëse nuk e lejojmë ta prekë dhe ta shërojë atë.
Me dallueshmëri dhe me mirësjellje
Krishti vijon të këmbëngulë me një delikatesë të veçantë. Fjalët që përdor Samaritania për të fshehur gjendjen e saj, Ai i kundërshton me takt, duke bërë edhe një zbulesë: “Mirë the, se s’kam burrë… këtu fole drejt”. Nuk e qorton, duke i thënë se po fsheh gjendjen e saj të vërtetë, se është fajtore. Por, me një dallueshmëri të jashtëzakonshme, Ai përdor anën pozitive të përgjigjes së saj, për t’ia bërë më të lehtë pohimin. Me kujdes e dhembshuri i afrohet plagës, duke mbajtur bisturinë në dorë. Ai largon paqartësinë e saj, thekson të vërtetën, por të gjitha këto i bën me një dashuri të thellë, që në fund fare e çliron dhe e bën tjetrin të ndiejë përgjegjësinë e tij.
Kur duam të ndihmojmë dikë që ta kuptojë gabimine tij, le të mos mënojmë të përdorim të gjithë kujdesin dhe delikatesën tonë. Shpesh, në jetën tonë të përditshme, në punë, në familje, na jepet rasti të kuptojmë gabimet e njerëzve, me të cilët jetojmë dhe bashkëpunojmë. Duam t’i ndihmojmë të kuptojnë dhe të korrigjojnë gabimet e tyre. Por, në përgjithësi, jemi të vrazhdë, të pazotë, shpesh të hidhur, dhe nuk është dashuria që na shtyn të flasim, por dashuria e sëmurë për veten tonë, e cila bezdiset nga sjellja e tjetrit dhe reagon duke theksuar anët e tij të dobëta. Sigurisht, mund të ngulim këmbë se e bëjmë “për të mirën e tij”, se e bëjmë ngaqë “e duam të vërtetën” dhe gjëra të ngjashme. Por në thelb kërkojmë të fshehim nga vetja shtysat e vërteta. Dashuria për të vërtetën nuk justifikon përbuzjen e dashurisë, vrazhdësinë në sjellje dhe hidhërimin e tjetrit. Sigurisht, duhet të japim ndihmesën tonë në zbulimin e së vërtetës dhe të ndihmojmë pozitivisht ata që kërkojnë ta mënjanojnë. Por, në këtë përpjekje, le të mos harrojmë kurrë delikatesën dhe fisnikërinë, që na mësoi Jisui me anë të shembullit të Tij.
***
Samaritania nuk reagon kur Krishti i zbulon mëkatin e saj personal, por e pranon Jisuin si të dërguarin e Perëndisë. Pikërisht, ajo nxjerr në pah këtë gjë, kur i fton bashkëkombësit e saj të shpejtojnë të takojnë Jisuin. “Ejani shihni një njeri, që më tha gjithë sa kam bërë. Vallë, mos është ky Krishti?”. Kur Krishti i prek çështjet tona personale në këtë mënyrë, atëherë arrijmë të njohim më mirë misionin e Tij shpëtimtar. Dhe, përmes përvojës sonë personale, do të arrijmë të ftojmë edhe të tjerët për ta njohur Atë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)